Ç’dokumente kërkohen në kufi kur vjen në Itali pa vizë

569
Sigal

ITALI/  Kush vjen në Itali për pak ditë nuk ka nevojë të kërkojë
vizë në konsullatën italiane

Gazeta Telegraf/


Dua të vij me familjen në Itali
për festat e Vitit të Ri. Në agjencinë e udhëtimit në Tiranë më thonë që duhet
të bëj një sigurim dhe se më duhet një ftesë nga dikush që jeton andej. A është
e vërtetë? Nuk mjafton vetëm pasaporta e bileta, për ato pak ditë që duam të
rrimë aty?


Kush vjen në Itali për pak ditë nuk ka nevojë të kërkojë
vizë në konsullatën italiane. Kjo është e vërtetë, por është po aq e vërtetë që
liberalizimi i vizave që gëzojnë shqiptarët parashikon që kush lëviz në Evropë
duhet të respektojë disa kushte (si për shembull, të mos qëndrojë më gjatë se
90 ditë në gjashtë muaj në zonën Schengen) e të ketë me vete dokumentacion të
nevojshëm për të treguar, për shembull, motivin e qëndrimit, që mund të mbajë
veten nga ana ekonomike ato ditë që ndodhet në udhëtim, që ka ku të qëndrojë,
që do të kthehet në atdhe. Veçanërisht në aeroportet e portet e Italisë, jo
gjithnjë janë kërkuar këto dokumente, por edhe për shkak të rritjes së
kontrolleve kundër terrorizmit e kundër emigracionit klandestin, policia e
kufirit po tregohet e rreptë. Më në hollësi, në çdo pikë kufitare të Italisë,
kanë të drejtën të kërkojnë veç pasaportës biometrike edhe:

  • Biletën e kthimit;
  • Sigurimin shëndetësor (që të
    mbulojë udhëtimin dhe periudhën e qëndrimit);
  • Shumë të mjaftueshme parash për
    qëndrimin në Itali;
  • Kur deklaron se udhëton për
    vizitë tek një i afërm, shtetas apo rezident në Itali, duhet paraqitur
    deklarata e mikpritjes (dichiarazione di ospitalità) të personit që jeton
    këtu bashkë me fotokopjen e dokumentit të tij të identitetit.
  • Kur deklaron në kufi se po
    udhëton për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një
    personi tjetër, duhet të paraqitet një rezervim hoteli.
  • Kur deklaron se udhëton për
    aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të
    cilin personi është ftuar.
  • Kur deklaron se udhëton për
    arsye shëndetësore, paraqitet konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do
    shkohet apo rekomandimi nga institucioni shëndetësor shqiptar (rastet e
    kryerjes së analizave etj.).
  • Nëse udhëton drejt zonës
    Shengen me automjet duhet të pajisesh me patentë ndërkombëtare drejtimi
    dhe me kartonin jeshil të sigurimit ndërkombëtar të makinave.