Burgjet shqiptare si “han pa porta”; në 2 vjet, 11 vetëvrasje

658
Ngjarja e dy ditëve të fundit, ku 49 vjeçari nga Elbasani u vetëvar në një qeli të Sektorit të Kujdesit të Veçantë, tregon sa të pasigurta janë qelitë dhe përgjithësisht burgjet shqiptare. Shtetasi Fatmir Myftari, banor i Elbasanit ishte dënuar me 20 vjet heqje lirie dhe i kishin mbetur edhe 6 vjet e disa muaj që të rikthehej në qytetin e tij, nga ku ndoshta do të kishte pësuar zhgënjime të tjera. Kjo pasi sipas burimeve nga burgu Peqinit dhe pikërisht nga dy policë të atij institucioni “ai kishte vite që nuk vizitohej nga familjarët, rrinte vetëm, kishte shfaqur frikë, ankth dhe kurohej, kurse në 10 ditët e fundit ai thërriste, “më rrezikohet jeta, më ndihmoni”. Ndoshta fare rastësisht dy policët e burgut të Peqinit i kam takuar në aksin rrugor nacional, tek prisnin pas turnit të natës, ndonjë makinë të rastit, t’i afronte pranë banesës së tyre. Të lodhur, të drobitur, të ndotur nga shërbimi i turnit të tretë, dy policët kishin afro 45 minuta që prisnin makinat e rastit, por duket se fati nuk ishte me ata.

 Duke u takuar fare rastësisht, ata sikur kishin pritur momentin të shfrynin ndaj detyrës, kushteve të punës, trajtimit dhe të tregonin edhe rastet e dhimbshme të cilat i përjetonin çdo ditë dhe çdo natë në qelitë dhe korridoret e atij burgu. Ndoshta ishte koincidencë, por ata, gjatë minutave që u takuam e përmendën faktin se “kemi nja 10 ditë që kemi zënë belanë me një të dënuar nga Elbasanit, e kemi izoluar edhe në qelitë e Sektorit të Kujdesit të Veçantë, mbeti duke thirrur, duan të më vrasin, më ndihmoni, jam në rrezik jete, ndoshta shikon ëndrra i shkreti”. Kaq ishte kjo pjesë e bisedës, që do të më kujtohej fare mirë, kur u dha lajmi nga Drejtoria e Burgut Peqin se “u gjet i vetëvarur 49 vjeçari nga Elbasani Fatmir Myftari”, madje ky institucion jepte edhe disa “shpjegime” të vetat, sipas të cilave “personi kishte shfaqur shenjat e depresionit”. Por njëherësh lindin disa pyetje. E para, përse nuk e ruajtët sipas rregullores në dhomat e Sektorit të Kujdesit të Veçantë, por e latë derisa u “vetëvra”? E dyta, kur ndodh një ngjarje e tillë në dhomat e Sektorit të Kujdesit të Veçantë, e mendoni se çfarë mund të ndodhë në qelitë e komisariateve, apo qelitë e tjera të zakonshme të burgut të Peqinit, Rrogozhinës, Fushë Krujës, Drenovës, në Paraburgimin e Metalurgjikut në Elbasan, apo edhe në burgjet e tjera të vendit? Konkluzioni mbetet logjik dhe nuk ka nevojë për moral dhe teori të tjera, siguria në burgjet tona mbetet zero. 

Vetëvrasjet në qelitë shqiptare

Mjafton të shfletosh statistikat zyrtare dhe do të konstatosh se “në dy vitet e fundit janë “vetëvrarë” në qelitë e burgjeve të vendit 11 persona, duke mos llogaritur ata që pasi marrin leje shpërblimi nga drejtorët, gjenden me ndonjë plumb ballit në kanal nga hasmit e tyre, si rasti i ndodhur para disa muajsh në aksin rrugor Rrogozhinë-Kavajë, apo edhe raste të tjera”. Problemi i sigurisë në burgjet tona mbetet një hall i madh i familjarëve të personave të dënuar, por edhe një njollë e zezë e strukturave drejtuese, të cilat vetëm sa emërtojnë “Sektorët e Veçantë” dhe asgjë tjetër, gjithçka mbetet e pandryshuar, duke mos zbatuar rregulloret strikte të burgjeve. Sikur të mos mjaftonte mungesa e sigurisë, policëve që u duhet të përballen me probleme të ndryshe brenda mureve dhe korridoreve të burgjeve, u duhet të përballojnë vetë, nga xhepat e tyre edhe blerjen e uniformës, madje edhe të stemave që ngjiten në pjesë të ndryshme të saj. “Stemat, këmishat, kapelat, bluzat, këpucët, gjithçka e blejmë vetë, asgjë nuk na japin, por na thonë “shkoni në Tiranë dhe blini atje tek dyqanet tona me kartë identiteti, po mungoi uniforma hiqet dita punës, ose edhe ikën nga vendi punës”. Ky realitet kaq përçudnues në burgjet tona, ndoshta është i denjë me realitetet e burgjeve në Ekuador apo San-Salvador, ku mungon pothuajse fare, siguria. Ka ardhur koha të ndryshojë gjithçka, t’i jepet dinjitet policit të burgut, dhe kjo nis nga uniforma që e jep shteti, tek trajtimi njerëzor që u bën atyre duke mos i lënë rrugëve kur mbarojnë turnin e natës dhe mbaron tek siguria e të dënuarve, për të mos e kthyer burgun në ferr, paçka se i tillë mbetet për sa kohë çdo i dënuar kalon vitet e shlyerjes së fajit dhe krimit që ka bërë. 
Sigal