Bregdeti i rrezikuar, ambientalistët japin alarmin për ndotjen

653
Sigal

6  komuna prej 24 vitesh po mbushin detin me mbeturina

Janë 6 komuna të qarkut të Durrësit, të cilët po e mbushin prej 24 vitesh vijën bregdetare të Durrësit me mbeturina, duke nisur nga ato inerte, e deri tek organiket dhe ato të kompanive dhe firmave industriale.  Ky skandal vazhdon, pavarësisht masave nga qeveria dhe ultimatumeve se do të merren në ndjekje penale krerët e komunave dhe bashkive. Duke mos patur rrugë tjetër, kryetarët e komunave, pa pyetur fare për ligjet e shtetit, kanë urdhëruar  shoferë e mjeteve të transportit që kryejnë pastrimin e fshatrave, që mbeturinat t’i hedhin në zona të pabanuara pranë detit, ose t’i djegin. Ajo që ka ndodhur gjatë 25 viteve të fundit në bregun e detit në Durrës ka qenë depozitimi i mbeturinave inerte brenda në det, ndërtimet pa kriter në buzë të ujit si dhe prerja e pemëve të cilat kanë shkaktuar përmbytjen e një pjese të mirë të vijës bregdetare. Janë më shumë se 24 km vijë bregdetare, të cilat jo shumë vite më parë  kanë qenë ranishte dhe zona të gjelbëruara e që sot ekzistojnë janë përmbytur nga ujët e detit. Një fotografim satelitor i vijës bregdetare i cili shtrihet nga Gjiri i Lalzit deri te Porti detar, i realizuar nga specialistët italianë, tregoi se një pjesë e mirë e bregut të detit është përfshirë nga erozioni dhe është përmbytur nga ujët e detit në më shumë se 24 km gjatësi dhe 200 m gjerësi në hapësira të ndryshme përgjatë kësaj vije bregdetare. Specialistët e mjedisit kanë konstatuar se ky fenomen është shkaktuar nga dora e njeriut gjatë gjithë këtyre viteve. Shkak për këtë janë bërë depozitimet e mbeturinave inerte brenda në det në disa zona kryesisht në afërsi të Durrësit, prerja e sipërfaqeve të tëra me pemë si dhe ndërtimet pa kriter në det dhe në breg të tij. Territoret tashmë të përmbytura janë ato tek Gjiri Lalzit, në Kallm, në Rrushkull etj.. Në vend të pyjeve me pisha, ku dikur gjallonin kafshë dhe shpendë të rrallë, sot ka vetëm ujë deti. Ajo pjesë ka qenë rezervat pyjor, ku gjuanin për fazanë të artë udhëheqja politike e kohës së diktaturës. Pas viteve ‘90 sëpata preu pishat dhe zhduku një pjesë të mirë të pyllit. Është një vijë rreth  24 km gjatësi e pushtuar nga uji. Po ky fenomen ka marrë shtrirje përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut, duke përfshirë fshatin  Rinia  në të cilin një pjesë e bregut është transformuar në moçalishte. Më pas fenomeni shfaqet në zonën e Porto Romanos, ku fare mirë tendencën e futjes së detit në tokë e tregojnë bunkerët e kohës së Enverit të cilët dikur ndodheshin në breg të detit dhe sot janë afro 1.5 km  brenda në det, ku thellësia e ujit arrin deri në 120 cm. E njëjta gjë po ndodh në Durrës për shkak të depozitimit të mbeturinave  inerte në mënyrë masive sidomos ngjitur me murin rrethues të portit si dhe ndërtimi i disa pistave detare, të cilat kanë shkaktuar përmbytjen e një sipërfaqeje të mirë bregdeti në zonën e Currilave dhe të Bërrylit.