Bujar Leskaj: Praktikat më të përparuara në veprimtarinë e KLSH

746
Kontrolli i Lartë i Shtetit në kuadër të transparencës, në përputhje me praktikat me të mira të BE dhe me standardet ndërkombëtare të INTOSAI, duke kontribuar për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit”, ka botuar gjatë vitit 2015, 16 libra, duke pasuruar serinë e botimeve të tij me titujt e mëposhtëm: Analiza vjetore e punës 2014; Raporti vjetor i Performancës, KLSH 2014 (shqip/anglisht); Revista kërkimore shkencore “Auditimi Publik” nr. 9, 10 dhe 11 (shqip/anglisht); – Manuali i Departamentit të Auditimit të Performancës; Indikatorët e performancës; – Standartet e Auditimit të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (GAO); Manuali i Auditimit të IT; – COBIT 4.1, Objektivat e Kontrollit për IT; – Konferenca e tretë Shkencore e KLSH-së (anglisht); – 90 vjet KLSH, ceremonitë dhe veprimtaritë; Album, 90 vjet KLSH; Kodi i Etikës së INTOSAI-t (ISSAI 30), Kodi i Etikës së Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA) dhe Kodi i Etikës së KLSH-së; Audituesit e KLSH-së në shtypin e përditshëm, Volumi III (periudha korrik-dhjetor 2014) dhe volumi IV (periudha janar-qershor 2015). Këto botime, së bashku me botimet e viteve 2012, 2013 dhe 2014, pjesë e serisë së botimeve të KLSH-se, kanë arritur shifrën e 51 botimeve. Këto botime në përgjithësi dhe veçanërisht ato që lidhen me standartet e auditimit kanë kontribuar në përmirësimin e performancën së stafit të KLSH-së dhe të cilësisë së auditimeve të realizuara.
Konferenca e III-të Shkencore e KLSH
Konferenca e tretë shkencore e mbajtur në dt. 29-30 tetor 2014 ishte një përpjekje e suksesshme për të analizuar problemet aktuale dhe perspektive të auditimit si një nga faktorët themelorë të mirëqeverisjes së vendit. Kjo konferencë tregoi edhe njëherë se KLSH ka organizuar dhe punuar për të krijuar një bashkëveprim të frytshëm me të gjitha institucionet simotra të saj (institucionet supreme të auditimit në Europë), si dhe ka ngritur në një shkallë më të lartë bashkëpunimin me grupet e interesit në vendin tonë. Në konferencë morën pjesë mjaft personalitete evropiane të auditimit më të lartë publik. Kumtesat dhe diskutimet e tyre ishin një kontribut i rëndësishëm për detajimin e detyrave të KLSH-së, për rritjen e performancës së auditimit në Shqipëri. Gjithashtu, ia vlen të theksohet pjesëmarrja e gjerë e personaliteteve të grupeve të interesit, si akademikët, profesorati shqiptar, përfaqësues të organizatave profesionale, etj. Në këtë botim janë përmbledhur 27 kumtesat e referuara në konferencë. 
Revista “Auditimi Publik” nr. 9, nr.10, nr.11 
KLSH ka botuar përgjatë vitit 2015, tre numra të Revistës Shkencore periodike 4-mujore ”Auditimi Publik” (nr.9, 10,11), e cila hyri ne vitin e katërt të botimit të saj. Revista vazhdon me sukses sfidën e nisur, si një revistë shkencore periodike 4-mujore në fushën e Auditimit Publik, që botohet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Në këtë Revistë kanë kontribuar me shkrimet e tyre personalitete të fushës së Ekonomisë nga vendi si dhe personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) nga vende të rajonit e më gjerë, duke i dhënë “Auditimit Publik” një vlerë të shtuar dhe një përmasë rajonale, duke kontribuar në mbledhjen e mendimit të përparuar të profesionistëve të fushës së auditimit. 
Standartet e Auditimit të Qeverisë
KLSH sjell në gjuhën shqipe një botim krejt të veçantë, “Standardet e Auditimit të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA”. Ky botim është rishikim i Standardeve të Auditimit të Qeverisë realizuar në vitin 2011 dhe paraqet një version të modernizuar të standardeve në SHBA, duke marrë në konsideratë ndryshimet e fundit në standardet e tjera të auditimit, përfshirë edhe standardet ndërkombëtare (ky rishikim zëvendëson rishikimin e 2007). Ai përmban ndryshime të mëdha nga rishikimi i 2007 që përforcojnë parimet e transparencës dhe llogaridhënies dhe që sigurojnë kuadrin për auditime me cilësi të lartë dhe me vlerë të shtuar. Botimi i Standardeve të Auditimit të Qeverisë vjen pas disa botimeve të tjera me karakter profesional që janë realizuar gjatë tre viteve të fundit nga KLSH, me qëllim për ta përqasur veprimtarinë e këtij institucioni me thelbin e misionit të tij që konsiston në nxitjen e përgjegjshmërisë së qeverisë dhe të menaxherëve publikë për përdorimin e parasë publike me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet, çka kërkon njohjen, respektimin dhe zbatimin me rigorozitet të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, ISSAI. 
Analiza vjetore të KLSH
KLSH sjell për herë të katërt Analizën e Veprimtarisë së Institucionit, duke ju referuar aktivitetit të tij për vitin 2014. Për një më vlerësim sa më objektiv dhe transparent të veprimtarisë së kryer gjatë vitit 2014, KLSH për herë të parë ka aplikuar për matjen e rezultateve dhe evidentimin e mangësive, kërkesat e integritetit dhe Programin e Vetëvlerësimit “IntoSAINT” të Gjykatës Holandeze të Auditimit, i njohur dhe i pranuar që nga viti 2011 nga organizata INTOSAI. Rezultatet e punës së KLSH-së, veçanërisht në tre vitet e fundit kanë arritur tregues cilësorë duke bërë të mundur përmbushjen e objektivave të vitit 2014 dhe konsolidimin e imazhit të KLSH. 
Indikatorët e Performancës sipas NAO-s britanike 
Botimi është një përkthim në gjuhën shqipe i Indikatorëve të Performancës të përdorur nga NAO britanike për të matur dhe dhënë opinione për funksionimin e një organizate të caktuar si dhe për të dhënë rekomandime për përmirësimin e performancës së saj. Në të gjejmë përkufizime për fokusin e funksionit të komunikimit. Në brendësi identifikohen kërkesat për një funksion komunikimi modern dhe vlerë-shtues, të cilin indikatorët matës synojnë ta parametrizojnë për t’ia bërë më lehtë organizatës arritjen e tij. Indikatorët synojnë të jenë mjaftueshëm të plotë, në mënyrë që të mund të aplikohen për të gjithë spektrin e administratës publike. 
Manuali i Auditimit të Departamentit të Performancës
Manuali i Departamentit të Auditimit të Performancës është dokumenti i dytë strategjik departamental pas Udhëzuesit të INTOSAI-t botuar në Dhjetor. Ky manual i shërben jo vetëm audituesve të Departamentit të Performancës, por të gjithë audituesve, të cilët në punën e tyre të përditshme shqyrtojnë ligjshmërinë e aktivitetit të institucioneve publike ku performanca është pjesë e pandashme e këtij aktiviteti. Në një kohë të dytë, kur auditimi i performancës të urbanizohet si koncept në administratën publike, manuali mund t’iu shërbejë edhe strukturave të auditimit të brendshëm që vendosin të angazhohen në këtë fushë sfiduese dhe realisht frytdhënëse. 
COBIT 4.1, Objektivat e Kontrollit të Teknologjisë së Informacionit
COBIT 4.1, botim i Organizatës ndërkombëtare të Auditimit dhe Kontrollit të Sistemeve të Informacionit, ISACA (Information Systems Audit and Control Association), është një strukturë e përdorur gjerësisht, e cila përmbledh rekomandimet, praktikat dhe metodat më të mira të vlerësimit për kontrollet e përgjithshme IT, si dhe për programet që zhvillohen në këto ambjente.
Manuali i Auditimit të IT 
Manuali i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit është botimi i parë i serisë së botimeve të KLSH në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe është produkt i grupeve të punës së teknologjisë së Informacionit të EUROSAI-t (ËGITA) si dhe Iniciativës për zhvillim të INTOSAI-t (IDI) për përcaktimin e rregullave e standardeve të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit. Zhvillimi i teknologjive dhe përfshirja e sistemeve të informacionit në çdo qelizë të jetës, nxori në dritë domosdoshmërinë e auditimit të Teknologjisë së Informacionit, adoptimin e një metodologjie dhe qasje të drejtë për identifikimin e risqeve dhe minimizimin e tyre, dhënien e sigurisë së integritetit të të dhënave, zbulimit të abuzimeve dhe shkeljes së privatësisë, etj. Auditimi i Teknologjisë së Informacionit (IT) është një ndër llojet me të reja të Auditimeve të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe nënkupton një ekzaminim të zbatimit të sistemeve IT-së për të garantuar se ato përmbushin nevojat e subjektit, pa kompromentuar sigurinë, privatësinë, koston dhe elemente të tjera kritike të veprimtarisë së subjektit të audituar. 
Audituesit e KLSH në shtypin e përditshëm
Gjatë 2014 KLSH ka qenë prezentë pothuajse në të gjitha gazetat me 134 shkrime, të shkruara nga 51 auditues të KLSH-së, shkrime të pasqyruara në volumin e II-të të botimit “Audituesit e KLSH-së në median e shkruar” (që i referohet gjashtë mujorit të parë të vitit 2014) dhe volumi i III-të që po paraqitet aktualisht përpara lexuesit që përmbledh shkrimet e audituesve të KLSH-së për periudhën e dytë të vitit 2014. Artikujt, analizat dhe editorialet e audituesve të KLSH-së të botuara në shtypin e shkruar periodik përbëjnë pa dyshim një vlerë të shtuar në drejtim të komunikimit me qytetarët sepse mesazhet dhe problematikat e përcjella janë parë në këndvështrimin e profesionit të audituesit. 
Kodi i Etikës së INTOSAI-t(ISSAI 30), Kodi i Etikës së Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) dhe Kodi i Etikës së KLSH-së
Kodi i Etikës së KLSH-së, përfaqëson një prej dokumenteve bazikë të KLSH dhe është në një linjë me kërkesat dhe përcaktimet e ISSAI 1, Deklarata e Limës; ISSAI 30 INTOSAI Kodi Etik dhe mandatin Kushtetues dhe ligjor të KLSH-së. Ky dokument riafirmon dhe trajton vlerat dhe parimet fondamentale në të cilat bazohet veprimtaria e KLSH-së si integriteti, pavarësia, objektiviteti, paanshmëria kompetenca, kujdesi i duhur, konfidencialiteti dhe sjellja profesionale. Këto vlera dhe parime përbëjnë nga njëra anë shtyllat e kredibilitetit institucional dhe nga ana tjetër janë të lidhura ngushtësisht me perceptimin e KLSH-së si një institucion në shërbim të llogaridhënjes, nxitjes së përgjegjshmërisë dhe mirëqeverisjes. 
90 vjet KLSH, ceremonitë dhe veprimtaritë
Kujtesa institucionale e një organi kushtetues është e një rëndësie parësore për të lexuar drejt vlerat dhe kontributin e tij përgjatë viteve, por edhe gabimet dhe momentet e kthimeve prapa. Një analizë e tillë në dritën e fakteve të plota i shërben institucionit kushtetues për të kuptuar qartë pozicionin e tij në shoqëri, por edhe opinionit publik dhe qytetarëve për të peshuar si duhet misionin dhe realizimin e tij nga ky institucion. Si KLSH, në 90-Vjetorin e krijimit të institucionit, duke iu referuar orientimit themelor të Kongresit të XXI-të, të INTOSAI-t, në tetor 2013 në Pekin, për vendosjen e auditimit kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare, kemi kënaqësinë të sjellim tek lexuesit këtë përmbledhje të kumtesave, përshëndetjeve dhe aktiviteteve kryesore për kremtimin e këtij jubileu. 
Raporti Vjetor i Performancës, KLSH 2014
Viti 2014 ka përfaqësuar për KLSH vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë së tij të Zhvillimit 2013-2017, të bazuar në drejtimet kryesore strategjike të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, strategji e cila synon sjelljen e veprimtarisë audituese të institucionit në parametrat e institucioneve të zhvilluara. Në tërësi, nisur nga sasia dhe cilësia e auditimeve të kryera, nga gjetjet dhe rekomandimet e dhëna, nga përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike, 2014 përfaqëson vitin e konsolidimit të reformave të ndërmarra gjatë viteve 2012-2013 dhe vit në të cilin institucioni ka fituar ne mënyrë më të plotë fizionominë e një institucioni modern të auditimit suprem publik me qasje evropiane.
Audituesit e KLSH-së në shtypin e përditshëm, janar-qershor 2015
Vëllimi i IV-t i botimit “Audituesit e KLSH-së në median e shkruar”, përmban një përzgjedhje të shkrimeve më të mira të audituesve të tij për periudhën janar-qershor 2015. Për cilindo që ngre pyetjen “Përse auditues profesionistë kërkojnë të komunikojnë me qytetarin nëpërmjet shtypit të përditshëm?”, i përgjigjemi se e bëjmë të ndërgjegjshëm në detyrat dhe misionin tonë kushtetues për të informuar qytetarin për menaxhimin me ekonomicitet, efektshmëri dhe efiçience të fondeve dhe pronës publike.
Album, 90 vjet Kontrolli i Lartë i Shtetit (1925-2015)
Ky libër pasqyron historikun e Kontrollit të Lartë të Shtetit që nga krijimi i tij, nëpërmjet fotografive, dokumenteve ligjore dhe personaliteteve që kanë kontribuar në themelimin, ngritjen dhe funksionimin e institucionit në vite.
Sigal