Çako firmos marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Kosovës

527
Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimit me Policinë e Kosovës për “Realizimin e Kursit të Trajnimit për Motoçiklistë të Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar”. Çako u prit në Prishtinë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe stafi i tij i lartë. Në këtë takim që kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy institucioneve policore të të dy vendeve, Çako shoqWrohej nga Drejtorët e Përgjithshëm Ardian Çipa, Altin Qato, Genc Merepeza, nga Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola, dhe Drejtori i Antiterrorit, Agron Sojati; si dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit.

Në fjalën e tij Maxhuni tha se “Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat policore, duke ju referuar edhe bashkëpunimit në fushën e komunikacionit rrugor dhe bashkëpunimit kufitar të dy vendeve në menaxhimin e integruar të kufirit. Tani edhe kjo marrëveshje bashkëpunimi që po nënshkruajmë në fushën e trajnimit për motoçiklistë patrullues të trafikut, do të ndikojë edhe më tej në avancimin e bashkëpunimit dhe trajnimeve të ndërsjella”. Ndërkaq, drejtori i Policisë së Shqipërisë, Haki Çako theksoi se “jemi këtu për të trajtuar çështje me interes të përbashkët, të forcojmë më tej bashkëpunimin dhe për këtë ju siguroj se do të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha strukturat e Policisë së Kosovës, në të gjitha fushat për të krijuar siguri për qytetarët e dy vendeve si dhe terren të pasigurt për Krimin. Ne e vlerësojmë këtë memorandum dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në realizimin e trajnimeve të tjera me interesa të përbashkëta”.

Gjatë takimit i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, të dy krerët e Policisë u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy policive, si dhe avancimin e përbashkët në fushën e luftimit të krimit, krimit të organizuar, atij trans-kufitar dhe realizimin e trajnimeve të përbashkëta policore në fusha të ndryshme.
Sigal