Bregdeti Golemi -Shkëmbi i Kavajës, ndërtime pa leje e afera korruptive

1837
Sigal

Qindra kilometra katror rërë janë zënë nga ndërtimet, janë prerë 11900 pisha

Prej vitesh Golemi dhe Shkëmbi i Kavajës, janë  kthyer në zona të banuara, duke humbur rëndësinë e tyre dhe strategjinë e zhvillimit të turizmit bregdetar. Ka 23 vjet që në Golem dhe Shkëmbin e Kavajës, KRRT e Qarkut Tiranë dhe Komuna Golem (nga e cila varet juridikisht zona) vazhdojnë të japin leje ndërtimi për ndërtimin e objekteve me  mbi 6 kate, kur sipas ligjit mbi Urbanistikën në Zonat Bregdetare e vitit 1994, “Nuk lejohen objekte të tilla si Hotele dhe Motele më shumë e 3 kate, duke ruajtur stilistikën dhe largësinë mes tyre, pa dëmtuar rërën dhe gjelbërimin”. Aktualisht sipas raportit të Shoqatës së Hotelierëve në Zonat Bregdetare, “në Golem dhe Shkëmbin e Kavajës deri sot llogariten të jenë prerë mbi 11900 mijë rrënjë pisha, një krim ekologjik dhe turistik në bregdetin e Adriatikut, por një tjetër rrënim mbetet edhe ndërtimi i objekteve me më shumë se 6 dhe 8 kate, duke sfiduar hotele apo komplekse turistike. Sipas njërit prej anëtarëve të Shoqatës  së Hotelierëve në Zonat Bregdetare  “aktualisht ne si pronarë objektesh turistike ndjehemi të konkurruar padrejtësisht, hotelet tona janë konform të gjitha lejeve dhe ligjeve të Urbanistikës Bregdetare, duke ruajtur parametrat teknikë, ekologjikë për të mos prekur asgjë nga perla e natyrës, por edhe për të konkurruar denjësisht në fushën e turizmit bregdetar”. Shoqata e Hotelierëve të Zonave Bregdetare ka protestuar vazhdimisht pranë Ministrisë së Turizmit, Qarkut Tiranë dhe KRRT-së saj, duke kërkuar zbatimin e kritereve në dhënie e lejeve të ndërtimit, pasi çdo shkelje e tillë, po sfidon dhe nxjerr jashtë  loje realisht komplekset turistike. Golemi dhe zona e Shkëmbit të Kavajës nuk kanë sot asnjë ndryshim nga qytetet si Durrësi e Kavaja, pasi edhe nga pikëpamja gjeografike ato janë bashkuar mes tyre me një rrjet të dendur ndërtimesh shumëkatëshe. Ato tashmë janë kthyer në zona urbane banimi dhe jo turistike, mishërim i turizmit detar.

MASAKËR ME MBËSHTETJE POLITIKE

Katrahura urbane dhe ekologjike në zonat më të lakmuara ka pasur padyshim gjatë 23 viteve të fundit një prapavijë të fortë politike. Ajo ç’ ka shohim sot në zona tona bregdetare ka nisur të ndodhë para shumë vitesh, dhe ka vazhduar me ritme shumë të shpejta ditën dhe natën. Njerëzit  u turrën mbi  pisha dhe zonave bregdetare, nuk pyetën për kushte atmosferike, për dëmet ekologjike për shkatërrimin e florës dhe faunës  apo pushtet vendor, madje ka objekte që kanë ndërtuar dhe pas  disa muajsh apo vitesh kanë marrë lejet e ndërtimit. Absurditete të tilla ndoshta ndodhin edhe sot, por me zonat bregdetare  të shpyllëzuara me format  nga më  mesjetaret dhe padyshim dëmi mbetet i pallogaritshëm. Pas vitit 1992, mbi Golemin dhe Shkëmbin e Kavajës u turrën  ata që u veshën me petkun e “pronarit” dhe servilët e tyre,  duke prerë pa mëshirë  pisha dhe duke  ngulur pa asnjë  leje nga  Komuna apo ndonjë institucion tjetër shtetëror, kioska prej hekuri, duke i  kthyer ato në pijetore dhe qebaptore të cilat jo  vetëm turizëm, por edhe turistë nuk mund të ofronin.  Sipas ARM Durrës dhe  Kavajë, llogariten të jenë prerë deri sot rreth 11900 rrënjë pisha të mbjella  60 vjet më parë. Por katrahura ka ndodhur dhe tani askush, nuk i kthen më Golemit dhe Shkëmbit të  Kavajës pamjen e dikurshme, por gjithsesi duhen ruajtur normat  dhe parametrat e  zhvillimit  të turizmit edhe në ato zona bregdetare, duke ndëshkuar shkaktarët e masakrës. Realisht atje infrastruktura  po bëhet, duke nisur nga kanalizimet dhe rrjeti i ujit të pijshëm, por fajtore mbeten edhe të gjitha qeveritë, të  cilat deri sot kanë punuar pa strategji zhvillimi për zonat bregdetare. Kush e masakroi Golemin dhe Shkëmbin e Kavajës? Kjo pyetje shpesh i është bërë deputetëve dhe ministrave . Ndoshta përgjigjet dhe shkaktarët e vërtetë shqiptarët i dinë, tek shohin vilat dhe pallatet luksoze madje, dinë edhe pronarët e vërtetë të atyre objekteve të struktura mes pishave që kanë mbetur akoma si relike të vetmuara.

Perla e Shën-Pjetrit po mbushet me ndërtime pa leje

DURRËS- Drejtuesit e pushtetit vendor në Durrës, si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve respektive që merren me ruajtjen e faunës dhe florës, japin alarmin për kasaphanën që po ndodh në bregdetin e bukur të Shën-Pjetrit, zonë  perlë,  e cila po mbushet me objekte pa leje. Prefektura ka mbledhur drejtuesit e komunave dhe bashkive të zonave të Ishmit dhe Jubës dhe drejtuesit e INUK dhe Shërbimit Pyjor, duke kërkuar evidentimin dhe marrjen e masave urgjente në terren, pasi në bregdet situate po bëhet shumë shqetësuese.  Në takim specialistët e  Shërbimit Pyjor i kanë raportuar Prefektit Alizoti lidhur me situatën skandaloze në bregdetin e Shën-Pjetrit dhe Ishmit  si dhe veprimet antiligjore të firmave dhe individëve për prerjen e pyjeve dhe ndërtimet pa leje të cilat me ligj janë zona të mbrojtura nga shteti. Plazhi i Shën Pjetrit i shpallur  nga qeveria  si “Zonë e mbrojtur nga shteti” para 20 vitesh,  prej kohësh i është nënshtruar  masakrës urbane, ku konstatohet prerja e pyjeve, pishave 40 dhe 50 -vjeçare, madje atje ka edhe drurë ulliri me moshë mbi 300- vjeçare. Por si të mos mjaftonte kjo, vjet kompania CEZ, ka shtruar pa leje në komunë,  pa leje kabllot e tensionit të lartë duke bërë që të dëmtohen me qindra rrënjë pisha shekullore.  Zona turistike e Shën Pjetrit ka dallesat e saj dhe  karakteristika për turizmin elitar, por atje ka nisur  dhe po përparon me shpejtësi furia e njerëzve që duan të sfidojnë ligjin dhe shtetin. Hapësirat midis pishave dhe detit  po zihen nga njerëz që po ndërtojnë barake, kioska pa leje, por nuk mungojnë edhe ndërtuesit që po ngrenë objekte me 3-4 dhe 5 kate, ndaj nisja e aksionit nga INUK duhet të jetë sa më parë. Nga ana e saj edhe  Drejtoria e Shërbimit Pyjor, ka përcjellë raporte në Inspektoratin Kombëtar Urbanistik, për  masa konkrete. Burime nga Shërbimi Pyjor thanë se “objektet  po dëmtojnë kurorën e gjelbër të sipërfaqes pyjore të plazhit të zonës Shën Pjetrit një nga më të bukurat dhe perlat e Shqipërisë  për vlerat e rralla, nga verifikimet rezultojnë një numër i madh ndërtimesh dhe pushtime parcelash për shërbime publike e turistike”. Veç  kioskave disa individë po ngrenë kolona betoni, duke pushtuar  pyjet  dhe kjo  është e paligjshme, nga ne gjithçka është e evidentuar, janë bërë procedime sipas ligjeve në fuqi, janë bërë  gjobitje  me vlera nga 80 deri 100 mijë lekë të reja, por edhe janë dërguar dosjet për procedime penale në Prokurorinë e Durrësit. Pjesëmarrësve në takim u është kërkuar të jenë më aktivë  pasi “është detyrë e pushtetit lokal, INUK dhe Shërbimit Pyjor, të marrë masa konkrete para se problemi të përfshijë të gjithë këtë zonë të mbrojtur nga shteti, pasi jo vetëm individët, por edhe firma ndërtimi  po  zaptojnë territor, i cili për nga vlerat turistike mbetet perla e vendit”. Qindra  rrënjë pishe, janë prerë në këtë zonë turistike të komunës së Ishmit. Pushtuesit e tokave presin pemët për të ndërtuar. Zona e Shën Pjetrit ka një sipërfaqe pyjore prej 255 hektarë, ku vetëm në zonën e bregdetit  të mbjella me pisha bregdetare janë rreth 90 hektarë. Vija bregdetare e Durrësit prej 68 km gjatësi, ka një numër të konsiderueshëm ndërtimesh abuzive në zonat turistike, pranë rërës, të cilat gjenden në bregdet.