Bota akademike nën ethet e botërorit 2014

543
Sigal

Botërori 2014, flasin për “Telegraf” ministrja Nikolla, zv/ministrja Malaj, zv/ministri Mazniku, Profesorët: Kule, Malaj, Kaçani, Rrokaj, Hasko, Shegani dhe Maliqari

Sipari i këtij botërori ka ditë që është hapur dhe të gjithë jemi përfshirë në ritmet e sambës, të gjithë ndihemi pakëz lojtarë, apo pakëz golashënues. Edhe pse Shqipëria nuk përfaqësohet nga skuadra jonë kombëtare, (ndërsa përfaqësohemi me 5 futbollistë shqiptarë që luajnë me Zvicrën, 1 me Gjermaninë, 1 me Belgjikën dhe 2 me Greqinë) duket sikur gjithkush ka zgjedhur një zëvendësuese për të shoqëruar me emocion këtë eveniment të rrallë. Shqipëria është kthyer në një arenë tifozësh me biseda të zhurmshme, ku mbase si rrallë herë, mund të shohësh një ‘brazilian’, ‘italian’, ‘gjerman’ apo ‘holandez’ në një tavolinë mes miqsh, në një familje apo kolegë në të njëjtin institucion. Kështu duket se, brenda Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ministrja Lindita Nikolla, zv/ministrja Nora Malaj dhe zv/ministri Arbian Mazniku ndajnë mendime të ndryshme për Botërorin 2014, për skuadrat e tyre të zemrës, por qëndrojnë bashkë në përballimin me sukses të maturës shtetërore, reformës në arsimin e lartë, provimeve të lirimit, problematikave të sportit etj., në përditshmërinë e tyre të ngarkuar. Loja më popullore në botë është ulur këmbëkryq në të gjitha institucionet arsimore të vendit tonë dhe drejtues të saj komentojnë për “Telegraf” botërorin 2014, skuadrën e zemrës dhe parashikimet e tyre se kush do ta ngrejë kupën në vendin e sambës.

 Pyetjet e forumit

1. Po e ndiqni botërorin, si po ju duket?

2. Ekipi juaj i zemrës?

3. Parashikimi juaj, se kush do e fitojë botërorin 2014?

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Lindita Nikolla

 1. Po e ndjek botërorin me një vëmendje më specifike.

Gola të bukur, skuadra befasuese, janë dy prej ndjesive të para.

2. Ekipin për të cilin bëj tifo, me të dy vëllezërit e mi, që herët, është Gjermania.

3. Pretendente? Gjermania  dhe Holanda. Por, gjithsesi është shpejt të parashikosh, ndërkohë që… topi është i rrumbullakët.

Zv/Ministri i Arsimit dhe i Sportit Arbian Mazniku

1.Po e ndjek, por më pak se kampionatet e tjerë, duke qenë në një periudhë shumë të ngarkuar me punë në këtë kohë. Pjesa më e madhe e ndeshjeve që kam parë, kanë qenë shumë të mira, (por ndoshta ngaqë kam parë vetëm ndeshjet më të mira).

2. Unë jam tifoz i Holandës.

3. Me sa kam parë deri tani, Holanda ka më shumë gjasa për të fituar se çdo skuadër tjetër.

Zv/Ministrja e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj

1. Kampionatin botëror po e ndjek me shumë vëmendje, aq më tepër që jam dhe zv/ministre e Arsimit dhe e Sportit, por edhe për faktin që ndeshja të jep një energji pozitive dhe një frymë socializmi në të gjitha grupimet sociale e shoqërore. Mendoj që deri tani, botërori na ka dhënë ndeshje të bukura më një numër të shumtë golash dhe do të veçoja ndeshjet, ku doli fituese Italia dhe Gjermania.

2. Unë tifozerinë e bëj për Brazilin, ndonëse dhe në ndeshjen e parë fituese dhe në atë me Meksikën nuk ka dhënë maksimumin e saj, ndonëse shpresoj shumë të dalë në finale.

3. Mendoj se kupa edhe këtë herë do të jetë në Europë dhe për mua pretendente do të jenë Gjermania dhe Italia.

Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule

 1. Patjetër që e ndjek.

2. Holanda që shkatërroi Spanjën, kampionen në fuqi. Edhe pse holandezët nuk e kanë fituar kurrë botërorin, ata janë një kombëtare, që futbollin e kanë traditë.

3. Për të qenë realist, mendoj se botërorin 2014 do e fitojë Gjermania. Duket se janë grup solid dhe kompakt. I mendoj si favoritë në këtë kampionat.

Rektori i Arteve Petrit Malaj

1. Po e ndjek me kureshtje këtë botëror, por jam shumë i zhgënjyer nga disa skuadra të mëdha. Gara e Brazilit nuk më ka pëlqyer.

2. Tifoz jam me Italinë.

3. Brazili mund të fitojë, por nuk jam i bindur.

Rektori i Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani

1. E ndjek kampionatin me kënaqësi. Është sporti më popullor dhe më i thjeshtë, se nuk kërkon gjë tjetër veçse një top dhe skuadra ngrihet. Pikërisht, te thjeshtësia qëndron dhe madhështia e këtij sporti.

2. Si çdo brez që ka nostalgjitë e veta, edhe në futboll nostalgjia e brezit tim është Holanda.

3. Do fitojë ai ekip që mundi kampionen në fuqi, Spanjën, me rezultatin 5-1, pra Holanda.

Dekani i Filologji_Historisë Shezai Rrokaj

1. Po e ndjek. Është një botëror me efektivitet, me shumë gola dhe me surpriza, ku mjaft ekipe janë në fazën e plakjes si: Portugali dhe Spanjë dhe të tjerë që po rilindin si Holanda. Anglia dobët, ndërsa Franca jo me shkëlqim.

2. Tifoz? Varet nga ekipi që luan në një ndeshje. Por skuadra ime është Italia.

3. Parashikoj se fituesi do të jetë midis Gjermanisë, Italisë, Brazilit dhe Holandës.

Dekani i Inxhinierisë së Ndërtimit Gëzim Hasko

1. Patjetër, që e ndjek. Unë jam vetë sportist. Por zakonisht ndjek këto 2 ndeshjet e para, se ato pas mesnate nuk i ndjek dot, përveçse kur bëhet fjalë për një ndeshje që s’duhet humbur.

2. Tifoz jam me Holandën, sepse është i vetmi ekip që ka një futboll total dhe e kanë zili të gjithë ekipet e tjera, madje dhe ajo veten, se deri më tani ka fituar vetëm nga talentet.

3. Parashikimi është pak i vështirë, por besoj, ose më mirë të them, dëshiroj që kupa do të vijë në Europë.

Dekani i Drejtësisë Altin Shegani

1. Po, e ndjek me shumë vëmendje. Ky botëror po dëshmon se themelet e futbollit europian janë të konsoliduara. Janë superiorë, dinamikë, teknikë dhe për më tepër rezultativë. Skemat e futbollit europian janë të racionalizuara në funksion të realizimit të qëllimit. Ndërsa ekipet e Amerikës Latine po luajnë me skema të lexueshme dhe për më tepër nuk janë rezultative.

2. Unë bëj tifo për Gjermaninë.

3. Mendoj dhe shpresoj që këtë botëror ta fitojë Gjermania.

Dekani i Arkitekturë-Urbanistikës Andrea Maliqari

1. Kur kam kohë, me thënë të drejtën i kam ndjekur.

2. Që nga viti ‘74 jam tifoz me Holandën. Ndeshja e parë ishte mirë. Dhe, siç thonë “dita e mirë duket që në mëngjes”. Të shpresojmë që s’do kemi vranësira rrugës.

3. Ndeshjet e para nuk i përcaktojnë nivelet e skuadrave dhe varet se me kë luajnë. Në historikun e kampionatit botëror ka skuadra që nuk e kanë shprehur nivelin e tyre që në fazat e para, por më pas kanë treguar nivel tjetër. Vështirë të përcaktosh fituesin në këtë moment. Të gjithë thonë që Brazili është pretendenti, edhe si organizatori i këtij kampionati. Gjermania dhe Holanda nuk janë keq për të qenë objektiv.