Çako, vizitë në Italinë e Jugut: Bashkëpunim i shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore Italiane

584
Sigal

Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako zhvilloi një vizitë punë në Italinë e Jugut, vizitë kjo e mbështetur nga Misioni i BE-së, PAMECA IV.

Vizita në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore Italiane, si dhe të forcimit të bashkëpunimit akoma më shumë më GdF, për të parandaluar dhe goditur trafikun e lëndëve narkotike nëpërmjet rrugëve detare.

Çako u prit në një takim nga Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza për Rajonin e Pulias Gjeneral Divizioni Vito Augello, i cili  theksoi se ka një shkëmbim në kohë reale të informacioneve duke bërë të mundur evidentimin dhe kapjen e çdo mjeti lundrues që provon të trafikojë në hapësirën detare ndërmjet nesh.

“Tashmë që Guardia di Finanza është titulluar si e vetmja forcë policore në det, ajo ka detyrën madhore të përmbushjes së objektivave të luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe se pa një sistem të mirëngritur do të ishte e pamundur të luftonim fenomenet kriminale”, theksoi ai.

Në lidhje me të ardhmen, të dy palët ranë dakord se kërkohet një angazhim i përbashkët në drejtim të hetimit të aseteve kriminale dhe në këtë drejtim Guardia di Finanza ka një përvojë shumëvjeçare dhe kapacitete operative nga më të mirat.

“Këto kapacitete do të vihen në dispozicion të Policisë së Shtetit për të kryer veprimtari të përbashkëta edhe në këtë drejtim”, theksoi Augello.

Nga ana e tij drejtori Çako shprehu gjithë gatishmërinë e Policisë së Shtetit për të vijuar për këtë bashkëpunim. Drejtori i Policisë së Shtetit e ftoi për një vizitë në Shqipëri, gjeneralin Augelli.

Gjithashtu Çako zhvilloi një vizitë në Shkollën Policisë së Kazertes si dhe një takim me me kuestorin e Barit Gjeneral Brigade Carmine Esposito.