Burrel/ Gërmadha e rrugës Shëlli-Macukull figuron e “përfunduar”

748
Në vitin 2012, prej ish-komunës Macukull u tenderua rruga që lidh një zonë rurale skajore si fshati Shëlli të rrethit të Matit, me rrugën kryesore në qendër të komunës Macukull e madje edhe me aksin e rrugës kryesore nacionale, që lidh qendrën e rrethit Mat me qytetet e tjerë nga të dy skajet. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor që shtrihet nga fshati Shëlli e deri në Macukull, ishte një lajm I shumëpritur për banorët e zonës, të cilët e kishin “ëndërr” rrugën, mbasi vuanin prej mungesës së saj, duke ecur vetëm në këmbë, ose me kafshë, të bllokuar për shërbime të shpejta në treg, shëndetësi, arsimim e gjithçka që kërkon një jetë normale! Mirëpo çfarë ka ndodhur?

 Rruga që u financua dhe nisi ndërtimin me “dash kurban” nga firma, me bujë propagande politike nga kryesia e komunës dhe me ndihmë e “festë fshatçe” nga banorët… nuk u ndërtua, por u la gërmadhë edhe pse shteti ka akorduar aq milionë lekë fonde, sa sipas ekspertëve kjo rrugë mund të ishte ndërtuar 2 herë, madje edhe si pedonale! Kujtojmë, që në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 34, datë 27 Gusht 2012 është shpallur njoftimi për zhvillimin e tenderit “Procedurë e hapur elektronike”, me objekt prokurimi “Ndërtimi i rrugës së fshatit Shëlli, pra Lidhja e fshatit Shëlli me fshatin Shqefën dhe Macukull, me fond limit 22 milionë, 835 mijë e 109 lekë pa TVSH, ose afro 270 milionë lekë me TVSH, ku për pjesën e mbetur (3 muaj) të vitit 2012, financimi do të ishte 1 milionë, 660 mijë e 660 lekë pa TVSH, ndërsa pjesa tjetër e financimit, niste në janar 2013 e në vazhdim deri në përfundim të zbatimit të projektit rrugës. 

Sipas kriterit të këtij investimi të paracaktuar në njoftimin e Komunës dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, afati i mbarimit te punimeve të ndërtimit të kësaj rruge nga firma fituese ishte 180 ditë kalendarike, me këtë kusht: Afati 180 ditë ishte i detyrueshëm për zbatim, pavarësisht nga financimi i objektit. Data e zhvillimit te tenderit ishte 17. 09. 2012, ora 12:00 në zyrat e Komunës Macukull. Tenderi u zhvillua, u fitua nga firma që përzgjodhi ish-komuna dhe filluan punimet… Pasi u bënë disa gërmime dhe u krijua një rrëpirë disa kilometra “baltë e kuqe” që nuk e çanin dhe nuk e çajnë dot as mushkat e cila është edhe sot e tillë, pas 20 ditësh punimet u ndërprerë! Firma i la në mes të rrugës gërmadhë një ekskavator, ndoshta si shenjë shprese e besimi për banorët e zonës se “punimet do rinisnin” dhe iku e nuk u duk më. Pas disa kohë pritjesh, të gjendur përballë faktit që firma ndërtuese u shkatërroi dhe atë rrugë që u kishin lënë stërgjyshërit brez pas brezi, i dërguan një ankesë me shkrim ish-kryetarit të Komunës Macukull, zotit Skënder Gjuci, duke e shoqëruar edhe me një denoncim në policinë e Matit, me akuzën ndaj firmës (ç)ndërtuese “Për mashtrim dhe shkatërrim prone publike të komunitetit”! Sot jemi në mars të vitit 2016, ose më saktë 43 muaj pas zhvillimit të tenderit të ndërtimit të kësaj rruge dhe 41 muaj pas fillimit të punimeve të (mos)ndërtimit të rrugës Shëlli-Shqefën-Macukull. Pamjet e rrugës së lënë pa u ndërtuar, flasin vetë dhe nuk duan koment, por vetëm përmendjen e një realiteti: Për shkak të kësaj rruge gërmadhë ku me vështirësi kalojnë edhe bagëtitë e kafshët, banorët po largohen nga kjo zonë e braktisur prej shtetit. Kreu i bashkisë së re të Burrelit, pas kërkesave të shumta të banorëve të zonës, ka premtuar se do të ndërhyjë urgjent për të përfunduar punimet e kësaj rruge, por sipas tij… duhen fonde! Në fakt fondet janë dhënë e mund të detyrohet firma të shkoj dhe të përfundoj punimet dhe kjo është detyrim ligjor për një punë të paguar, por të pa kryer. Sot po publikojmë disa pamje të kësaj rruge, të dërguara në redaksinë e gazetës “Telegraf” nga banorët të zonës, të cilët kërkuan të publikojmë shqetësimin e tyre i cili nuk po gjen asnjë zgjidhje nga pushteti lokal e ai qendror!
Sigal