Çamëria, Greqia dhe shkollat fillore

761
Prof. Selman Sheme

Politika diskriminuese e raciste e qeverisë greke ndaj popullit shqiptar të Çamërisë vërehet qartë edhe në fushën e arsimit. Qeveria greke mbante pothuajse në të gjitha fshatrat e Çamërisë shkolla fillore, në qytetet e Filatit dhe Paramithisë shkolla të mesme si dhe shkolla normale për vajza. Në të gjitha këto shkolla, fëmijët e një popullsie pastërtisht (homogjene) shqiptare, arsimoheshin vetëm në gjuhën greke pa u lejuar qoftë edhe arsimi fetar në gjuhën amtare. Neni 7 i traktatit të Sevrës, nënshkruar nga qeveria greke, më 19 gusht 1920, lidhur me mbrojtjen e pakicave në Greqi, parashikonte “ruajtjen e disa të drejtave, dhe posaçërisht mësimin e gjuhës së saj amtare”. 38 Vetëm në vitin 1936 Qeveria Greke bën të ditur se planifikonte hapjen e disa shkollave shqipe për nxënësit shqiptarë të Çamërisë, por mësuesit do të ishin shqiptarë grekofonë. Mbas 18 vjetësh mohimesh e hezitimesh, në vitin shkollor 1937- 1938 qeveria greke lejoi funksionimin e dhjetë shkollave shqipe si vijon:

1. Filat, ______ me 85 nxënës.
2. Lopës, ______ me 75 nxënës.
3. Smarte, _____ me 14 nxënës.
4. Nista, ______ me 40 nxënës.
5. Sollopi, _____ me 27 nxënës.
6. Gurrësi, _____ me 16 nxënës.
7. Mazrek, _____ me 80 nxënës (të gjithë shqiptarë)
8. Grikohorë, __ me 50 nxënës.
9. Karbunara ,- nuk funksionoi për mungesë arsimtarësh shqiptarë.
10. Vrohona, nuk funksionoi për mungesë arsimtarësh shqiptarë.

Me hapjen e këtyre shkollave në Çamëri filloi të mësohej Gjuha Shqipe dhe me këtë akt u krijua një precedent i favorshëm për popullsinë Shqiptare. Në vitin mësimor 1937-1938 në shkollat e Çamërisë mësonin në gjuhën Shqipe 387 nxënës. Funksionimi i këtyre shkollave qe larg rezultateve të parashikuara dhe të dëshiruara. Mungesa e teksteve, mungesa e mësuesve të specializuar dhe mbi të gjitha, politika antishqiptare e qeverisë profashiste greke e gjeneralit Metaksa, bëri që këto shkolla të mbyllen shumë shpejt. Me ardhjen në pushtet të qeverisë fashiste të Joanis Metaksait më 1936, gjendja e popullit shqiptar në Çamëri u bë edhe më e vështirë. Kolonizimi i rajonit nga grekët u intensifikua, Shpronësimi i popullit Çam nga pasuria e tyre u vazhdua dhe emrat e vendeve (toponimet) të banuara nga shqiptarët u zëvendësuan me emra grekë. Emrat shqiptare të fshatrave Spatar, Galbaq, Varfanj, Volë, Arpice e tjerë u zëvendësuan me emrat grekë, Trikorifo, Elea, Parapatamo, Sivota, Perdhika e tjerë. Ata u kolonizuan më grekë me qëllim që të ndryshonin raportet demografike në rajon. Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë, nga të cilët vetëm 20.200 banorë ishin grekofonë dhe 92.419 ishin shqiptarë. Numri i popullit shqiptar të Çamërisë, ndarë sipas nënprefekturave, ashtu siç e paraqet gjeografi Italian Aldo Sestini në librin e tij “La Ciamuria – 1941” paraqitet si vijon: Nënprefektura e Filatit: 79 fshatra me 32.024 banorë nga të cilët 3500 janë bilingë. Nënprefektura e Paramithisë: 47 fshatra me 15.486 banorë, nga të cilët 5000 janë bilingë. Nënprefektura e Pogonit: 33 fshatra me 13.888 banorë nga të cilët 6200 janë grekofonë. Nënprefektura e Margelliçit: 43 fshatra me 14.531 banorë, të gjithë shqiptarë. Nënprefektura e Prevezës: 46 fshatra me 21.160 banorë, nga të cilët 10.000 janë grekofonë, me origjinë shqiptare. Nënprefektura e Filipiadhës: 31 fshatra me 15.530 banorë, nga të cilët 4000 ishin grekofonë. Duke u bazuar në dokumentet e Ushtrisë Gjermane të Luftës së Dyte Botërore: “Sipas ngjarjeve të viteve 1914-1940, rreth 40.000 shqiptarë janë vrarë nën tortura të policisë dhe popullsisë greke.”Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe janë shpërngulur me dhunë në Turqi, në shtetin amë Shqipëri, në Sh.B.A e vende të tjera, rreth 200.000 shqiptarë të Çamërisë dhe nga trojet e tjera shqiptare në Greqi. Për rrjedhojë, me gjithë vitalitetin e lartë biologjik të popullit shqiptar (koeficientin e lartë të natalitetit), ritmet e shtimit vjetor të popullsisë kanë qenë graduale, e në periudha të caktuara (vitet 1914-1926), ka pasur saldo negative të shtimit të popullsisë.
Sigal