Bovilla, Shkopeti, Morno dhe një mesazh për kryeministrin tim…

696
Abdurahim Ashiku

Shqipëria, duke perifrazuar Nolin është “anës lumit e pa larë, anës kroit gojëtharë”
Tirana tash prej shumë vitesh nuk ka ujë të mjaftueshëm për të furnizuar popullatën gjithnjë në rritje, nuk ka ujë njëzet e katër orë pa ndërprerje. Tirana, po të mos ishin “kazanët” e stërmëdhenj mbi tarracat e pallateve të vjetër e nëntokë në pallatet e reja, “kazanë” që vlerësuar në lekë apo euro e investuar në ujësjellës do të ndërtonin një “Bovillë” të dytë (në mos dy), do të thahej në fyt e në trup.

Shqipëria vlerësohet se është një nga vendet e para në Evropë për ujë të rrjedhshëm të pijshëm për njësi sipërfaqeje e për frymë të popullsisë. Shqipëria duke perifrazuar Nolin është “…anës lumit i pa larë, anës kroit gojëtharë…”. Bovilla shënon “hapin e parë” në daljen nga furnizimi me ujë i qyteteve nga “burime natyrore” e bashkë me të edhe problemet e para që lidhen me marrjen dhe përpunimin e ujit “të ndenjur”. Gjatë këtyre dy dekadave është folur e shkruar shumë për problemet e basenit ujëmbledhës të Bovillës, për zhveshjen drastike që iu bë atij duke prerë në rrëzë pyjet e kësisoj duke i krijuar hapësirë erozionit (çka herë herë bëhet katastrofik), për ndotjen organike nga disa banorë “kokëshkretë” që nuk donin të “lëviznin”, për problemet e filtrimit dhe funksionimi i impianteve… etj, etj. Me sa u pa Shqipëria nuk ishte (dhe nuk është) e përgatitur për të marrë ujë nga ujëmbledhës artificialë e për ta çuar atë të pastër në çezmat e pallateve, me vetërrjedhje, edhe në katet më të larta. Në këtë kuptim Bovilla është një dështim. Shqipëria, edhe dje, edhe sot, por (me sa mendësohet) edhe nesër do të jetë rob i psikologjisë së “ujit në burim”. Drejtuesit e saj, si kuajt në karrocë i ka penguar dhe i pengon shikimi anash. Ata mundohen të ecin përpara pa parë anash, pa i hedhur sytë se si e kanë zgjidhur ujin e pijshëm me rrjedhje të lirë deri në katet më të larta, fqinjët. Këtë po e ilustroj me shembullin e Greqisë, shembullin e fqinjit ku jeton dhe punon një “çerek Shqipërie” në mërgim ekonomik. Athina në tërë shtrirjen e saj Atika, furnizohet me ujë të pijshëm të bollshëm me rrjedhje të lirë deri në katet më të larta të pallateve dhe të maleve-kodra rreth e qark, pa ndërprerje. Një popullsi sa dyfishi i gjithë Shqipërisë dhe sa 5-6 fishi i Tiranës ka ujë të bollshëm edhe për të pirë, edhe për t’u larë, edhe për të ujitur kopshtet pa kufizim. Në Athinë qytetarët pinë ujë drejtpërdrejt në çezmë. 

Dhe uji i Athinës konsiderohet si një ndër ujërat e pijshëm më të mirë në Evropë… Po si e ka arritur vendi fqinj këtë? Me anë të lumit dhe të liqenit të Mornosë… Lumi i Mornosë, prej atje ku buron e derisa derdhet në gjirin e Korinthit është shtatëdhjetë e shtatë kilometra i gjatë. Është një lumë i vogël si të gjithë lumenjtë e Greqisë. Më shumë se kaq nuk thotë teksti i gjeografisë së gjimnazit…

Por një tekst tjetër “gjeografie”, ai që është i lidhur me ΕΙΔΑΠ ( Εταειρεία Ύδρευσεις και Αποχέτευσης Πρωτεύσας – Ndërmarrja e ujë-kanalizimeve të kryeqytetit- ) dhe furnizimin pandërprerë të Athinës dhe rrethinave me ujë të pijshëm thotë të tjera gjëra… Lumi Morno nëpërmjet një dige që citohet të jetë “diga më e lartë prej dheu në Evropë me lartësi 126 m.”, kthehet në një liqen të bukur, si liqenet e bukur të vendit tim; i Ulzës, Shkopetit, Vaut të Dejës, Komanit, Fierzës, Thanës, Bovillës… Ngritja e digës dhe formimi i liqenit nuk kanë pasur synim prodhimin e energjisë elektrike por furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetit grek Athinës dhe të tërë Atikës. Duhet theksuar se ai nuk është i vetmi ujëmbledhës që është krijuar për të njëjtin qëllim. Si ai është edhe liqeni i Marathonës dhe të tjerë. Duhet theksuar gjithashtu se ai dhe të gjithë ujëmbledhësit e tjerë nuk janë vepra të “kohëve të fundit” por vepra me një zanafillë masive të viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Dokumentet e shkruara dhe veçanërisht fotografitë e publikuara në internet flasin për një punë sistematike për sigurimin e ujit të pijshëm për kryeqytetin,por edhe për të gjitha zonat e Greqisë.

Kanali që lidh ujëmbledhësin e Mornosë me Athinën është 188.5 kilometra i gjatë. Ai përshkon 67.5 kilometra tunele, 113,5 kilometra kanale të sistemit të hapur e të mbyllur, 7.5 kilometra sifone…

Në ujësjellësin e hapur ndërtuar me ferrobeton në çdo sekondë qarkullojnë 20-22 metro kub ujë…

…Nuk po vazhdoj më gjatë, veçse një brengë dua ta vazhdoj e ta ndaj me të gjithë, veçanërisht me Kryeministrin tim në ballë të fushatës për “Ujin e pijshëm” dhe për Lali Erin që na “mbiu e nuk po rritet” gjithë ditën kanaleve televizive tokësorë e satelitorë… Vendi ynë, Shqipëria, ka aq “liqene Morno” sa do të furnizonte me ujë të bollshëm, jo vetëm fqinjët në kufij tokësorë por edhe të kalonte detin. Shkopeti, matur me “kilometrat Morno” është shumë afër Tiranës, Durrësit, Kavajës…

Vau i Dejës e Komani janë shumë afër Shkodrës e Lezhës… Të ndalemi vetëm tek njeri, liqeni i Shkopetit, i cili në “rrugë automobilistike” nuk është më larg se 50-60 kilometra nga Tirana dhe Durrësi. Uji pasi rrotullon turbinat dhe, që nga viti 1962 përcjell dritë elektrike për vendin, mbetet “i lirë”, pa asnjë pengesë për të rrjedhë drejt detit. Uji është i pastër, ndër më të pastrit e liqeneve natyrorë dhe artificialë. Një kanal i hapur (si ai i Mornosë) ose një trase me tuba të diametrave të ndryshëm, një impiant pastrimi me parametra bashkëkohorë do të bënte të mundur që tërë hapësira nën kuotë të furnizohej me ujë të pijshëm të bollshëm në linjën Milot-Laç-Fushë Krujë-Vorë-Shijak-Durrës-Kavajë… Pse jo edhe një pjesë të ultësirës së Tiranë… Uji i liqenit të Shkopetit nuk ndotet nga rrjedhjet në basenin e tij, është gjithnjë i patër. Sa do të ishte investimi? Le ta vlerësojnë specialistët por unë, nga sa kam lexuar dhe lexoj (edhe në internet) them se kostoja e tij do të ishte shumë më e ulët se sa kostoja e marrjes së ujit për Durrësin nga burimet nëntokësore të Fushë Kuqes. Lexoj në internet se për këtë janë shpenzuar (dhe vazhdojnë të shpenzohen) qindra miliona euro dhe përsëri Durrësi vuan për ujë, e ka të racionuar atë në orare të lëvizshme.

Unë thjesht po përcjell një mendim…

Kryeministri im le ta studiojë dhe po i pëlqeu le të urdhërojë që të shndërrohet në projektim…