Çako takon homologun gjerman: Frenuam numrin e azilkërkuesve, luftë agjencive që i nxisin

624
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako priti delegacionin e Policisë gjermane të kryesuar nga Dr. Dieter Romann, President i Policisë Federale gjermane.
Gjatë takimit të dy drejtorët e Policisë, kanë theksuar dhe vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin, si dhe kanë shprehur gatishmërinë për ta thelluar më tej atë.
Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako ka njohur Dr. Dieter Romann me prioritetet dhe fokusimin që ka policia shqiptare në drejtim të luftës kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme, Korrupsionit, Krimeve kibernetike dhe Terrorizmit.
“Këto prioritete dhe fokusime të punës sonë janë në orientim të plotë të objektivave të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ne jemi të angazhuar maksimalisht për t’i përmbushur këto objektiva duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Çako.
Drejtori Çako ka theksuar se Policia është e angazhuar maksimalisht për të frenuar fenomenin e azilkërkuesve në vendet e BE-së.
“Falë angazhimit të strukturave të luftës kundër trafiqeve të paligjshme kemi arritur të vëmë nën kontroll disa agjenci turistike udhëtimi të cilat organizonin me anë të mashtrimit udhëtime drejt Gjermanisë. Fluksi është frenuar duke shkuar drejt normalitetit”, nënvizoi Çako.
President i Policisë Federale gjermane ka vlerësuar si shumë të shkëlqyer bashkëpunimin me Policinë Kufitare, duke e cilësuar si një bashkëpunim të nivelit shumë të lartë dhe të besueshëm mes dy policive kufitare. Si rezultat i këtij bashkëpunimi mjaft të shkëlqyer, ai propozoi ekspertizë shtesë për trajnimin e policisë kufitare shqiptare .
Gjithashtu Dr. Dieter Romann ka theksuar se në drejtim të frenimit të fenomenit azilkërkues, autoritetet shqiptare prej shumë kohësh kanë marrë iniciativat e duhura dhe Policia Kufitare po bën punën e duhur.
Ai shtoi se policia gjermane vlerëson punën e palës shqiptare në drejtim të parandalimit dhe frenimit të fenomenit të azilkërkuesit, por edhe të goditjes së fenomeneve të tjera kriminale.
Kreu i policisë gjermane i ka prezantuar Drejtorit Çako, një trilogji masash të marra nga qeveria gjermane për të frenuar fenomenin e azilit: shkurtim të procedurave dhe afateve të azilit; rikthim nga Gjermania në vendet e tyre; bashkëpunim operacional me shërbime të përbashkëta në vendet e origjinës.
Sigal