Busti i Abas Aliut në “Olimpin” e Tomorit

1019
Sigal

SKRAPAR/ Dy emigrantë shqiptarë në Itali kanë shpenzuar mbi 40 mijë euro për të derdhur në bronz statujën

Nëse shkon në malin e Tomorit, në lartësinë 2416 metra mbi nivelin e detit që është kulmi i tij, të duket vetja sikur fluturon dhe sigurisht që të kap madhështia e fluturimit. E tërë Shqipëria është përpara syve të tu. Kur erret shquhen edhe brigjet e Pulias së Italisë. Në këtë vend prehet Abas Aliu, një klerik bektashi, që me emrin e tij mundohet të njësojë këtë vend të shenjtë të lashtë duke i dhënë ngjyra fetare. Për nder të tij, dy emigrantë që jetojnë në Itali, me të ardhurat e tyre kanë përgatitur dhe më pas kanë vendosur bustin e Imam Aliut në majën më të lartë të malit të Tomorit, një nga vendet më të vizituara nga pelegrinët shqiptarë nga të gjitha trevat. Kështu vazhdon tradita e vjetër pellazgo–ilire duke u gërshetuar me traditën e re bektashiane pa prishur ritin pellazg të kurbanit me gjak të pastër, që lan mëkatet. Baba Tomorri ka kaluar nëpër tre kulte shqiptare: atë pagan, kristian dhe mysliman. Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhjen e shekujve të ndërrimeve fetare duke gëzuar një pjesë të veçantë të botës shqiptare. Ai ka fituar atributet e malit të shenjtë. Fakti që, ky mal në gojëdhënat popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në lartësinë romantike përfytyrohet si “Olimpi” shqiptar. Poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë të të gjithë kohërave kanë kënduar dhe shkruar për Baba Tomorri, si: Naim Frashëri, Kristoforidhi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Hilë Mosi, etj..

BUSTI E IMAM ALIUT NË KALË

Sapo kalon zonën e Novajt dhe futesh në atë të malit të Tomorrit, menjëherë syri të zë një bust gjigand: një kalë dhe mbi të qëndron si një kalorës, i cili është vendosur në majën më të lartë të malit të shenjtë. Abas Aliu, pas gjurmëve të lëna qindra vjet më parë që tregojnë ardhjen e tij në këtë vend, tashmë ai është i derdhur ne bronz dhe qëndron në mes të malit, pikërisht aty ku ndodhet vendi i shenjtë i perëndisë. Sipas banorëve të kësaj zone, mësohet se dy djemtë emigrantë në Itali prej disa vjetësh, por djem të kësaj zone dhe besimtarë, kanë marrë rrugën dhe kanë ardhur disa kohë më parë se të zhvillohej festa e kulmakut. Ata në shenjë besimi kanë marrë një vendim për ta derdhur në bronz Abas Aliun. Sipas banorëve të zonës së Ujanikut, dy djemtë nga kjo zonë kanë parë vendin se ku do të vendosej busti. Ata me vete kishin marrë dhe skulptorin nga Italia. Më pas ata largohen në drejtim të Italisë, për të bërë fakt të kryer premtimin e dhënë. Ata kanë realizuar bustin duke e derdhur në bronz në qytetin e Venecias. Skulptori italian e ka derdhur në bronz Abas Aliun. Kali është 5 ton bronz, 4 metra i lartë dhe tre metra i gjerë. Pas derdhjes ata e kanë transportuar për në vendlindje. Me shumë sakrifica busti ka përfunduar në “malin e shenjtë”, në Tomor. Burimet bëjnë të ditur se, busti ka kushtuar 40 mijë euro. Busti prej bronzi për të shmangur shkarkimit natyrore si rrufetë, janë vendosur dhe rrufe pritëse, pasi metali prej bronzi sulmohet shumë nga shkarkimet e rrufeve. Burime nga bashkia e Poliçanit, bëjnë të ditur se këtij busti gjigand që afërsisht përngjan me bustin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, do të shtohen dhe disa objekte të tjera të domosdoshme, si instalimi i ujit pijshëm, thertore të parametrave bashkëkohore, shtrimi i rrugëve, por nuk do të mungojnë edhe ndërtime turistike për t’u ardhur në ndihmë pelegrinëve, vitin e ardhshëm dhe në vazhdim.