Çamët gati për të dalë nga “streha” e “Rilindjes”, sherr Rama-Idrizi për Kodin Zgjedhor

484
Sigal

Marrëveshja e re mes Ramës dhe Idrizit ishte, se në
zgjedhje PDIU duhet të ketë një komisioner të sajin në disa zona zgjedhore dhe
kjo gjë i ishte premtuar. Duke qenë se në bazë të Kodit Zgjedhor në gjysmën e
zonave komisionerin e shtatë në KZAZ apo qendrat e votimit i merr PS, plani
ishte që ai t’i lihej PDIU. Por socialistët kanë dërguar në Kuvend një propozim
surprizë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ata kërkojnë që në KZAZ komisioneri i
shtatë të jetë noter dhe të mos përzgjidhet nga partitë, ndërsa në Qendrat e
Votimit të jetë mësues dhe po ashtu të mos ketë asnjë lidhje me partitë. Kjo do
të thotë, se PDIU del komplet jashtë loje. Gazeta u interesua pranë kësaj
partie dhe për PDIU është kusht vendimtar pasja e një komisioneri, pasi në të
kundërt ata braktisin koalicionin. E vetmja zgjidhje është që PS nga dy
komisionerë që ka njërin prej tyre t’ia japë PDIU, por që kjo është shumë e
vështirë të ndodhë. Sipas informacioneve, Rama dhe përfaqësues të PDIU kanë
pasur një sërë takimesh dhe PDIU ia ka bërë të qartë, se e vetmja mënyrë për të
vijuar bashkëpunimin është që të ketë së paku një komisioner në zonat ku do
ketë kandidatë. Shpresat ishin që të merrte komisionerin e shtatë, por
propozimi i Taulant Ballës, bërë në Parlament u pret atyre shpresat. Deputeti
Aqif Rakipi, i kontaktuar disa herë nga gazeta, e ka theksuar se për ta pasja e
një komisioneri është kusht dhe, nëse nuk zbatohet do dalin nga koalicioni.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, por marrëdhëniet e Ramës me aleatët sa
vijnë dhe përkeqësohen.