Bushati takohet me Darmanoviç; Shqipëria dhe Mali i Zi shtojnë bashkëpunimin

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka pritur këtë të hënë në Tiranë homologun malazez Srdjan Darmanoviç, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe.

Në fjalën e tij, ministri Bushati ka vlerësuar se, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe mund të shërbejnë si eksperiencë edhe për marrëdhënie me shtete të tjera në Ballkan. 

“Kemi diskutuar për fuqizimin e marrëdhënieve sepse është në interesin e dy qeverive tona për t’i dhënë fuqi këtij zhvillimi, sidomos për modernizimin e pikave kufitare”, ka thënë Bushati. 

Gjithashtu, në fokus të diskutimeve, sipas shefit të diplomacisë shqiptare, ka qenë edhe bashkëpunimi brenda suazës së NATO-s. Në këtë drejtim ai ka theksuar se, “Shqipëria ka qenë një vend mbështetës për Malin e Zi”. 

“Përshëndesim koalicionin qeverisës në Malin e Zi dhe platformën qeverisëse, pasi është në mbështetje të shqiptarëve të Malit të Zi”, ka thënë më tej Bushati. 

Nga ana e tij, ministri Darmanoviç ka falenderuar Shqipërinë për mbështetjen në procesin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe sikurse Bushati është shprehur i gatshëm për avancimin e marrëdhënieve reciproke. 

“Vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë për në NATO. Anëtarësimi është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Jam i kënaqur të them se ne po i avancojmë marrëdhëniet”, ka thënë Darmanoviç.

Ai ka shtuar se, Mali i Zi pret të bëhet anëtar me të drejta të plota i Aleancës brenda fundit të vitit.