Burra të “fortë “dhe gra që vrasin

756
Sigal

Xhoi Jakaj

Doktoreshë Shkencash

Nga burrëria vjen gjithçka, deri tek vrasjet e vajzave të grave pa iu “dridhur qerpiku”. Duke lënë edhe pjellën e tyre në mëshirë të fatit mes katër rrugëve. Pikërisht, kjo burrëri e “injektuar” që në vegjëli nga “burrat” e shtëpisë dhe gra që rrisin djem të fortë për pushkë por jo për pendë sjell këtë amulli në shoqërinë shqiptare ku vrasjet janë shpeshtuar pafund… Në shumë vende të Shqipërisë mentaliteti i thekur, burrëria, pushka, mohimi, sundimi, mosrespektimi, e shumë fjalë të tjera mbizotërojnë në çdo ditë të jetës, e këto bien mbi femrën, dhe fëmijët e pafajshëm “Burra”, që vrasin ndërkohe duhet të ishin shtylla e shtëpisë. Dje dëgjuam një rast të vrasjes së një burri nga gruaja e tij në gjakftohtësi, kjo grua nënë e një vajze e një djali ka udhëtuar dy orë me makinë e në qetësi pa bujë ka vrarë bashkëshortin, vrasje e pajustifikueshme cilado qoftë sjellja e burrit që gjeti vdekjen nga arma e bashkëshortes dhe tani rezultojnë dy fëmijë jetimë, me baba të vdekur nga dora e nënës e kjo e fundit pas hekurave. Kam drejtuar një burg grash dhe kam parë vepra penale të formave të ndryshme dhe gra që kanë vrarë burrat në gjaknxehtësi apo në rrethana vetëmbrojtjeje dhe jo vetëm, i kam ndihmuar të rehabilitohen, por kurrë nuk e përligj një vrasje, sepse kur vret je vrasës/e dhe, për me tepër kur je prind ke vrarë dyfish, edhe fëmijët e tu, të cilët dramën e vrasjes së prindit nga prindi tjetër nuk e harrojnë, as s’e fshijnë kurrë nga memoria e as veprimtaria e jetës së tyre. Mendohuni mirë para se të sillni fëmijët në jetë, ju o burra të fortë, por dhe ju gra të brishta ose të forta, mos pranoni dhunën e gjeni zgjidhje të çfarëdo lloj forme e mënyre, por kurrsesi të vrisni. Kur bëhesh prind ke përgjegjësi të madhe mbi supe dhe jetën e fëmijëve të tu, ata që gjithmonë janë të pafajshëm. Ju gra keni në dorë të edukoni djalin dhe vajzën në mënyrë të barabartë. Dikur nëse lind një djalë ishte gëzim i madh, shtylla e familjes, trashëgimtari i pasurisë, e padyshim që ndodh e kundërta, nëse nusja e shtëpisë sjell në jetë një vajzë. E shohin gruan me një sy urrejtjeje, fajtore, a thua se ajo e ka në dorë gjininë e fëmijës. E çojnë inatin deri aty sa gjyshi mbesën nuk e merr në krahë, babai nuk ledhaton të bijën, vjehrra e sheh nusen si një ‘ogurzezë’, sepse tani i mbyllet dera e shtëpisë. Nusja trajtohet si një ‘plaçkë’ nga të gjithë. E përveç këtyre vajza e ardhur në këtë botë nuk rritet si djali. Ka akoma…. Mentalitetin e mykur të “Burrërisë” nuk e sjell nusja nga dera e babait, andej nga vjen, atë e krijon dera e burrit, në familjen e tyre, edhe pse koha kalon, vështirë se fashitet kjo mendësi? Që në vegjëli, shoqëria na mëson të ndajmë lodrat fëmijëve tanë. Pistoleta, makina, motorë, i përkasin djemve. Jemi ne, shoqëria që iu blejmë lodra të atilla, ne i ‘djallëzojmë’ djemtë, ndonëse me të tilla lodra pa vlerë. Iu mësojmë djemve se ata duhet të luajnë me ato lodra, jo motrat e tyre. Djemtë tanë nuk i marrin motrat në grupet e tyre shoqërore, se janë vajza e ato flasin gjuhë tjetër, e hera-herës me zhargon rruge. Motra duhet të qëndrojë në shtëpi, e në shumë raste të mos kalojë as pragun e derës. Vajzat që të vogla duhet të luajnë me kukullat ‘Barbie’, me shoqet e saja. Që 6-vjeç përpiqemi t’iu mësojmë punët e shtëpisë, që t’iu bëhet kulturë. T’i shtrojë babit bukën kur vjen i lodhur nga puna, vëllait t’i përgatisë detyrat për nesër e shumë e shumë urdhëresa pune, edhe pse nuk u lumturua askush kur erdhi në këtë botë. Fenomeni i “nënvlerësimit” pasohet nga nëna tek vajza, nga burrat e shoqërisë sonë. Vëllait, me urdhëresë nga babai e nëna i jepet detyrë ndaj motrës për të vëzhguar çdo lëvizje të saj. Ku shkon, kur del, me kë shoqërohet. Të mos bëjë asnjë gabim e të jetë e ‘pastër’ deri kur të shkojë në derë të ‘huaj’, se në të kundërt e ka jetën në fije të perit, e shkon deri tek marrje jete. Studimet dhe monitorimet e fundit të medias, kanë rezultuar me shifra të larta të vrasjeve të vajzave në sekuenca të afërta kohore nga sedra e sëmurë e “burrërisë”. Për arsye idioteske si dashuri pasionante, xhelozi, humbje e moralit, nderit të familjes etj. Burrat vrasin vajzat, nënën e fëmijëve, gratë e tyre. Gruaja, viktimat që numri rritet në kohë rekord. Në vetëm gjashtë mujorin e fundit, raportohen në polici raste të dhunimit, kërcënime, kanosje, përdhunime, vrasjet pasionante e deri tek ato me pagesë. Raportohen raste të vrasjeve vetëm për një fjalë goje, ku gruaja ka kundërshtuar burrin. Vetëm para pak ditësh u përgjakën rrugët e kryeqytetit, ish-i dashuri Xhafer Mata i merr jetën padrejtësisht Xhuljeta Çunit, e duke i dhënë fund jetës edhe vetë autori. Para 6-muajsh, një tjetër ngjarje tragjike, ish-i dashuri Aldison Belulaj i mori jetën Ariela Muratit. Të dyja rastet ku vajzat kanë kërkuar mbrojtje në polici, e kjo e fundit hesht. Vetëm pse vajzat nuk kanë pranuar me “Jo” dashuritë mizore të tyre. Shoqëria dhe institucionet shtetërore nuk ngrenë zë, alarmi ka rënë e po bie. Familja po shkërmoqet dhe humbet formën e saj për të cilën ka misionin e saj.