Braktiset plazhi ‘kurativ’ i Divjakës

880
Sigal

REPORTAZH/ Pushuesit: “Çmimet janë shumë të larta”. Bizneset: Edhe pse kemi investuar po falimentojmë

Mëngjesi na ka zënë në hyrje të qytetit të bukur të Divjakës, ku gjatë ndalesës së parë takojmë një grup fermerësh të kësaj zone. Pasi prezantohemi bisedojmë më gjatë, ku i pyesim për prodhimet bujqësore pasi Divjaka njihet si një nga zonat më të mëdha që prodhon shalqinin, bostanin, pataten dhe perime të ndryshme, por ata shprehen “na preke aty, ku na dhëmbë më shumë”. Thoma Gjenci thotë se “prodhimet i kemi shumë të mbara, por mungon tregu, prandaj të gjitha prodhimet na prishen, sepse nuk shiten në kohë. Ne me këto prodhime kemi lidhur jetën, por mesa duket ditë të vështira na presin”. Ndërsa për plazhin e Divjakës një agronom 50-vjeçarë na thotë: “Është rregulluar shumë mirë. Nuk ka qenë asnjëherë në këtë gjendje kaq të mirë, me godina të bukura modern dhe uji e ambient të pastër. Madje as mushkonja nuk ka më, por atje nuk ka shumë pushues dhe fajin e ka varfëria”. Ndahemi me këta njerëz punëtorë dhe marrim rrugën në drejtim të plazhit.

Plazhi

Lëmë pas qytetin e bukur të Divjakës dhe udhëtojmë në rrugën e asfaltuar, që të çon në plazh. Futemi në kurorën me pisha gjigande, qindra vjeçare, ku zëri i bukur i bilbilave me këngën e tyre, na mrekullon. Duke udhëtuar përgjatë rrugës na del përpara një tra, i cili ishte vendosur në hyrje të plazhit. Ndalojmë dhe sipas rregullit jemi të detyruar të paguajmë 100 lekë të reja…. më pas futemi në plazhin e njohur të Divjakës. Plazhi kishte marrë fizionomin e vetë, pothuajse nuk kishte ndonjë ndryshim nga plazhet ballkanike. Me godina të bukura tre e katërkatëshe, me ambiente komode, ku nuk mungonin lulishtet çlodhëse. Po kësaj bukurie i mungonte, gjëja më e rëndësishme pushuesit, të cilët ishin reduktuar në numër nga kushtet ekonomike jo të mira që po kalojnë të gjitha familjet shqiptare. Në këtë plazh një hyrje, dhomë me aneks, ishte 35 mijë lekë të reja për 2 javë, përveç ushqimit që do të konsumoje gjatë 15 ditëve, pa llogaritur këtu dhe harxhimet e tjera ditore.

Po falimentojnë bizneset

Pronarët e ndryshëm privat për t’i ardhur në ndihmë, pushuesve kanë ndërtuar shumë lokale moderne, por ka edhe të thjeshtë, që pushuesit, sipas mundësisë financiare të zgjedhin kë të duan, por mungesa e pushuesve ka bërë që këto lokalë modern të shkojnë drejtë falimentimit. Pronarët e lokalëve shprehen se “krahasuar me një vit më parë, ka një rënie të theksuar të pushuesve dhe kjo dihet që është efekti i krizës ekonomike. Kjo ka bërë që dhe në të jemi në prag të falimentimit, pasi po na shkon dëm ai financim që kemi bërë për të ndërtuar këto lokale”. Pronari i një nga lokalët më të vjetër në plazhin e Divjakës, Palë Trungu, u shpreh: “Jemi në prag të falimentimit. Kjo ka ardhur si pasojë e krizës që ka prekur të gjitha familjet, të cilat nuk i përballojnë dot çmimet. Por çka është më e keqa, është se deti nga viti në vit po largohet dhe si pasojë ka krijuar dhe largimin e pushuesve. Por kjo nuk ka dhe shumë rëndësi se shumë pushues shkojnë me makinat e tyre në plazhe, por ajo që ne na mundon shumë është varfëria e madhe që ka kapur familjet shqiptare”, tha Trungu.

Rëra e Divjakës dhe pishat, kuruese të disa sëmundjeve 

Në këtë plazh numrin më të madh e kishin zënë personat që vuanin nga reumatizma, sëmundjet e mushkërive, astma, gjendrat tiroide etj.. Këta të sëmurë rekomandohen nga mjekët specialist për të shkuar në rërën e plazhit të Divjakës. Disa të sëmurë pensionistë që ne takuam në këtë plazh, shprehen: “Kemi kursyer disa muaj pensionet, për të ardhur këtu. Por është detyra e shtetit, që për këtë kontigjentë të sëmurësh, të marrin masa që të ndërtojë godinat me një çmim të arsyeshëm që të na strehojë ne të sëmurët. Privati ka bërë mrekulli në këtë plazh, por ne nuk i përballojmë dot çmimet e larta. Një gjë e mirë për ne është zhdukja e mushkonjave, sepse ato ishin torturë me vete”, thanë ata.