Çahet rrjeti i brendshëm 40-vjeçar, Ujësjellësi nuk ka fonde për riparim

733
Sigal

BERAT/ Ndotet uji i pijshëm. Flet drejtori, Fatmir Shehu: “Terreni malor favorizon problemet. Masat duhen marrë para dimrit”

Si pasojë e amortizimit është çarë sërish rrjeti i brendshëm i Ujësjellësit në Berat. Ky rrjet është vendosur që para 40-vjetësh dhe e ka të pamundur të përballojë presionin e ujit që vjen nga vendburimi i Bogovës. Gjendja është vërtet alarmante, sepse në ato linja që ka dëmtime të rrjetit, uji po shkon i ndotur nëpër familjet e qytetarëve beratas. Nga ana tjetër në një prononcim për gazetën, kreu i Ujësjellësit bëri me dije se çarjet e tubacioneve janë bërë të shpeshta dhe se është e domosdoshme ndërhyrja për zëvendësimin e tij. Këto masa duhet të merren para se të fillojë stina e dimrit, pasi dihet që shirat sjellin dëmtime të tjera, për shkak të rrëshqitjes së tokës, sepse tubacionet janë shtrirë në terren malorë, në zonën e Skraparit.

Gjendja 

Mungesa e fondeve ka bërë që drejtuesit e Ujësjellësit të mos kenë mundësi financiare që të investojnë në rrjetin e brendshëm. Burime nga Ndërmarrja e Ujësjellësit Rajonal të Beratit, bëjnë të ditur se, rrjeti i brendshëm i ujësjellësit është tejet i amortizuar dhe si rrjedhojë një pjesë e tij është çarë, gjë, e cila ka sjellë dhe ndotjen e ujit të pijshëm. Drejtuesit e ujësjellësit shprehen se, aktualisht rrjeti që shërben për shpërndarjen e ujët të pijshëm në qytet është mbi 40-vjeçar. Ky rrjet është i instaluar në qytetin e Beratit, por edhe në Kuçovë. Madje, është për t’u theksuar se, një pjesë e rrjetit të ujësjellësit në qytetin e Kuçovës është vendosur që në kohën e Italisë. Por edhe tubacioni kryesore që shërben për marrjen e ujit nga vendburimi i Bogovës është amortizuar plotësisht, pasi ai ka 25 vjet që është vendosur.

Masat që duhen marrë

Drejtori i Ujësjellësit Rajonal, Fatmir Shehu u shpreh për gazetën “Telegraf” se, situata do të përkeqësohet, edhe më shumë me ardhjen e stinës së dimrit. “Jemi përballë një situate të vështirë, tashmë që dhe stina e dimrit po troket dhe tubacioni kryesor ndodhet në terren të vështirë. Madje, një pjesë e mirë e tubacionit dëmtohet vetëm për shkak të rrëshqitjes së tokës. Problematike më shumë është zona e Skraparit, ku terreni është i thepisur. Dhe sigurisht nga shkarjet e dherave dhe amortizimi, ka bërë që tubacioni të mos i rezistoje faktorëve natyrore. Edhe pse kemi këto mungesa Drejtoria e Ujësjellësit ka marrë masa që në rastet të tilla të eliminojë shumë shpejtë defektet e shkaktuara nga natyra dhe amortizimi”, ka thënë Shehu. Burime nga kjo drejtori, bëjnë të ditur se, nga ato pak të ardhura që grumbullohen nga ujësjellësi janë të destinuara që të rezervohen në raste dëmtimesh të tubacioneve. Madje ka patur dhe raste që tubacionet janë çarë nëpër lagjet, sigurisht që, ka patur dhe rreziqe të bashkimit të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, por këto janë eliminuar shumë shpejtë nga ndërmarrja. Gjithsesi, ujësjellësit janë në krizë për fonde. “Fondet, do të na shërbenin për blerjen e tubacioneve dhe me këtë rast do të bënim zëvendësimin e atyre që janë dëmtuar”, tha Shehu.