Ç’bëhet andej nga Zaloshnja?!

118
Enver CAKAJ
Zaloshnja e historisë e njerzillëkut,e mikpritjes dhe bukurisë, pësoi një shëmtim në këto vite të ashtuquajtura, demokratike. E braktisën edhe njerëzit e saj, se i detyroi sistemi, që ua ndërpreu të gjitha shërbimet shtetërore. Ndonëse njerëzit ikën mallin e morën me vete. Si mund të harrohej ai fshat, ku u mblodh aktivi i Rinisë Antifashiste, si mund të harrohej shtëpia muze e Mahmut e Hysen Zaloshnjes, që ishin bazat kryesore të Luftës? Fshati i 11 dëshmorëve. Fshati i parë që u elektrifikua në Skrapar me një motorino nafte, por harruan vlerat e tij dhe nuk u vu në muze.
Por djemtë e Zaloshnjes i janë rikthyer fshatit. Shtëpitë e braktisura po rikthehen në gjendjen e parë, simbolet e Luftës po rikonstruktohen. Ata u mblodhën në Zaloshnje dhe krijuan Shoqatën Kulturore Atdhetare, e cila po i sjell në Zaloshnje të gjithë ata që e kanë braktisur. Shoqata ka një program ambicioz, që në disa raste sfidon dhe pushtetin, që e ka detyrë të mirëmbajë rrugët, simbolet e Luftës dhe ekzistencën e fshatit. Biznesmenë e dashamirës të fshatit kanë marrë përsipër ta bëjnë fshatin e tyre model, por edhe kërkojnë të shpallet fshat turistik. Programi i tyre është afatgjatë, por ata po përpiqen që afatet të shkurtohen. Edhe pse janë në fazën e shtrirjes së shoqatës, ata kanë nisur nga zbatimi i programit. Bujar Qato, një prej nismëtarëve, që banon në Londër, e krijoi shoqatën edhe atje me kryetar Lorenc Qerim Sula. Ai po bën një punë të jashtëzakonshme për t’i pasqyruar të gjitha familjet zaloshnjare me kontributet e tyre. Por një shoqatë që ka shtrirje dhe jashtë vendit, ka jetëgjatësi, por është dhe rezultative. Pranvera Shimi nga Amerika po mbledh ndihma për të bërë të mundur realizimin e disa pikave të rëndësishme të programit.

Çfarë përmban program i tyre? Fillimisht u bë rikonstruksioni i lapidarit të dëshmorëve, që e shkatërruan vandalët, duke i quajtur dëshmorët simbole të komunizmit! Kur e shikon atë lapidar të duket sikur dëshmorët janë të gjallë. Tani i janë përveshur punës për të rindërtuar qendrën e fshatit. Para ca ditësh kryesuesit e shoqatës patën një takim me kryetarin e Bashkisë Skrapar për t’i koordinuar veprimet shtetërore me ato shoqërore. Këmbëngulja e tyre tregon,se kjo shoqatë do të jetë jetëgjatë dhe do t’i shpjerë deri në fund vendimet që ka marrë. Kryetari i shoqatës, Albert Sula, edhe pse banon në Sarandë, ku ka biznesin e tij të fuqishëm, mendja i i rri nëpër lëndinat dhe guvat e Zaloshnjes. Në fshatrat e Skraparit nuk i ka shkuar mendja askujt që të mbledhë banorët e fshatit dhe të festojë 5-Majin në mënyrë të organizuar. Por Albert Sula i mblodhi, ishin e nga s’ishin dhe festuan atje, ku janë të rënët e tyre. Asqeri Dikua, që banon në Turqi, po gërmon nëpër arkivat turke për të gjetur dokumente, që flasin për Zaloshnjen. Dhe mundimi nuk i ka shkuar kot, ai na ka servirur disa dokumente, mes të cilave edhe fotografia origjinale e arkitekt Kasëmit, një grëmshiot me famë botërore, që zaloshnjarët të mos harrojnë njëri-tjetrin në jetë të jetëve, shoqata “Zaloshnja” ka caktuar ditët, 19-20 gusht për takimin festiv me të gjithë banorët, kudo që janë.