Bujqësia, përparësi të veçanta në kërkimin shkencor

886
Akademia e Shkencave në forumin shkencor ndërkombëtar mbledh ekspertët më të mirë për pemëtarinë dhe vreshtarinë nga Shqipëria, Kosova e Italia. Flet Akademiku Salvatore Bushati
Prof. Bushati, në këtë periudhë institucioni juaj është përfolur shumë nga qeveria, media, madje dhe nga një akademik i saj, ju keni zhvilluar një forum shkencor me një pjesëmarrje të gjerë të ekspertëve të fushës, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova por dhe nga Italia.

Është e vërtetë kjo, por se mund t’u them se tashmë ky problem është i trajtuar gjerë dhe aktualisht funksionon një grup pune i Asamblesë së Akademisë. Është përgatitur një draft platformë e ballafaquar edhe në një takim të kërkuar nga akademikët me Kryeministrin Rama dhe po punohet për një reformë që do të përgatitet nga akademikët në bashkëpunim me qeverinë për strukturën e saj në harmoni me strukturën e kërkimit shkencor në Shqipëri; reforma do të përfshijë misionin e saj, strukturën dhe amendimet përkatëse legjislative. Kjo është dakordësia e qeverisë me Akademinë, besoj se me këtë i përgjigjem saktë pyetjes tuaj. Nga ana tjetër ju siguroj se Akademia nuk është ajo e të thënave në disa media pasi ka edhe shumë të pavërteta, që janë rezultat i mosinformimit të mirë; Akademia ka punuar me hapësirat e ligjit të saj, strukturës dhe buxhetit të dhënë për kërkim.

Profesor Bushati, le të flasim pak për këtë veprimtari dhe pse pikërisht me këtë tematikë? 
Organizuam këtë konferencë shkencore me një nga tematikat prioritare mbi “Kultivarët e vendit të pemëve frutore, hardhisë, ullirit dhe agrumeve në Shqipëri e Kosovë dhe ndërtimi i sistemit shkencor i certifikimit për prodhimin e fidanëve” nën këndvështrimin e botimit të ri shkencor “Pemëtaria dhe vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë” (Kultivarët e vendit dhe prodhimi i fidanëve të pemëve frutorë, hardhisë, ullirit dhe agrumeve), realizuar në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit Shkencor dhe Artistik midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, botim i cili është produkt i një pune të gjatë për realizimin e projektit “Inventarizimi i virozave dhe shëndetësimi i materialit mbjellës të specieve frutore dhe vreshtave në Kosovë dhe Shqipëri”, përsëri në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit mes dy akademive; botimi i ri është fryt i punës së 27 autorëve nga Shqipëria dhe Kosova, specialistë të njohur në fusha të ndryshme të frutikulturës, të fitopatologjisë, biologjisë molekulare, bioteknologjisë, njohës të legjislacionit evropian dhe shqiptar për certifikimin e fidanëve të drurëve frutorë. Me këtë rast dëshiroj të vlerësoj punën disa vjeçare të ekipit shkencor në Shqipëri dhe atij në Kosovë, që me përkushtim ka realizuar projektin dhe botimin. Veçanërisht ky studim multidisiplinor në bujqësi ka bashkuar një numër të madh specialistësh nga Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike të akademive të Shqipërisë dhe Kosovës, disa institucione shkencore e mësimore si nga Universiteti Bujqësor i Tiranës e Universiteti i Tiranës; Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës; ekspertë italianë dhe shqiptarë nga Instituti Agronomik Mesdhetar në Valenzano të Barit në Itali; nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë etj. Nuk është e rastit, që si projekti dhe botimi u realizuan me sukses, sepse gjatë afro 17 viteve që nga viti 2001, bashkëpunimi mes dy akademive tona në të dy anët e kufirit, por dhe bashkëpunëtorë nga universitetet e institucionet e fushës qenë një histori suksesi, duke realizuar, vetëm në fushën e botanikës 3 fjalorë: Fjalorin e emrave të bimëve, Fjalorin e terminologjisë së botanikës, Fjalorin shpjegues të termave të botanikës (profesorët Vangjeli, Ruci e Kongjika), të cilat u pasuan nga monografia “Sëmundjet e pemëve frutore dhe të hardhisë” (akad. Latif Susuri dhe prof. Arben Myrta. Sot bujqësia shqiptare në Shqipëri e Kosovë ka në dorë botimin shkencor mbi pemëtarinë dhe vreshtarinë me fokus kryesor ndërtimin e një sistemi të besueshëm shkencor certifikimi për prodhimin e fidanëve të kultivarëve autoktonë të dru-frutorëve

A mund të na thoni se çfarë rëndësie paraqet ky forum për zhvillimin e bujqësisë?
Për rëndësinë e problematikave e prioriteteve aktuale në fushën e bujqësisë dhe zbërthimit të Programit të Qeverisë, gjatë takimeve të hapura me specialistë në Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike, u diskutua rëndësia e këtij botimi në kohën e sotme, kur nismat private për zhvillimin e frutikulturës planifikohen të mbështeten fuqimisht, u mendua që kjo veprimtari të realizohet në formë forumi ku specialistët, të debatojnë dhe të paraqesin prurjet e tyre shkencore për ngritjen e një sistemi të besueshëm certifikimi, që duhet realizuar në të dy vendet tona. Studimi, që është në qendër të debatit sot, kap një diapazon të gjerë problemesh, për të cilat specialistë të njohur në fusha të ndryshme të bujqësisë përpiqen tu japin zgjidhje problemeve shqetësuese të frutikulturës në kushtet e hapjes se kufijve të tregut evropian dhe të qarkullimit te lirë të produkteve bimore. Në këto kushte ekziston potencialisht dhe praktikisht shfaqja në territorin kombëtar ose rajonal e patogjeneve të rrezikshëm me pasoja jo vetëm në nivel kombëtar, por dhe rajonal apo edhe më gjerë. Lind si domosdoshmëri rregullimi në nivel komunitar e kombëtar për prodhimin, certifikimin dhe tregtimin e materialit të shumimit të bimëve drurë frutorë që lëviz dhe tregtohet në të gjithë botën përmes një programi shkencor dhe legjislativ.

Profesor Bushati, sipas mendimit tuaj, çfarë shtrohet sot para komunitetit shkencor kudo që ata janë?
Megjithëse sistemi i certifikimit ishte objektivi kryesor i forumit, shumë probleme tjera për zgjidhje në mënyrë shkencore ishin objekt i debateve për sa i përket stimulimit të kultivimit të kultivarëve autoktone të dru-frutoreve. Rëndësi ka që prurjet shkencore të demonstruara ofrojnë zgjidhje në politikat bujqësore prodhuese për zhvillimin e qëndrueshëm në situatat e globalizmit. Zgjidhjet dalin nga institucione shkencore, në laboratorë të mirëpajisur e që veçanërisht kërkojnë kërkues të specializuar, me vizion, që njohin të kaluarën, jetojnë të tashmen e vështirë e me shumë probleme, por që njohin e ofrojnë mundësi të ndryshimit të fuqishëm të bujqësisë me frutikulturën si drejtim kryesor. Janë pikërisht këto nisma, që duhet të mbështeten nga politikat stimuluese të Qeverisë, Ministrisë së Bujqësisë e Zhvillimit Rural, që tashmë janë shpalosur në programe të Qeverisë me modelin e ekonomisë mbështetur në diversifikimin e produkteve dhe shërbimeve, adoptimin masiv të teknologjive të reja, etj. Komuniteti shkencor duhet ta ndjejë veten përgjegjës për zhvillimin e sotëm të bujqësisë dhe agroturizmit po aq sa politika, ndofta më shumë nëse ai komunitet ndjehet po ashtu i respektuar, kur atij i dëgjohet mendimi i specializuar, ekspertiza, kur vihet në detyrën e kryesimit të trajnimit dhe të transferimit të njohurive bashkëkohore tek studentet, tek nxënësit në shkollat bujqësore rajonale e deri tek fermerët. Në radhë të parë, departamenteve të Universitetit Bujqësor me specialistët, që i kishim mes nesh, duket se po ju kthehet roli dhe funksioni i tyre kryesor në zhvillimet e sotme në bujqësi në përgjithësi, faktor ky shumë i rëndësishëm që duhet theksuar. Natyrisht, edhe ky komunitet ka nevojë për bashkëpunim me specialiste të tjerë në universitete të tjera të vendit, ku duhen vlerësuar edhe rezultate pozitive dhe të qëndrueshme që japin projektet multidisiplinore, si në nivel kombëtar, në trevat shqipfolëse, në nivel rajonal dhe evropian. Duket se drejtuesit e sotëm të bujqësisë shohin me sy kritik papërgjegjshmërinë disa vjeçare që çoi drejt mbylljes së disa institucioneve të kërkimit bujqësor, që siç përmend Ministri Peleshi …….duhen ringjallur për t’i kthyer ato në modele inteligjente për ta bërë prodhimin vendas më konkurrues në tregun ndërkombëtar (gjatë takimit në Institutin Agronomik Mesdhetar të Barit. Media).

Përparësi të veçanta i duhen dhënë kërkimit shkencor në bujqësi në përgjithësi, zhvillimit të veprimtarive, që lidhen me problematika e kërkime në fushat e bujqësisë e ushqimit, biosigurisë biodiversitetit, bioteknologjive, etnobotanikës, nanoteknologjisë, ujërave, pyjeve, shkencave të tokës, me zbatime të teknologjive të reja e inovative për një zhvillim të qëndrueshëm, por sot kërkohen tregues në rritje të:

• bashkëpunimit me institucionet qeveritare në identifikimin e problematikave për angazhimin e kërkimit në realizimin e objektivave të Qeverisë, me pjesëmarrje në këshilla, grupe ad hoc, borde, etj;
• këshillimit dhe ekspertizës së nevojshme për institucionet politikëbërëse dhe vendimmarrëse;
• bashkëpunimit me institucionet kërkimore, universitare e mësimore, brenda dhe jashtë vendit për kryerjen e studimeve në fusha të ndryshme të shkencës e teknologjisë, për hartimin e programeve kombëtare e dypalëshe, ekspertizave dhe monitorimeve të ndryshme në shkallë vendi, etj.
• transferimit e aplikimit të teknologjive inovative nga rrjeti i akademive të shkencave të botës (InterAcademy Partnership), ai vendeve të Evropës (All European Academies) si dhe nga institucionet kërkimore shkencore, me të cilat Akademia bashkëpunon brenda e jashtë vendit, në ato të veprimtarive prodhuese; 
• paraqitjes së arritjeve dhe problematikave të kërkim-zhvillimit, në fushat përparësore të bujqësisë, nëpërmjet organizimit të kongreseve, konferencave e workshopeve/debateve shkencore në shkallë kombëtare e ndërkombëtare;
• bashkëpunimit me biznesin e prodhuesit, në të gjithë nivelet, në lidhje me zbatimet e produkteve të kërkimeve shkencore e inovative në veprimtaritë bujqësore; 
• botimit të organeve periodike dhe veprave të tjera me nivel të lartë shkencor; 
• zbulimit, mbështetjes dhe promovimin e talenteve të reja të kërkuesve shqiptarë në shkencë, brenda e jashtë vendit, për të realizuar nivele të larta kërkimi në Shqipëri si dhe për të krijuar e mbështetur strukturat e saj të përfaqësimit në komunitetin shkencor e veprimtaritë bujqësore prodhuese, etj.

Gjithashtu, vëmendje i është kushtuar rekomandimeve të analizave të BE, për progresin e kërkimit e inovacionit në zbutjen e dobësive të tilla në Shqipëri siç janë konstatuar: (i) mbizotërimi i sektorit publik në Sh&T mbi atë privat; (ii) mungesa e integrimit ndërmjet agjendave të kërkimit dhe politikave të tjera; (iii) përvetësimi i dobët i fondeve; (iv) mungesa e promovimit të arritjeve të shkencës dhe teknologjisë e përfshirja e pamjaftueshme e saj në sektorin privat apo; (v) mungesa e mekanizmave nxitës për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar; (vi) zhvillimi dhe aplikimi i pamjaftueshëm i strategjive dhe ligjeve ekzistuese në Sh&T.

Si do të përcillen prurjet e komunitetit shkencor të forumit në drejtim të institucioneve të politik-bërjes e vendim-marrjes?
Pyetja juaj është shumë me vend; përveç informimit që zakonisht, por jo mjaftueshëm përcillet nga media vizive dhe ajo e shkruar e për të cilën ne e kemi dhe dëshirojmë ta kemi më shumë pran nesh, ne në fund të veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare formulojmë dhe aprovojmë kartën e konferencës e cila i dërgohet institucioneve politik-bërëse, vendim-marrëse, biznesit e komunitetit prodhues, komunitetit shkencor; ky dokument është zëri i kërkuesve shkencor për kërkim e zhvillim, i cili duhet të merret parasysh në hartimin e dokumenteve strategjike, planeve të veprimit e më gjerë veprimtarive prodhuese; qëllim ky për të cilën duhet të luftojmë më shumë ne kërkuesit. Produkti shkencor duhet të përkthehet në zbatime, në inovacione, pasi përndryshe ai është pa vlera praktike. Edhe për këtë forum u miratua Karta e Forumit me rekomandime të komunitetit shkencor, e cila i drejtohet institucioneve politikëbërëse e vendimmarrëse, komisioneve parlamentare, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, universiteteve dhe institucioneve shkencore dhe për dijeve gjithë palëve të interesit, Kartë e cila do të përcillet institucioneve të mësipërme. Së fundmi, nuk mund të lë pa falënderuar Gazetën Telegraf për interesimin që ajo tregon për kërkimin shkencor nëpërmjet pranisë së saj në aktivitete e për informimin që ajo përcjell në drejtim të komuniteteve shkencore, universitare, politik-bërëse, vendim-marrëse dhe mbarë prodhuesve dhe biznesit.

Esmeralda Pirra
Sigal