Bulqizë, ujësjellësi përfshihet nga skandalet, lagjet pa ujë të pijshëm dhe punonjësit pa rroga

516
Sigal

KRONIKA/ Defekti nuk riparohet me pretekstin se nuk ka fonde, ndërsa të punësuarit kërcënohen me largime nga puna

Ditën e djeshme rreth orës 08:00 të mëngjesit dy lagjet më të vjetra të qytetit të Bulqizës kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Sipas banorëve, uji është përzier me ujërat e zeza, gjë, e cila e ka bërë të pakonsumueshëm këtë të fundit. Të përfshirë në këtë situatë janë lagjet “Minatori” dhe “Gjeologu”, të qytetit. Me të drejtë, qytetarët të irrituar i kanë kërkuar shpjegime drejtorit të Ujësjellësit, por ai i ka njoftuar se nuk ishte i informuar. Ndërsa në orët e pasdrekes, po ky burim bën të ditur se, shkak për gjendjen e krijuar është bërë një ndërhyrje në rrjet nga një firmë private, e cila kishte çarë tubacionin. Gjendja ende nuk është normalizuar dhe mbi të gjitha fajin nuk e pranon askush edhe pse të dëmtuar në këtë rast janë qindra banorë të dy lagjeve kryesore. Nga ana e Ujësjellësit as nuk pretendohet që të merren, masa për të rregulluar defektin, pasi sipas drejtuesve nuk ka fonde dhe materiale për të kryer riparimin, qoftë edhe përkohësisht.

Pagesat e rojeve

Firma që merret me sigurimin e rojeve, e njohur në Bulqizë me emrin “Mehdi Makeshi”, nuk ka paguar rojet e Ujësjellësit për gati 10 muaj, sepse sipas përfaqësuesve të firmës ka probleme me Ujësjellësin, pasi nuk janë bërë likuidimet. Punëtorët në këtë mënyrë duke mos gjetur një zgjidhje për hallin që iu ka rënë i janë drejtuar bashkisë, por as atje nuk kanë marrë përgjigje. Askush nuk po e merr vesh, se cila është arsyeja e vërtetë e mosshlyerjes së pagesave mujore, kur aktualisht qytetarët paguajnë 5 mijë lekë në muaj vetëm për mirëmbajtjen e ujit të pijshëm dhe Arka e Ujësjellësit duhet të jetë e plotë. Punëtorët ende të padorëzuar i’u drejtuan firmës “Mehdi Makeshi” me shpresën se do të merrnin një përgjigje pozitive, por në fakt nuk ka rezultuar ashtu. Sipas burimit tonë, bëhet e ditur se, pas pyetjes që i kanë bërë rojet-përfaqësuesit të firmës, se ‘po t’ju mbesnin fëmijët tuaj pa bukë ju çfarë do të bënit?’, kanë marr si përgjigje kërcënimin për largim nga puna, konkretisht me fjalët “keni ardhur këtu se doni t’ju pushoj nga puna?”. Në gjithë këtë situatë aspak të pakëndshme një gjë është e sigurt, që shteti i merr paratë, por ato nuk dihen se ku përdoren.

Ndërtimi i një pallati shkatërron tualetet publike në Bulqizë

Në qytetin e minatorëve nuk ka më hapësira publike, ato dita- ditës po zaptohen nga ndërtimet e shumta me leje e pa leje. Fatin e keq e kanë pasur edhe tualetet publike të qytetit të Bulqizës, të cilët këto ditë janë bllokuar përfundimisht, sepse Kryetari i Bashkisë, z.Roland Keta, përfaqësues i PD-së, do të ndërtojë aty një pallat. Madje, sipas qytetarëve edhe Pallati i Kulturës është bllokuar rreth e qark nga ndërtimet, lejet e të cilave janë miratuar nga vetë kryetari i bashkisë, pa marr leje nga Kryetari i Qarkut Dibër. Madje, edhe ish-hoteli i qytetit është përvetësuar nga kryetari i bashkisë. Në këtë ish-hotel ishin strehuar familjarë, por para 3 vjetësh u nxorën që aty. Shumica e familjarëve ishin punëtor në minierë dhe në kushte jo të mira ekonomike. Por me një urdhër të Kryebashkiakut Keta ata u nxorën jashtë. Fillimisht bashkia për të mos i flakur në rrugë i strehoi për një vit te xhamia e qytetit, ndërsa tani të mbetur pa shtëpi ata janë shpërndarë në qytetin e Bulqizën, duke jetuar në mëshirë të fatit. Nga biseda me qytetarë të ndryshëm, rezulton se ky është pushteti lokal i marr me votat e vjedhura.