Bujar Kllogjeri:“Rotacioni, i pashmangshëm më 23 Qershor”

1001
Sigal

INTERISTA/ Flet për “Telegraf”, kandidati për deputet për Qarkun Elbasan, Bujar Kllogjeri, i dyti në listën e LSI-së

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, kandidati për deputet, Bujar Kllogjeri, i dytë në listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Elbasanit, tregon se si e priti ai kandidimin nga kjo forcë politike. Kllogjeri sqaron se, LSI-ja është e mobilizuar mjaftë mirë për një rezultat spektakolar më 23 Qershor. Gjithashtu, Kllogjeri shprehet se, këtë herë LSI i ka të gjitha argumentet e duhur për të mbrojtur votat që do të jenë për LSI-në. I pyetur për deklaratë e Nasip Naço se Ilir Meta do të  jetë Kryeministri i  Shqipërisë ai shprehet se Meta ka treguar të jetë një Kryeministër dhe politikan i suksesshëm megjithatë kjo çështje i përket Kushtetutës.

Z.Kllogjëri si e pritët kandidimin për deputet nga LSI-ja?

Unë jam i nderuar që jam në listat e kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Elbasanit. Sigurisht që, jam nga njerëzit që kam kontribuar që nga fillimi për LSI, por kjo nuk do të thotë që unë duhet të isha patjetër në listën e kandidatëve pasi në Qarkun e Elbasanit në LSI ka shumë njerëz që meritojnë të jenë në këtë listë. Por për këtë falënderoj kryesinë dhe kryetarin e LSI-së së Elbasanit, të cilët insistuan që unë të jem pjesë e listës së LSI-së.

A është e organizuar aq sa duhet LSI-ja e Qarkut të Elbasanit?

Unë shpreh bindjen se LSI-ja e Elbasanit është e organizuar plotësisht që në këto zgjedhje të japë maksimumin e saj dhe me bindje të plotë them -kjo e parë deri tani-që të gjithë faktorët janë të gatshëm që të japin kontributin e tyre në këto zgjedhje. Nisur nga puna e deritanishme, ku jo vetëm kryetarët dhe anëtarët e kryesisë të rrethit të Elbasanit, por dhe anëtarët dhe kryetarët e kryesisë të rretheve të tjera si Librazhdi, Gramshi e kështu me radhë janë të predispozuar në fushatë duke organizuar të gjitha strukturat në çdo qendër votimi. Sigurisht që, dhe kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet z. Haxhinasto, i ka organizuar të gjitha strukturat e LSI, por dhe të gjithë faktorët përkrahës së forcës politike. Jam i bindur se me të gjithë punën që po bëjnë të gjitha strukturat e LSI-së, duke filluar nga anëtarët më të thjeshtë deri tek të gjitha nivelet e strukturave udhëheqëse të Qarkut të Elbasanit si dhe me mbështetjen që i jep kryetari i LSI-së, z.Ilir Meta dhe Kryesia e LSI-së si dhe besimin e potencën që ka krijuar kjo forcë politike në të gjithë Qarkun e Elbasanit do të arrihet rezultati madhështor më 23 Qershor.

 A i keni ju strukturat e mjaftueshme për të mbrojtur votat tuaja në këto zgjedhje?

LSI në këto zgjedhje i ka të gjitha strukturat e nevojshme që asnjë votë e saj të mos shkojë dëm dhe jam i bindur se, me këtë frymë që ka LSI, jo vetëm në Qarkun e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë do të këtë një rezultat shumë më të mirë nga zgjedhjet e kaluara. Kjo jo vetëm për arsye që thashë më lart, por kjo nisur dhe nga besimi që ka fituar kjo forcë politike jo vetëm me elektoratin e saj, por dhe me popullin shqiptar, ku këtë forcë e shikojnë si forcë për të ardhmen e vendit. Sigurisht që, kjo bindje nuk është e rastësishme, por është forcë që vazhdimisht mban qëndrime të drejtpërdrejta nga kryetari i LSI, Meta, ku LSI nga themelimi i saj të njëjtat qëndrime ka mbajtur dhe sidomos në vendimet që ka patur Shqipëria për elementin e krizave të ndryshme që pësonte vendi gjë, e cila ka bërë që Shqipëria të arrijë  të gjitha ato të drejta që ka arritur sot drejt Integrimit Europian, ku dhe vetë emir i LSI-së e tregon këtë  më së miri. Kështu që çdo votë për LSI nuk do të shpërdorohet, por do të forcohet fort dhe jo si në zgjedhjet e kaluara, ku LSI pavarësisht rezultatit që ka marrë është dënuar padrejtësisht, duke mos pasur përfaqësuesit nëpër komisionet zgjedhore. Unë shpreh bindje time të plotë që Koalicioni për të Ardhmen Europiane do fitojmë me një rezultat spektakolar në këto zgjedhje. Jam i bindur se Qeveria e dalë nga ky koalicion do të bëjë më të mirën e mundshme për zhvillimin e vendit tonë për zhvillimi ekonomik dhe Integrimin Europian.

Sa deputetë mendoni se do të marrë forca juaj politike në Qarkun e Elbasanit?

LSI-ja e Elbasanit është një forcë, e cila gjatë gjithë kohës ka patur rezultate të mira në çdo zgjedhje, por them që kësaj radhë ky rezultat do të jetë shumë më përpara dhe pretendojmë sa më shumë mandate.