Çamëria dhe lidhja Shqiptare e Prizrenit

883
Gëzim Zilja
… Ti piet, o sulltan për vete,
Po për shqipëtarët as piete,
Kurrë s’na dëgjove zënë,
Po për vete na bën kërmë…. 
Se lëshojtim këtë prak,
vdekëla na duket pak.
(Çamëri, 1878) 
Në folklorin çam këngët për “Lidhjen e Prizrenit” janë të shumta, duke përfshirë të gjitha çastet, që nga krijimi, platforma e paraqitur prej saj, organizimin për rezistencë, luftërat e zhvilluara, duke futur në këngë figurat më të spikatura, që nga ato drejtuese e organizuese deri të luftëtarët e thjeshtë, që japin jetën në vijën e parë të luftës me armikun. Ja çfarë ishte “Lidhja” në sytë e Shqiptarëve të Çamërisë dhe më gjerë: 

Ti moj Lidhja Shqipëtare,
Tunde male e tunde krale,
Tunde Evropën e Madhe…
Që nuk na peshonte fare…

Shqiptarët e Çamërisë, paralajmërojnë Fuqitë e Mëdha dhe vetë Portën e Lartë gjithë krenari dhe besim në forcën e tyre:

U themi mblidhi fiqirë,
Mblidhi fiqirë e dëgjoni,
Ne me turq mos na trazoni,
Neve jemi shqiptarë, 
Komb i vjetër, komb i parë.

Poezia e mëposhtëme tregon sa të njohura popullore ishin bërë tezat politike të “Lidhjes së Prizrenit” nga Veriu deri në Jugun e Shqipërisë, në kundërshtim me ndonjë studiues shqiptar, që e ka konsideruar atë, si të veçuar vetëm në Veriun e Shqipërisë. Figurat qendrore të kësaj lëvizjeje do të ishin Abdyl Frashëri dhe biri i shquar i Çamërisë Abedin Dino.

Seç e tundën Ergjërinë,
Avduli me Abedinë,
Dhe me gjithë pleqësinë,
Miletin në këmbë e ngrinë,
Nga Vlora në Follorinë.
Kërkojmë aftonominë
Për të gjithë Shqipërinë. 

Me ngritjen e “Lidhjes Shqiptare” për degën e Janinës me inisiativë të Avdyl Frashërit dhe Abedin bej Dinos, shqiptarët e Jugut u organizuan jo vetëm për të mbrojtur trojet e tyre por edhe për të ndihmuar luftëtarët e Veriut të Shqipërisë. Në shumë vargje jepen nisiativat jo vetëm për të ngritur në këmbë Jugun, (do ta shohim më poshtë) por dhe veprime konkrete për të shkuar në Veri siç na vijnë vargjet brilante për luftëtarin çam Tahir Meta. 

Tahir Meta në Mazrrek,
Gruas i thotë jamanet,
Jamanet bilat dhe djelt,
Se do shkoj në Prezëren,
Do shkoj tok me Abdul Benë,
Se greku me karadaknë,
Duan vendin të na marrnë.

Ashtu si në këngët e mëparshme, që përjetojnë luftërat, kundër reformave të Tanzimatit ( Bej të stolisi Kadëna /Të veshi armët ë e rënda…Ajde bej tu bëftë e mbarë/ Të luftosh me pashallarë) edhe gratë çame i nisën burrat në luftë deri në Prezëren me “fjalët e rënda”: 

Hilq, o burrë, e udhë e mbarë,
Ik e hiç mos ki siklet,
As për bilat as për djelt,
Se u’ do i kem kujdes,
Më mirë se të jeshe vetë.

Më tej vjen thirrja për të shkuar në Prishtinë e Prezëren, për tu bashkuar me forcat e Ali Pashë Gucisë …

Ra dielli në Bozhur,
Kaha do veç Tahir, o nur?
Pritna Ali (Pashë Gucia) se po arrimë,
Kemi luftë a çish do bijmë. 

Dhe ja sesi përgjigjet komandanti i forcave për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, Ali Pashë Gucia, duke treguar hallin që e ka zënë:

Mirëseardhët burra bujarë,
Ju e dini çish kam hallë,
Kemi luftë me sërbianë….

Një nga veprimet më madhështore të krahinës së Çamërisë ka qenë jo vetëm thirrja për bashkim të krishterë e myslimanë kundër pushtimi grek por sidomos pajtimi i gjaqeve sipas zakonit të lashtë të vëllamërisë. Gjithë krahina e Çamërisë nën thirrjen e “Lidhjes” u ngrit në këmbë me një organizim e përkushtim si kurrë më parë. Ky do të ishte një bashkim dhe vëllazërim i madh midis shqiptarëve. Nga problemet kryesore që duheshin zgjidhur ishte pajtimi midis fiseve që ishin në gjak ( plagë e rëndë kjo e shoqërisë shqiptare ) sipas zakonit të lashtë shqiptar ( me besa-besën) të prerjes së gishtave dhe pirjes së gjakut nga njëri-tjetri . Më 1878 në Çamëri patrioti Ibrahim Parga udhëhoqi fushatën për pajtimin e gjaqeve. E nisi me Ibrahim Hasanin dhe Mete Tahirin. Pajtimet u kurorëzuan me fejesa e krushqi. Në vitin 1878 u bënë mbi 80 fejesa, si shenjë pajtimi deri edhe me fëmijët në bark apo në djep. Ja si na vjen kënga: 

Ra dielli vate drekë,
Shkon Brahimi në Mazrrekë,
Atje na e pritën pleqtë,
Sot i duhen vatanit,
I kështeri e myslimani,
Në dej me gjak shqiptari. 

Mbi këtë nevojë të domosdoshme, mbrojtjen e vatanit, jepet dhe porosia për bashkim: 

Hasmëritë me shoqi-shoqnë,
Që të gjitha t’i harrojmë,
Së bashku të lëftojmë, 
Shqipërinë ta shpëtojmë.

Përfundimi ishte një bashkim i madh i çamëve në praninë e të cilëve u krye pajtimi midis fiseve që ishin në gjak në sheshet dhe qendrat e fshatrave si në Mazrrek, Paramëthi, Margëllëç e gjetkë: 

Të tëra kazatë u lidhë,
Çamërjotë dhjetë milë,
Glishtërit çpuan e gjak pinë, 
Edhe bënë vëllamërinë,
Abdul Frashërit dhanë ikrarë, (vendim)
Kumandar Jakup Çaparë.

Si në veri edhe në jug të Shqipërisë propaganda greke e turke, luante kartën e fëlliqur të ndarjes së interesave sipas fesë (mysliman=turk, i krishterë =grek) për t’i mbajtur shqiptarët të ndarë. Mirpo tashmë ndërgjegja kombëtare dhe ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve ishin në plan të parë me burra e gra, të mëdhenj e të vegjël: 

U lidh besa në kaza’
Hoj në burra, hoj në gra. 

Dhe më tej lufta do të jetë kundër sulltanit dhe grekëve sepse shqiptarët tashmë e kanë një vatan dhe do ta mbrojnë atë:

…Arnaut, turq, kaurë,
Gjithë me dyfek në dorë. 
Nëk duanë sulltanë,
Do luftojnë me Junanë,
Se u ka gjuar vatanë.

Rëndësi të madhe mori organizimi i Kuvendit të Prevezësi, me nismën e Avdyl Frashërit në janar 1879. Presioni i ushtruar mbi Fuqitë e Mëdha dhe sidomos mobilizimi dhe armatosja e mijëra forcave të gatshme për luftë ( veç atyre në Veri të Shqipërisë) e penguan marrjen e një vendimi nga Fuqitë e Mëdha për lëshimin e Çamërisë qeverisë greke. Kjo nga ana e saj vazhdonte t’i bënte presion Portës së Lartë, që të zbatonte menjëherë Protokollin nr. 13 të Kongresit të Berlinit d.m.th të fillonte bisedimet me grekët për të caktuar kufirin e ri sipas vijës Kalamas-Selemvria, që kishin rekomanduar Fuqitë e Mëdha. Konferenca dypalëshe Turqi –Greqi u vendos të mbahej në Prevezë në fund të janarit 1879. Sapo u hap lajmi i mbajtjes së Konferencës Komiteti Ndërkrahinor i Janinës i ftoi të gjithë kazatë e Jugut dhe të Veriut, që të dërgonin përfaqësuesit e tyre në Prevezë për të përcaktuar qëndrimin, që duhej mbajtur në takimin turko-grek. U ftuan përfaqësues të Shkodrës dhe të Prizrenit. Kuvendi i Prevezës u hap më 11 janar 1879 me mbi 400 delegatë si krerë të mbarë Shqipërisë. Kuvendi deklaroi se pranonte rekomandimin e Fuqive të Mëdha për bashkimin e Thesalisë me Greqinë, por se ishin kategorikisht të vendosur për ta kundërshtuar deri në fund lëshimin e Çamërisë, (Vorio Epirit), dhe Janinës mbretërisë greke. Delegatët u shprehën njëzëri se do të kundërshtojnë me armë vendosjen e ushtrisë greke në krahinën e Janinës e Çamërisë. Në Kuvend nga fundi i janarit erdhën dhe delegatë nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Ulqini, Prizreni, Dibra e Novi Pazari. Forcat vullnetare shqiptare i kaluan të 10.000 vetët, veç atyre turke të garnizonit të Janinës. Ashtu si në veri forcat e Lidhjes ishin të gatshme të luftonin njëherësh edhe kundër forcave turke:

Prevezë moj Skelë e parë,
Kërkon hasmi të të marrë,
Natë e ditë të vjen vërdallë,
Me pamporë e me karavë,
Po ka burra shqiptarë,
Avduli me Mustafan ë(pashë Vlora)
Me pamporr zunë davanë,
Me turkun e me Junanë….

Ja si shprehet poeti më tej për atë që donin të realizonin qeveria greke me Sulltanin për portin e Artës:

Shokë po më digjet xhani,
Dha pëlqimin qën sulltani,
Nartënë të na marrë Junani,
Ta çkëputë kaha vatani.

Delegacioni turk arrit në Prevezë në fund të janarit. E kryesonte Ahmet Muhtar Pasha. Në komisionin turk prej tre vetësh merrte pjesë edhe Abedin bej Dino. Qëndrimin e tij në këto bisedime populli e e përjetësoi me vargjet:

Abedin Dinua bajrak,
Evropit çi dhe xhevap,
Vëndin Junanit s’ia jap,
Pa bitur toka me gjak.

Më 28 janar shpërtheu një demonstratë në rrugët e Prevezës, ku kërkohej me forcë Fuqive të mëdha dhe Greqisë të hiqte dorë nga aneksimi i tokave të banuara nga shqiptarët. Përfundimisht Greqisë iu dha Thesalia dhe u hoq dorë nga Çamëria dhe rrethinat e saj. Ishte këmbëngulja e madhe e “Lidhjes” dhe mobilizimi i mijëra luftëtarëve të Jugut, ( Gjithë çamërit u ngrinë/Thonë se duam Gërqinë/S’dahemi me Shqipërinë) që ndaloi vazhdimin e bisedimeve për vendosjen e ushtrisë greke në krahinat e Janinës dhe atë të Çamërisë. 
Sigal