Bulqizë, kompania turke s’jep rrogat, minatorët hidhen në protestë

550
Sigal

Drejtuesit e firmës: Nuk është realizuar plani i kromit. Punëtorët: Fajin e ka shteti që jep 3 licenca vetëm për zonën D!

Mosmarrja e rrogës ka detyruar minatorët e Bulqizës të hidhen në protestë për të kërkuar të drejtën e tyre. Të mbledhur të gjithë së bashku ata kanë braktisur ditën e djeshme ambientet e punës dhe i janë drejtuar zyrave të kompanisë, pasi kjo e fundit nuk ka shlyer detyrimet mujore kundrejt minatorëve.

Situata

Protesta paqësore është bërë kundër firmës turke “TurAlb” që zotëron zonën D, në minierën e Bulqizës. Kjo zonë më përpara ka qenë pjesë e ACR –së (kompani austriake), por pas largimit të saj iu shit firmës turke “TurAlb”. Kjo protestë u organizua nga përfaqësues dhe kryetari i konfederatës së sindikatave të Shqipërisë, ku kërkesa e minatorëve iu bë e ditur edhe firmës në rrugë zyrtare. Kjo protestë qëllimin kryesore, pavarësisht problemeve të shumta, u zhvilluar për shkak të mos marrjes së rrogave që prej një muaji. Fajin në këtë mes e ka edhe Ministria e Ekonomisë, e cila ka në varësi edhe firma të palicencuara që shfrytëzojnë këtë zonë, ku operon edhe “TurAlb”. Kështu Ministria e Ekonomisë për një galeri (zona D) ka dhënë tre licenca. Kjo zonë, e cila ishte e përgatitur për shfrytëzim po përdoret nga të gjitha këto firma dhe tani firma turke iu ble kromin firmave pirate për të justifikuar punën e minatorëve në këtë zonë për përgatitjen dhe shfrytëzimin e minierës së kromit. Prandaj kuadrot që drejtojnë firmën turke deklarojnë shpesh herë se nuk është realizuar plani i kromit, kur në këtë rast nuk është faji i punëtorëve, por është faji i shtetit që nuk merr masat e duhura për shfrytëzimin e kësaj zone. Sipas të dhënave nga kryetari i sindikatës të zonës D, Agim Mineri për gazetën bëhet e ditur se, ende nuk dihet nëse do të zgjasin protestat, sepse akoma nuk ka një prononcim zyrtar nga kjo firmë. Ndër kërkesat kryesore të minatorëve që ende nuk kanë gjetur zgjidhje janë miratimi i statusit të minatorit, kërkesa për zbatimin e ligjit 7703 datë 1 shkurt 2011 për trajtimin e veçantë të punonjësve të nëntokës, i cili të ketë fuqi vepruese të përhershme, mosha e daljes në pension për burrat të jetë 50 vjeç, ndërsa për gratë që njësohet për punën në minierë, mosha të jetë 45 vjeçe etj..