Çefa grushte avokatit, Pjetra: E kam kallëzuar për abuzime në KLD

503
Sigal

TIRANE  – Elvis Cefa, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i shkarkuar nga Kuvendi, është përfshirë në një konflikt fizik me  avokatin Ndue Pjetra.

Incidenti mes tyre është shënuar pas mesditës së sotme në zonën e ish-bllokut, ndërsa të dyja palët bënë kallëzime në polici. Ndue Pjetra është njëkohësisht edhe kryetar i një shoqate antikorrupsion.

Dyshohet se shkak i konfliktit mes Cefës dhe avokatit të jetë bërë një proces gjyqësor.
 
Në një deklaratë për mediat avokati Pjetra tha se është qëlluar me grusht nga Cefa dhe 3 persona të tjerë të panjohur për të.
 
“Në atë moment më rrethuan 3 vetë bashkë me Elvisin duke më shtyrë, edhe ndonjë grusht mund ta kem marrë, tek zyra e Shoqatës së Avokatëve kundër Korrupsionit. Kishte shtyrje se ishin 3 vetë, dy të tjerët nuk i njohim”. tha Pjetra

Pjetra tha se Shoqata e Avokatëve Kundër Korrupsioni prej një muaji ka kallëzuar Cefën për shpërdorim detyre në KLD.

“Për shpërdorim detyre për të gjitha veprimet e kryera në KLD, ku ka tjetërsuar prona, ka përdorur të gjithë gjyqtarët si vegël”, tha për mediat avokati Pjetra nga ambientet  e jashtme të komisariatit numër 2 ku dorëzoi kallëzimin e dytë ndaj ish nënkryetarit të KLD Elvis Cefa, këtë radhë për dhunë të ushtruar ndaj tij.