Çako: Sistemi i radarëve nuk funksionon, po dështojmë në operacionet e drogës

473
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i drejtohet Ministrit të brendshëm me një letër
Trafiku ndërkombëtar i drogës, tashmë ka marrë përmasa të paparashikueshme. Policia e Shtetit është “dorëzuar” përballë një situate të tillë. Numri një i policisë, e cila katër vite me parë premtoi zhdukjen e çdo rrënje kanabisi në vend, ka ngritur duart lart. Megjithatë ai e ka gjetur gabimin dhe fajtorin e vërtetë. Haki Çako shprehet në një letër drejtuar Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj, se shkak për katastrofën e krijuar është bërë mosfunksionimi i radarëve detarë. Kjo letër mban datën 31 gusht. Mësohet se Çako ka informuar Demirajn për situatën në vend dhe për “lumin” e tonelatave të drogës që vërshojnë përmes detit në Itali. Kryepolici i referohet operacionit të mbrëmjes së 11 gushtit, ku forcat e policisë dështuan për kapjen e një gomoneje, që ishte nisur dy milje nga Plazhi i Zvërcenit, për shkak se qendra dha koordinata ta pa sakta të lëvizjes së mjetit detar. Në letër thuhet se: “Mosdhënia e informacionit krijoi konfuzion dhe pati raste kur mjetet që merrnin pjesë në operacion filluan të ndiqnin njëra-tjetrën në hapësirën detare. Pas kapjes së gomones poshtë radarit të qendrës, rezultoi se nga sistemi nuk ishte konstatuar asnjë lëvizje”. Por nuk mbetet me kaq. Kryepolici Çako ngre shqetësim edhe për situata të tjera të ngjashme, që kanë sjellë për pasojë edhe mosndërhyrjen e forcave të policisë. “Në mjaft raste përfaqësuesit e policisë kanë kërkuar kthimin mbrapa të sistemit për ngjarje, me orare dhe data konkrete, të lëvizjes së mjeteve lundruese të konstatuara nga shërbimet e policisë, por në asnjë rast në sistem nuk ishin evidentuar dhe nuk u gjetën gjurmë të dhënash, megjithëse mjetet lundruese të kapura nga Guardia di Finanza në Itali kanë qenë me përmasa që duhet të ishin zbuluar, identifikuar nga ky sistem”, shkruan drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në letrën e tij, Çako thekson faktin se sistemi i vëzhgimit të hapësirës detare nga radarët, ka shfaqur probleme të shumta. “Sistemi i vëzhgimit të hapësirës detare nuk iu përgjigjet nevojave operacionale, për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit detar, dhe nuk bën të mundur identifikimin e mjeteve lundruese. Kjo situatë ka vështirësuar punën dhe shërbimin e efektivave tona në luftën kundër trafiqeve të paligjshme në hapësirën detare”, shkruan Çako. Numri një i Policisë së Shtetit, kërkon nga Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, të ndërhyjë në rrugë institucionale, me qëllim marrjen e masave për plotësimin dhe përmirësimin e cilësisë së parametrave të sistemit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të rritet performanca e policisë së shtetit në luftën antikanabis.


Sigal