Brukseli: Gomonet dhe maunet me drogë, “barrikadë” para portës së BE për Shqipërinë

519
Bashkimi Evropian, i kërkon kryeministrit të nisë aksionin për të ndalur trafikun dhe për të asgjësuar bazat dhe bandat e hashashit
Shqipëria është shndërruar në një autostradë e trafikut të drogës me destinacion Italinë dhe vende të tjera të BE-së, si edhe faktin se ky përkeqësim i situatës pas shtatorit të vitit 2013, ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit me Policinë shqiptare dhe mungesën e vullnetit të saj për të luftuar këtë fenomen. Bashkimi Evropian jep alarmin për kultivimin e kanabisit në Shqipëri. Një sërë eurodeputetësh kanë paralajmëruar se ky fenomen mund të bllokojë integrimin evropian të vendit. Këto qëndrime janë bërë të ditura në dy ditët e fundit edhe në Parlamentin Evropian, ku u diskutua rezoluta e Knut Fleckenstein. Në këtë rezolutë Knut Fleckenstein e ka cilësuar si imediate zbatimin e ligjit të Vetingut. Mirëpo rezolutës i janë paraqitur 231 amendamente nga grupe politike në Bashkimin Evropian. Për luftën ndaj krimit të organizuar, amendamente si ai i raportuesit në hije Eduard Kukan kërkojnë zhdukjen e plantacioneve të kanabis në Shqipëri dhe të grupeve kriminale që janë të lidhura me të dhe transparencë për përgjegjshmërinë e forcave policore dhe autoriteteve që monitorojnë plantacionet në vend. Amendamente të eurodeputetëve të tjerë shprehin shqetësimin për lidhjet e shtetit me grupe kriminale dhe dështimin e policisë dhe prokurorisë për identifikimin e grupeve kriminale që drejtojnë trafikun e drogës. Amendamentet lidhur me prioritetin për luftën kundër korrupsionit, vënë theksin tek korrupsioni si një problem serioz për vendin dhe nevojën për bashkëpunim më të mirë midis organeve të policisë dhe prokurorisë për një gjurmë të konsoliduar provash në hetimet dhe dënimet edhe për korrupsionin e nivelit të lartë. Për reformën në administratën publike, në amendamente theksohet nevoja për ndërtimin e një administrate të depolitizuar dhe profesionale, pasi ajo do tê mbajë peshën kryesore tê negociatave të anëtarësimit, si dhe nga ana tjetër forcimin e organeve të pushtetit lokal. Lidhur me të drejtat e njeriut, ka një sërë amendamentesh për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri. Për më tepër rilindja ka kthyer Shqipërinë në vend të grumbullimit dhe tranzitimit të drogave të forta si kokainë dhe heroinë si dhe në vend të prodhimit dhe eksportimit të hashashit. Kjo situatë e agravuar në ekstrem është reflektuar edhe në raportet e organizmave ndërkombëtare. Në raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit të bërë publik pak javë më parë, nënvizohet fakti se pavarësisht luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikut të drogës, Shqipëria vijon të jetë një burim shumë i madh në prodhimin e canabis-sativa dhe një vend tranzit për trafikimin e kokainës dhe heroinës drejt vendeve të BE-së. Dy vitet e fundit është theksuar me forcë, lidhja e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligj-zbatuese me kultivimin dhe trafikun e drogës drejt vendeve të BE, nëpërmjet portave kufitare tokësore, detare e ajrore edhe me transport transit nga vendet e rajonit si Kosova e Maqedonia, realitet ky, i njohur dhe i pranuar si nga organizmat ndërkombëtare ashtu dhe agjencitë partnere euro-atlantike. Raportet e Brukselit, citojnë: “Që prej vitit 2014-2015-2016 e deri sot, trafiku i drogës shqiptare drejt Italisë, Greqisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian janë vendosur nëpërmjet Shqipërisë dhe kjo konfirmohet nga sasitë e mëdha të heroinës dhe kokainës të sekuestruara nga agjencitë ligjzbatuese italiane”. Të gjitha këto fakte provojnë se ky rigjallërim i frikshëm i grupeve kriminale të strukturave shqiptare brenda dhe jashtë vendit nuk mund të bëhet pa përfshirjen e strukturave të shtetit dhe politikës në këto aktivitete. Kujtojmë, që këto fakte shqetësuese janë thënë qartazi edhe nga zyrtarë dhe funksionarë të lartë të antimafias italiane, ku veçon deklarata e Prokurorit të Antimafias së Leçes, Mota, i cili kërkoi ndërhyrje energjike, të plotë dhe urgjente kundër kultivimit dhe trafikut të drogës, për të cilën edhe pse është masive dhe e paprekur nga policia, kryeministri Rama dhe ministri Tahiri, deklarojnë: “Në Shqipëri nuk ka drogë, nga Shqipëria nuk trafikohet asnjë gram”! 
Sigal