Brigada VIII Sulmuese ose “Brigada I e Re”

947
Safet N. Ramolli

Nga krijimi i çetave të para partizane, ditë pas dite, javë pas jave dhe muaj pas muaji, Lëvizja Antifashiste Nacional¬-Ҫlirimtare në pranverën e vitit 1944 ishte fuqizuar mjaft, duke patur si forcë të armatosur më shumë se 35 mijë luftëtarë. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë gjykoi dhe vendosi që të formojë edhe një njësi të re krahas 5 ekzistueseve, pra të krijohet Brigada e Tetë Sulmuese. Përmes një urdhëri të veçantë ai urdhëronte edhe sa vijon: “… Komisari i atij shtabi (Shtabi i Zonës së Parë Operative, N.Zh) shoku Qazim Kondi është caktuar për organizimin e reparteve që do të marrin pjesë në Br. e 8-të S. Ai duhet të kujdeset gjithashtu për armatimin e kësaj Brigade, të grumbullojë ushqime në një zonë të përshtatshme, ku do të bëhet inagurimi i kësaj Brigade”. Dhe luftëtari trim, me mjaft përvojë, jo vetëm në organizimin dhe drejtimin e luftimeve, por sidomos në organizimin e bashkëpunimit me komandat e nënreparteve dhe reparteve partizane, por edhe me drejtuesit e forcave territoriale, mjeshtër i rrallë në punën me drejtuesit në terren dhe me popullsinë, fjalë-ëmbëli dhe kuvëndari Qazim Kondi, e vlerësoi si zakon që e kishte ai, me mjaft përgjegjësi këtë detyrë, që kishte të bënte me marrjen jetë të një formacini të ri partizan. Ai e kishte fare të qartë se nga mënyra se si merrte jetë një formacion i ri, përzgjedhja e kuadrove drejtues, serioziteti i veçantë në organizimin dhe rrënjosjen e frymës së bashkëveprimit dhe të motivimit për LIRI, PAVARËSI, TËRËSI TERRITORIALE, ishte hapi i parë por edhe themeli për suksesin e së ardhshmes. Porosia në urdhërin e mësipërm ishte që kompletimi i njësisë së re të bëhej me partizanë e partizane me përvojë në veprimet luftarake të mëparshme gjatë viteve 1942-1943. Pas një pune intensive, i dërguari i Shtabit Epror, arriti në përfundimin se ishin krijuar të gjitha kushtet për krijimin e Brigadës së 8-të S. Prandaj më 25 prill 1944, në Sheper të Zagorisë nis udhëtimin luftarak kjo njësi e re. Ishin përzgjedhur 915 luftëtarë e luftëtare nga repartet skzistuese, përkatësisht: 86 vetë nga Batalioni “Ҫamëria”, nga 110 luftëtarë do të sillnin Batalionet “Perlat Rexhepi”, “Koto Hoxhi” e “Misto Mame”; 94 do të vinin nga Batalioni “Thanas Ziko”, 140 nga Batalioni “Dëshnica”; 75 nga Grupi i Parë i Kurveleshit, 50 të tjerë nga Grupi i Tretë, dhe të tjerët nga zona e Mallakastrës. Nga gjithë efektivi 93 ishin kuadro drejtues e komandues të niveleve të ndryshme, 66 ishin shoqe partizane, 46 ishin të moshës fare të re, prandaj edhe thirreshin “Partizanë-pionierë”, dhe shembullin e pjekurisë dhe vendosmërisë do ta jepnin 107 luftëtarë e luftëtare të organizuar në Partinë Komuniste Shqiptare. Flamurin Luftarak në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e dorëzoi, pikërisht ai që ishte ngarkuar me përgatitjen e gjithçkaje për inaugurimin e kësaj Njësie të Re, fjalëngrohti Qazim Kondi, i cili përpos të tjerash shprehu besimin e palëkundur se “Partizanët e Brigadës së Tetë Sulmuese, flamurin luftarak që iu dorëzua, do ta mbajnë lart me nder e lavdi dhe do ta shpien fitimtar nga beteja në betejë…” ; dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, siç do ta argumentojmë me pak shifra në vijim. Fillimisht kjo njësi kishte armatim të kufizuar: 10 mitraloza të rëndë; 4 mortaja 81 m/m; 2 armë kundërtanke, dhe pjesa tjetër armë të lehta të prodhimeve të ndryshme; por që sipas orjentimeve bazë, fuqizimi me armatim e municion do të bëhej kryesisht nga ai që do t’i kapej armikut në fushë-beteja. Veprimtaria luftarake e Brigadës së 8-të S filloi që në ditët e para të organizimit, por sidomos u vlerësua dhe çmua si detyrë tepër e rëndësishme dhe me mjaft përgjegjësi, marrja pjesë për sigurimin e punimeve të Kongresit të Përmetit (24-28 maj 1944), masë e organizuar me hollësi dhe përpikmëri, në pesë drejtimet më të afërta dhe që paraqesnin më shumë rrezikshmëri. Jo më pak u vlerësua lufta për çlirimin e Gjirokastrës, Beratit, Konispolit, Lushnjës dhe Tiranës, por edhe veprimet luftarake përtej kufirit shqiptar. Brigada e 8-të S në gjithë rrugëkalimin e saj u ndodh në 383 ditë-net luftime në 113 lloje luftimi të shkallës taktike dhe 3 të shkallës taktike-operative, prej të cilave 117 janë kryer jashtë kufijve territorialë në Mal të Zi dhe në Bosnjën Jugore në përbërje të Divizionit VI; përballoi 3700 km. rrugëtim në marshim-luftimi; mori pjesë në çlirimin e 5 qyteteve kryesorë, midis të cilëve: Gjirokastër, Berat, Lushnjë e Tiranë, pa përmendur çlirimin e fshatrave dhe krahinave të ndryshme. Në rrugëtimin-luftarak i është dashur që në acarin e dimrit të kalojë 14 herë lumenjtë kryesorë të vendit por edhe në Mal të Zi e Bosnjë përgjatë veprimeve luftarake në Berat, Lushnjë, Tiranë dhe deri në Vishegrad. Nga efektivi i kësaj Njësie Luftarake kanë dhënë jetën për “Liri e Vatan” 148 partizanë e partizane, 3 prej të cilëve janë nderuar me titullin e lartë “Hero i Popullit”; 176 të tjerë kanë marrë plagë pikërisht në luftime këtej e përtej kufirit; 53 prej të cilëve kanë mbetur invalidë. Vetëm për çlirimin e Vishegradit dhe të Tiranës dhanë jetën e tyre të re respektivisht 22 dhe 18 partizanë e partizane, ndërsa 8 të tjerë vdiqën më vonë nga plagët e marra. Ky kontribut i efektivit të saj përbën një vlerë të shtuar në kontributin në tërësi të luftëtarëve të lirisë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Një nga partizanët e kësaj njësie kujton me respekt dhe mirënjohje kontributin e femrave partizane, të cilat ai i konsideron më shumë se sa motra. Ato, përveç pjesëmarrjes në vijën e parë të luftimeve, kujdeseshin si motra për vëllanë edhe për t’u krijuar kushte sa më të mira të mundshme për jetesë, për t’u mjekuar plagët, për t’i varrosur me lotë hidhërimi në vend të nënave dhe motrave të tyre që u mungonin etj. Ja një pasazh i shkurtër gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës: “… na çuan në vendmjekimin më të afërt që shërbente si për kompaninë edhe për batalionin. Si e tillë ishte përzgjedhur një shtëpi në anën perëndimore, ku ishin caktuar si sanitare dhe infermiere shoqe partizane Kano Saliaj dhe Ateme Arapi, të cilat na dhanë ndihmën e parë, na pastruan plagët dhe na ndaluan hemorragjinë…”. Mandej ai vijon: “… mjeku i shumënjohur i brigadës, Grigor Konomi, bashkë me kryeinfermieren Theodhora Miho dhe kryeinfermierin e batalionit Pertef Kokalari, u kujdesën që ne të mjekoheshim, të vizitoheshim, dhe në orët e para të ditës së çlirimit të Tiranës më 17 nëntor (1944) na transportuan për në spital…”. Menjëherë pas çlirimit, por që Brigada e 8-të S ishte ende në Bosnjë, udhëheqja e shtetit të ri shqiptar gjykoi se vendi kishte nevojë në të ardhmen edhe për kuadro të kualifikuar në fusha dhe specialitete të ndryshme. Komanda e Përgjithëshme me urdhërin Nr. 456, dt. 8.12.1944, titulluar “Për kalimin e partizanëve-pionierë nga formacionet ushtarake në shkolla të ndryshme”, midis të tjerash artikulonte: “Megjithëse së shpejti çelen shkollat dhe duke marrë parasysh se kjo kategori ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për arsim, kjo komandë ka vendosur që t’i heqë nga ushtria dhe t’i vendosë nëpër shkolla të ndryshme…”. Në këtë kuadër, më 21 janar 1945, kur Brigada ndodhej në Plevlje të Bosnjës, erdhi urdhri që 73 efektivë në moshën më të re, prej të cilëve 16 partizane, të niseshin për në Atdhe nën shoqërimin e komandantit popullor me pamje e sjellje të një kreshniku të vërtetë, Xhako Kajca. Këta kuadro, krahas qindra e mijrave të tjerë, dhanë kontribut me vlerë për eleminimin e plagëve që trashëguam nga pushtimi i huaj, por edhe për shënimin e disa arritjeve si p.sh. për arësimimin dhe kualifikimin e mijra kuadrove, mjaft prej të cilëve janë akoma aktivë në politikën dhe në administratën shtetërore. Për cilësitë luftarake dhe morale që shpalosi efektivi i Brigadës e 8-të S, nga armiqtë është epitetuar “Brigada e Parë e Re”. Naxhi Zhupa, ish partizan i Br. së 8-të S, veteran dhe invalid i LANÇ-it.