Botohet në Poloni libri për Prof. Stanisllav Zuber, shkruar nga Prof. Arqile Teta

1341
Kujtim Onuzi
Në fillim të këtij viti, në Poloninë me rreth 40 milionë banorë, botohet në gjuhën polake libri monografik me autor Prof. Dr. inxh. Arqile Teta kushtuar gjeologut të shquar Prof. Stanisllav Zuber. Ky libër monografik shtjellon në mënyrë të plotë e të gjithanshme jetën dhe veprën e tij, arritjet gjeologjike të këtij shkencëtari për periudhën 20-vjeçare që punoi në vendin tonë (1926-1947), zbulimin e vendburimeve te naftës dhe përpilimin e shumë hartave, duke hedhur kështu bazat e gjeologjisë krahinore të Shqipërisë. Jeta dhe vepra e profesor Zuber-it e shkruar me një kulturë shkencore e profesionale të një niveli të admirueshëm nga Prof. A. Teta, bindi recensentin Dr Hab. Gzhegozh Barçik (Grzegorz Barczyk) i Universitetit të Varshavës të japë miratimin për botimin e e kësaj monografie me vlerësime shumë pozitive dhe mandej Ministria e Kulturës dhe e Trashëgimisë Kombëtare e Republikës së Polonisë mbuloi shpenzimet për përkthimin, botimin dhe honorarin e autorit. Libri monografik në polonisht i përmbahet besnikërisht origjinalit shqip. Edhe titulli është i njëjtë: “Profesor Stanisław Zuber, Życie i Dzieło” (Profesor Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra). Libri është përkthyer nga Dorota Horodiska (e njohur për përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë) dhe është botuar në Varshavë, më 2017, nga shtëpia botuese “Poza krajem”, në 207 faqe, format 16×24, me letër të kualitetit të lartë. Botimi brenda ka shumë fotografi cilësore me peizazhe nga natyra shqiptare.

Mes gjeologëve, që kanë punuar në Shqipëri, spikat fort pa mëdyshje, personaliteti shkencor i profesor Stanisllav Zuber (1893 – 1947). Kjo figurë monumentale e gjeologjisë që, megjithëse kaloi në kalvarin e vuajtjeve e persekutimeve dhe u flak në humnerën e harresës, përsëri mbijetoi. 

Në periudhën e parë si gjeolog Zuber-i punoi në hapësirën e pasur me naftë e gaz: Nga Azerbajxhani, në brigjet e detit Kaspik dhe deri në Kaukazin lindor. Më 1921 kthehet në qytetin e lindjes Lvov dhe në Universitetin e atjeshëm më 1924 merr gradën shkencore Doktor filozofie (Phd) në gjeologji. Më 1927 në Universitetin e Jagiellonjskit në Krakov të Polonisë mbron disertacionin e doktoraturës së habilitimit (grada më e lartë shkencore) dhe, më 1928 i jepet titulli Docent, i domosdoshëm për të dhënë leksione në universitete.

Me botimet e shpeshta në shtypin evropian për shkencat gjeologjike, Zuber-i bëhet i njohur si eksperti më në zë për gjeologjinë e pliocenit. E ftojnë për leksione në shumë universitete të Evropës. Referon në mjaft takime ndërkombëtare për teorinë e kërkimit të naftës e të formimit të saj. Në Kongresin XIV Botëror të Gjeologjisë në Madrid (1926) ndjen mbështetjen e shumë gjeologëve të njohur rreth tezave të tij për problemet e gjenezës dhe migracionit të naftës. Në Kongresin Botëror të Naftës në Bukuresht, po atë vit, ai spikat si gjeolog i talentuar për kërkimin e hidrokarbureve. E kërkojnë disa shoqëri të kërkimit të naftës. Italianët, me intuitën e “gjahtarit” të stërvitur për peshkimin e shkencëtarëve, ngulmuan sepse u duhej një gjeolog i talentuar e me përvojë për kërkime hidrokarburesh. S. Zuber-i pranon ofertën e tyre për të punuar si gjeolog në kërkimin e naftës në Ballkanin Perëndimor. Shkel fillimisht Malin e Zi. Pasi arrin në konkluzionin se atje nuk ka naftë, me intuitën e një gjenie, në fund të vitit 1926, u drejtua drejt Shqipërisë. AGIP-i (Shoqëria Italiane e Hidrokarbureve) krijoi posaçërisht për kërkimin e naftës e gazit në Shqipëri, shoqërinë AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), drejtimin e shërbimit gjeologjik të së cilës ia besuan Stanisllav Zuber-it. 

Stanisllav Zuber, në kërkimin e vendburimeve të hidrokarbureve, përqendron vëmendjen në sedimentet flishore. Studion çështjet e tektonikës e sidomos të neotektonikës (Pliocenit dhe Kuaternarit) dhe në mënyrë të veçantë formimin e faljeve tektonike. Këto studime me vlera teorike ndihmuan efektivisht në zbulimin e dy vendburimeve: Kuçovë dhe Patos. Pas vitit 1932, Zuber-i paraqet një studim mbi rezultatet e kërkimeve gjeologjike në Shqipëri dhe perspektiva për zbulime të reja. Ky studim përforcoi bindjen tek industrialistët italianë se hapësirat shqiptare janë të begata me naftë dhe tek ata u rrit entuziazmi se te Zuber-i kishin gjetur shkencëtarin gjeolog të pazëvendësueshëm dhe investimet e tyre arritën nivele të larta. Në vitin 1934, prodhimi i naftës nga puset e Kuçovës ishte i papërballueshëm nga rezervuarët e atjeshëm. Në këto kushte AIPA u detyrua të ndërtojë naftësjellësin Kuçovë-Vlorë dhe me rrugë detare, anijet-cisterna italiane e çonin në rafineritë e kontraktuara. Kuçova ishte bërë vend i njohur në tërë Evropën. Në vitet 1932 – 1938, Prof. S. Zuber zë kreun e gjeologëve evropianë. Kërkohet nga shumë shoqëri dhe vende për konsultime e asistencë shkencore dhe nga shumë universitete për ligjërata. Gjatë 4 vjetëve, 1932-1935 vetëm në arkivat tona ndodhen mbi 36 punime shkencore të tij, pa përmendur ato në vendet e tjera. Më 1938 në Kuçovë mblidhen në një takim shkencor (Convegno) gjithë profesorët e gjeologjisë të universiteteve të Italisë dhe të tjerë të ftuar nga Perëndimi për t’u njohur me rezultatet e Zuber-it. Kuçova u quajt atëherë “Mesopotamia e Re”. Ata u njohën në Kuçovë dhe me Muzeumin Gjeologjik shumë të pasur që kishte ngritur me shumë mundime e sakrifica Zuber-i, të cilin kërkonte ta bënte më përfaqësuesin e gjithë gjeologjisë së Ballkanit. 

Rezultatet e arritura nga Zuber-i e detyrojnë shtetin Italian, që me dekret të posaçëm, ta caktojë atë në krye të kërkimeve për naftë në gadishullin Apenin (ndonëse në Itali ishin disa gjeologë të dëgjuar si: Leo Maddalena, La Viosa, G. Ineichen, C. Porro etj.). Ai e pranoi këtë si detyrë, jo vetëm profesionale, por edhe si detyrë nderi. Ambasada e Polonisë në Romë i lutet Universitetit të Jagellonjskit që cikli i ligjëratave t’i shtyhen prof. Zuber-it për vitin tjetër sepse mund të humbasë vendin e punës „…të zënë tashmë nga shkencëtari polak”. Me shkencëtarin Zuber krenohej Polonia. 
gjeologjik të vendburimeve xeherore të Shqipërisë” me një fuqi mendimi shkencor e përfytyrues i çoi shumë më përpara gjithë arritjet para tij. Kjo, jo vetëm falë aftësive të tij gjeniale, por dhe një pune e sakrificash të paarritshme. Zuber-i, siç studioi shkëmbinjtë sedimentarë, po ashtu studioi dhe përpunoi pikëpamjet e tij mbi magmatizmin shqiptar dhe vendburimet e mineraleve xeherore. Zuber-i u jep rëndësi lidhjeve gjeologo-petrografike dhe strukturave tektonike të mineralizimeve. Ai dha një tablo të qartë për shkëmbinjtë efuzivë dhe për ata ultrabazikë dhe në mënyrë të veçantë për formacionet e kompleksit ofiolitik të “Mbulesës shqiptare”. Studimet dhe konkluzionet e tij praktike për mineralizimet sulfurore, për mineralizimet e kromit në masivet ultrabazikë dhe për mineralizimet e hekur-nikelit, shërbyen për zhvillimin e industrisë minerare në dhjetëvjeçarët pas Zuber-it. Më 1946, Zuber- i i dha Ministrisë së Ekonomisë një studim mbi pikat mineralmbajtëse të xeherorëve, i cili u bë bazë për hapjen e ndërtimin e minierave të reja në gjithë vendin. 

Zuber-i ishte i bindur se për njohjen dhe interpretimin e gjeologjisë krahinore të Ballkanit, gjeologjia e Shqipërisë ishte nyjë lidhëse shumë e rëndësishme dhe për faktin se ishte e studiuar dhe e njohur më mirë se e vendeve të tjera të Ballkanit. Prandaj disa muaj para se të arrestohesh (Korrik 1947) i shkruan autoriteteve qeveritare nevojën e ngritjes së një Instituti Gjeologjik Ballkanik dhe të një Muzeu Gjeologjik Ballkanik në Tiranë, me qëllimin e lartë fisnik që Shqipëria, e cila për të ishte e dashur si atdheu tij Polonia, të bëhej qendër e studimeve gjeologjike ballkanike. Por dhe kjo ëndërr e këtij shkencëtari pati fatin mizor si jeta e tij. 

Zuber-i ka lënë mbi 72 vepra shkencore të botuara dhe mbi njëqind harta gjeologjike të shkallëve të ndryshme ku spikatin hartat madhore si: Harta Gjeologjike e Shqipërisë në shkallën 1:200 000 dhe Harta Tektonike e Shqipërisë në shkallën 1: 400 000 me mbulesat e famshme “Toska” e “Mirdita”. Në Arkivin Qendror të Gjeologjisë në Tiranë ndodhen mbi 480 punime që mbajnë firmën e tij. Kjo është një pasuri e madhe jo vetëm nga niveli shkencor, nga shtrirja dhe vëllimi, nga larmia dhe tematika, por mbi të gjitha nga vërtetësia e afirmimi i saj me rezultate konkrete industriale, me realizime aplikative që konfirmuan tezat e tij. Për shembull ai rekomandonte në formë hipotetike se „…mbase drejt veri-perëndimit (të Kuçovës) mund të shfaqen shtresa të tjera ranorike të ruajtura e të ngopura me naftë.” Kjo hipotezë e Zuber-it – shkruan gjeologu ynë, i ndjeri Petraq Xhaçka – u vërtetua 30 vjet më vonë. Gjeologët shqiptarë arritën të zbulojnë vendburimet e Marinzës, Bubullimës e Kallmetit”. Zuber-i në mjaft studime nxirrte në plan të parë si zona naftëmbajtëse më me perspektivë: Kuçovën në veri perëndim, Patosin, Fierin, Lushnjën. Zhvillimet e mëvonshme, me shpimet e bëra nga gjeologët tanë vërtetuan se largpamësia e Zuber-it ishte e pagabueshme. Në këto zona në depozitimet terrigjene-ranorike, u gjetën sasi të konsiderueshme nafte dhe gazi. 
Deri në viti 1943, AIPA kishte nxjerrë 6 milionë fuçi naftë bruto nga nëntoka jonë (rreth një milion ton). Në vitin 1943 ne nxirrnim rreth 300 000 ton në vit (sipas të dhënave të AIPA-s që me siguri jepte të dhëna të zvogëluara për disa arsye). Pas Luftës prodhimi ra dhe në 1946-47 filloi të ngrihej. Në Jugosllavinë e atëhershme nxirrej vetëm 33 000 ton në vit. Për këtë arsye u krijua atë vit nën presionin e Jugosllavëve, Shoqëria Shqiptare –Jugosllave e Naftës, e cila gllabëroi gjithë industrinë tonë të naftës, gjë që Zuber-i nuk e priti mirë dhe ata vendosën ta zhduknin, se e shihnin një pengesë të pakapërcyeshme. Në tetor të 1947 pas torturave çnjerëzore vdes në burgun e Tiranës pa dalë në gjyq Prof Stanisllav Zuber para syve të shkrimtarit Petro Marko, që ndodhesh në të njëjtën qeli. Vdekjen makabër të Zuber-it P. Marko e denoncoi qysh në prill 1991 në artikullin “Krim kundër kulturës universale” e më vonë dhe në botime të tjera.

Vetëm në Shqipërinë demokratike, vepra e Prof. Stanisllav Zuber-it u ringjall. Emri i tij u vendos në vendin e nderit në panteonin e gjeologëve martirë. Më 17 tetor 2011 u ngrit përmendorja e tij në Kuçovë dhe iu dha (pas vdekjes): Urdhri i Artë i Nënë Terezës: nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. 

Tashmë vepra e Profesor Stanisllav Zuber-it është në duart e çdo studiuesi e studenti. Jeta dhe vepra e tij e papërsëritshme, tani bëhet e njohur dhe në atdheun e tij, në Poloni.
Sigal