Bulqiza/ Të pathënat dhe heshtja e shtetit, përballë masakrimit të pasurisë publike

874
Nga Edison Balla 

Bulqiza, e cilësuar ndryshe si “Qyteza e Minatorëve” është nëntoka më e pasur në Republikën e Shqipërisë, por edhe më gjerë. Miniera e Bulqizës, shquhet për sasinë dhe cilësinë e mineralit të kromit, duke fituar kështu një vend të veçantë në sferën e sektorit minerar dhe në tregun botëror të kromit. Në këtë zonë mineral-mbajtëse, operojnë dhe ushtrojnë aktivitetin 86 subjekte minerare të licencuara nga ministria e linjës dhe organet kompetente. Sipas shifrave të publikuara nga organet financiare në vend, bëhet me dije se në një vit kalendarik nga qyteti i Bulqizës dalin minimalisht 500.000 ton krom, të shitura me një çmim mesatar prej 380$/ton. Mesa duket nuk kanë mjaftuar këto shifra, nuk kanë mjaftuar miliona dollarët e nxjerra nga nëntoka e pasur e Bulqizës, nuk kanë mjaftuar mijëra ton krom të nxjerra, nuk kanë mjaftuar as jetët e humbura në skutat e galerive. Nuk ka mjaftuar asgjë, për ta bërë këtë të ashtuquajtur shtet që të “flasë” e të reagojë për të mbrojtur një të drejtë kushtetuese themelore: Të drejtën për të jetuar e për të qenë i lirë nga varfëria. Shtetit, të vendosur dhe instaluar në Tiranë mesa duket as që i bie në mend se çfarë ndodh me qytetarët e tij në Bulqizë, pasi për të, mjaftojnë milionat që shkojnë në Tiranë, duke i lënë Bulqizës vetëm skamjen dhe dëshpërimin që shikohet në sytë e çdo të riu e të reje. Miniera e Bulqizës sot, administrohet dhe menaxhohet nga kompania koncesionare Alb Chrome, kompani kjo me kapital tërësisht shqiptar. Koncesionimi i minierës nga kjo kompani u prit me një entuziazëm mjaft të madh nga minatorët e Bulqizës, pasi dukej se më në fund do të merrnin fund kushtet skllavëruese dhe shfrytëzimi barbar i pasurive minerare. Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por pas gjithë kësaj kohe shfrytëzimi nga kompania Alb Chrome, flitet për regres dhe shkelje të pa precedent të kushteve të parashikuara në kontratën që kompania ka lidhur me shtetin shqiptar. E si për ta vërtetuar këtë konstatim mjafton të përmendim këtu, një raport të vitit 2013 të nxjerrë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë sipas së cilit kompania koncesionare Alb Chrome nuk ka përmbushur kushtet e parashikuara në kontratë,e përkatësisht ato pika që bëjnë fjalë për: përmirësimin e kushteve teknike në Minierë, hapjen e Traverbankut të Klosit si dhe hapjen e Pusit të thellësisë. Në këto rrethana Ministria e linjës, jo vetëm që nuk ndërmori masa për të penalizuar kompaninë koncesionare, por madje e “shpërbleu” duke miratuar një projektligj që i zgjaste afatin e koncesionit kompanisë, duke vazhduar më tej “zinxhirin e padrejtësive” dhe shpërdorimin e pasurisë publike në Bulqizë. Nga Bulqiza dalin miliona lekë çdo ditë, para këto që shkojnë për të zbukuruar sarajet e oligarkëve në Tiranë që as nuk u bie në mend, sa punëtorë vdesin përditë për të siguruar oligarkinë dhe pashallëkun e këtyre maskarenjve të paepur. Pra, shteti, jo vetëm që nuk i ka mbrojtur e nuk po i mbron asetet e tij publike nga shfrytëzimi barbar, ngushtësisht klientelist e për qëllime afatshkurtra, por padyshim është bërë palë me ata që kanë grabitur e po grabisin përditë Bulqizën. Këtë konstatim jua thotë me përgjegjësi të plotë dikush që e njeh mirë atë realitet, dikush që ka punuar për shumë kohë në atë vend të bekuar nga zoti, por të shkatërruar nga maskarenjtë. Shteti hesht, kundrejt shfrytëzimit pa kriter dhe barbar të pasurive minerare, pasi drejtues të caktuar të mandatuar e emëruar përfitojnë shuma kolosale nga nxjerrja e mineraleve nga nëntoka e Bulqizës. “Të fortët” kanë nevojë për mbrojtje. E kush më mirë se shteti mund t’i mbrojë ata? E gjithë “grabitja” shumëvjeçare në Bulqizë realizohet me një skemë mjaft të organizuar, që përfshin në të tre hallka. Si fillim, e gjithë skema e shfrytëzimit pa kriter të kromit realizohet nga “i forti” që në rastin më të mirë është nga Bulqiza, i njohur për mbiemrin dhe bëmat e tij në thyerjen e lokaleve, terrorizimin e banorëve, kundërshtimin dhe uljen e figurave të forcave të rendit, pasi për të “fortin” ligji as që ekziston, sepse është ky që e bën ligjin në një vend ku mbizotëron ‘ligji i xhunglës”. I forti i qytetit, është pikërisht ai që merr galerinë (vendin e pasur me mineral) dhe e ruan me forcën e armës, nga çdo person tjetër i fortë që mund të tentojë t’ia marrë po me forcën e armës vendin e pasur me mineral. Pra, këtu hyn në lojë ligji i xhunglës, ku nuk mungojnë as përballjet fizike me armë, siç janë pasqyruar shumë herë edhe në media. Dihet që “i forti” nuk mund ta shesë vetë mineralin e kromit në Portin më të madh të vendit në Durrës, pasi për këtë i nevojitet një dokumentacion i caktuar, ndaj në këtë moment hyn në lojë një ‘dorë e dytë’. Zakonisht është një shoqëri tregtare, me statusin e SH.P.K e licencuar në nxjerrjen dhe tregtimin e mineralit të kromit, që e blen kromin nga ‘i forti’ me një çmim shumë të lakmueshëm ku nuk ka asnjë kosto, qoftë për materialet e nxjerrjes apo për pagesa punëtorësh, pasi këto i paguan i forti. Për të marrë licencën që ‘lakmohet’ nga shumë subjekte vendase dhe, jo vetëm, duhet ndihma dhe përkrahja e dikujt të lidhur me pushtetin. Nuk dua të aludoj, por nëse do pyesje banorë dhe punëtorë në Bulqizë do të të thoshin menjëherë emra personazhesh të njohura në skenën politike apo fëmijë baballarësh me kredenciale politike në vend. Janë pikërisht këta figura politike që ndërhyjnë për ti dhënë licenca subjekteve të caktuara, dhe mandej sigurojnë edhe shitjen e mineralit të kromit jashtë vendit, duke përfituar për vete edhe shuma marramendëse. Kjo kuptohet lehtë nëse bën një paralelizëm midis çmimit të shitjes për ton, në vendin e nxjerrjes nga ‘i forti’ dhe çmimit të shitur në portin e Durrësit, që ndryshojnë si nata me ditën. Nga gjithë kjo skemë padyshim, të humburit nuk dalin politikanët, as të fortët, as subjektet minerare. Të humburit si përherë, dalin punëtorët e mjeruar që sot mund të quhen pa më të voglin dyshim, “skllevër të kohëve moderne”. E ndërkohë që pasuria minerare vidhet në Bulqizë, ndërkohë që punëtorë vendas dhe të huaj vdesin aty për një kafshatë bukë, shteti vetëm hesht, sepse, mesa duket, jeta e disa qytetarëve të “humbur” diku në një skaj të vendit, nuk ka asnjë vlerë përballë milionave që shteti i të paktëve grabit në Bulqizë.
Sigal