Burgu i Zaharisë, ‘Kampi i përqendrimit i të sëmurve mendor’, Skëndaj: Shqipëria ka djegur fondet e BE-së

624

 

Mungesa e një Spitali Psikiatrik Ligjor ka detyruar shtetin shqiptar të
burgosë qindra persona. Megjithëse është shkelje ligji, në burgjet shqiptare
janë rreth 200 persona që mbahen të izoluar. Të sëmurët mendorë që bëjnë krime
duhet të izolohen në një spital ligjor, por mungesa e një institucioni të
tillë, ka sjellë që këta persona të mbahen në burgun e Zaharisë në Krujë dhe në
Spitalin e Burgut në Tiranë.

Rreth 120 persona, për të cilët gjykata ka
vendosur masën shtrim në Spitalin Psikiatrik dhe shtrim i detyruar, qëndrojnë
në Zahari, i cili ngjason më shumë si një “kamp përqendrimi” sesa një
spital psikiatrik ligjor.

“Fiks Fare” risolli edhe njëherë
historinë 20-vjeçare të mungesës së këtij spitali, duke marrë shkasë nga
ngjarja e rëndë në fshatin Palasë.

Më 17 gusht, i sëmuri mendor Jorgo Zani, me
kartelë mjekësore, masakroi nipin e tij 12-vjeçar. Ai banonte vetëm pak metra
larg familjes së të miturit. Banorët e zonës fajësojnë për këtë krim
institucionet shtetërore, që nuk morën masa, por edhe familjen e cila nuk e
kontrollonte.

Institucionet shtetërore u kujtuan vetëm pas
vrasjes makabre. Një autoambulancë mblodhi të sëmurët mendorë dhe i dërgoi në
Spitalin Psikiatrik në Vlorë “Ali Mihali”.


sëmurët mendorë izolohen në burg!

Po a ka shteti shqiptar një institucion për ti
izoluar këta persona? Fatkeqësisht jo. Një nga institucionet ku mbahen këta
persona është burgu i Zaharisë, i cili është 4 kilometra larg qytetit të
Krujës. Megjithatë, një automjeti i duhen 30 minuta për ta përshkuar. Rruga
është e shkatërruar, plot gropa dhe në terren të thyer. Burgu është në një zonë
të shkretë dhe shumë i izoluar. Familjarët prenotojnë taksi për të shkuar të
takojnë të afërmit e dënuar, apo ata që janë me masën mjekim i detyruar dhe
shtrim në spitalin psikiatrik.

Autoambulanca e burgut ishte e vjetër, fenelina
ishte thyer, ndërsa gjendja e saj ishte e shkatërruar. Nga burgu del një një
gomar, i ngarkuar me dru, ndërsa ajo që duket me sy të lirë është godina e
shkatërruar e IEVP Krujë. Ekipi i gazetarëve të Fiks Fare futet brenda burgut,
ndërsa si për të gjithë, kontrollohen nga gardianët. Këta të fundit
kontrollojnë edhe njëri-tjetrin.

Pas disa metrash, fillojnë të shfaqen pamjet e
para të burgut-sital: lagështirë, mure të shkatërruara dhe dysheme e pisët.
Kamera e Fiks Fare sjell edhe pamje të qelive, ndërsa disa persona, për të
cilët gjykata ka vendosur masën shtrim në spitalin psikiatrik apo shtrim i
detyruar. Disa persona mbulohen me batanijë, ndërsa të tjerë dalin në zgavrat e
hekurit të derës dhe përshëndesin ekipin e gazetarëve.

Disa prej këtyre personave bisedojnë me
gazetarët. Njëri prej tyre thotë se ka tentuar të vrasë veten disa herë, ndërsa
një tjetër tregon edhe “bëmën” e tij. “Jam këtu se bëra një
gjest të gabuar, hyra në një bankë dhe u kërkova 20 mijë euro. I doja për të
ngrënë bukë. Nuk kisha armë. Hyra se kështu më tha mëndja” tregon personi.

Një tjetër tregon se në këtë institucion nuk ka
asnjë vënd ku të kalojë kohën, nuk ka kënd sportiv. Ai thotë se qëndron veti i
7 në dhomë. Pak metra më tutje, një person për të cilin gjykata ka vendosur
shtrim në spitalin psikiatrik thotë se “shiko çfarë hamë, s’ka asnjë shije
(tregon pjatën me ushqim, është oris me patate, ngjyrë e bardhë)”.

Kryegardiani i IEVP Krujë, Lulzim Haxhia,
tregon për Fiks Fare se në institucionin që punon ka të dënuar nga 45 deri në
80 vjeç. Sipas tij, janë 120 persona për të cilët gjykata ka dhënë masën shtrim
në spital. Janë rreth 20 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe pjesa tjetër për
krime të tjera. Ai tha se pozicioni ku ndodhet IEVP Krujë nuk u mundëson
rehabilitimin e kësaj kategorie, për shkak të largësisë. Më pas shton se pjesa
më e madhe e këtyre personave janë braktisur nga familjarët, për shkak se kanë
kryer krim në familje.

Totozani:
Zaharia duhej të ishte mbyllur dje!

Në Ministrinë e Drejtësisë, në Drejtorinë e
Burgjeve, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ndodhet një rekomandim i
fundit i Avokatit të Popullit. Fiks Fare disponon një kopje të këtij raporti,
ku rekomandohet mbyllja e burgut të Krujës. ” Avokati i Popullit, kreu një
inspektim të përgjithshëm në IEVP Zahari Krujë më datë 24.02.2016. Vazhdon të
mbetet një institucion, i cili me një distancë 4 km në juglindje të qytetit
përbën si problematikë të theksuar rrugën tejet të amortizuar. Mbetet akoma një
shkelje flagrante e ligjit, si dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare
mbajtja në këtë institucion e personave me masën mjekësore mjekim i detyruar
ose shtrim i përkohshëm. Ngritja e Institucionit Mjekësor të Posaçëm, do të
mundësonte vuajtjen e dënimit të kësaj kategorie personash në këtë institucion
duke ofruar kushte dhe një shërbim mjekësor të denjë për ta” thuhet në
këtë raport, sipas së cilit lagështia, amortizimi, higjiena, prezenca e
insekteve, tualetet e dushet me kushte shumë të këqija higjieno sanitare.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan edhe me Avokatin
e Popullit. Zoti Totozani tha se institucioni i Zaharisë duhej të ishte mbyllur
dje! Sipas tij, është e pafalshme që persona që nuk janë të dënuar të qëndrojnë
në qeli të mirfillta burgu. Ai shton se, prej 15 vitesh, institucioni i
Avokatit të Popullit ka bërë rekomandime për ngritjen e Spitalit Psikiatrik
Ligjor, por deri më tani nuk ka asnjë reagim nga institucionet përkatëse
shtetërore. “Më ka shkuar buza prapa kokës” thotë Totozani, ndërsa,
ka shpresë se një institucion i tillë do të ngrihet, i diktuar fortë nga BE-ja.

Skëndaj:
Shqipëria ka djegur fondet e BE-së

Fiks Fare bisedoi edhe me zonjën Erinda
Skëndaj, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. “Shteti shqiptar, prej më
shumë se dy dekadash ende s’ka gjetur një zgjidhje për personat me mjekim të
detyruar. KSHH ka identifikuar një rast konkret, të cilin e kemi çuar në
Gjykatën e Strasburgut, ku kërkojmë të ndërpritet kufizimi i lirisë. Këta
persona nuk janë të dënuar. Institucioni i Zaharisë në Krujë, ku mbahen këta
persona, është në kushte të këqija, për shkak të lagështirës dhe kjo është
kontsatuar në progres raportin e KE-së. Në të thuhet se Shqipëria s’ka bërë
asnjë progres përsa i takon ngritjes së një institucioni të përshtatshëm
mjekësor për këta persona. Bashkimi Europian para disa vitesh akordoi një fond
të konsiderueshëm për ngritjen e këtij institucioni dhe su mor vesh përse nuk u
ndërtua. Cilat ishin problemet që u hasën, u hapën procedura tenderimi, i
caktua edhe vëndi ku do ndërtohej. Ky fond është djegur” thotë
Skëndaj. 

Sigal