Bregu i liqenit të Ohrit, Rama: Fund barbarisë së ndërtimeve, park turistik

50

Kryeminsitri Edi Rama është shprehur i kënaqur me punën që është bërë në bregun e liqenit të Ohrit. Shëtitorja 17.3 kilometra e liqenit të Ohrit, e gjelbëruar në të dyja anët e saj dhe një korsi për lëvizjen me biçikletë dhe një rrugë, që po ndërohet sipas kryeministrit do të sjellë një pamje të re në hyrjen e qytetit të Pogradecit.

“Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet, të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peizazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes. Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të  kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se të gjitha këto ndërhyrje do ta kthejnë bregun e liqenit të Ohrit në një nga aset e çmuara turistike të vendit. Përgjatë segmentit Lin-Pogradec po zbatohen projektet për rindërtimin e rrugës dhe rehabilitimin e gjelbërimin e bregut të liqenit të Ohrit, të financuara nga qeveria.