Boshatiset në ‘fshehtësi’ godina e Ministrisë së Kulturës, mister destinacioni e emri i pronarit të ri!

534
Sigal

Institucioni zhvendoset tek ish-Kinostudio. Punonjësit: Na urdhëruan të ikim menjëherë. Flitet se do e marrë një biznesmen i njohur, i lidhur me qeveritarë e disa të huaj!

Ish-Shtëpia e Ushtarakëve që në kohën e Ahmet Zogut, përshtatur në godinë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (funksionoi si e tillë për disa dekada) e së fundi si godinë e Ministrisë së Kulturës, që nga dita e djeshme e ka humbur këtë funksion. Një urdhër nga Kryeministria (siç na thanë dje tek kjo godinë), i shpejtë e i papritur, ka vënë në lëvizje gjithçka, si në situatë lufte, transportin e orendive (kasafortave, kompjuterëve) në pak orë, drejt destinacionit të ri. Mësojmë nga i njëjti burim se aparati i Ministrisë së Kulturës, tashmë do të funksionoj në mjediset e ish-Kinostudios. Por nuk mësohet se kush do të jetë ‘pronari’ apo destinacioni i ri i kësaj godine. “Na njoftuan menjëherë të transportonim kompjuter, kasaforta e dosjet për në Kinostudio. Urdhri është dhënë shefave kryesorë që ditën e fundit të vitit, ndërsa ne sot (të hënën) na urdhëruan që puna fillon në godinën tjetër, në ish-Kinostudio. Nuk dimë me saktësi se kush do e marrë këtë godinë, por flitet që në mes është një biznesmen i njohur që ka lidhje me qeveritarë dhe me të huaj. Unë jam dëshmitarë i bastisjes e ndërrimit për herë të tretë të destinacionit të kësaj godine”- pohon për “Telegraf”, një punonjës që rrekej të drejtonte ngarkimin sa më shpejt të pajisjeve në automjetin që kishte bllokuar hyrjen e godinës. Ndërsa polici roje që kishte nën përkujdesje vazhdimin e operacionit të bastisjes, kur pa se gazetarët e “Telegraf” po fotografonin e ndiqnin bastionet ndërhyri:’Ju lutemi largohuni, po më prishni punë mua!”.

BASTISJA

Ora po shkonte 11:30 e ditës së djeshme. Një automjet me targë AA-268-HA ndodhtet gjysëm i ngarkuar me kompjutera, printera, telefona e disa paisje të tjera zyre. Ndërkohë, rreth 10 punëtorë (punonjës në ministrisë disa), futeshin në zyra, merrnin pajisjet e radhës e me shpejtësi vazhdonin të ngarkonin  mjetin. Një nëpunës, me një revoltë që vështirë ta përmbante na flet për –operacionin’ e ndëerrimit të destinacionit të godinës e transferimin në ish-Kinostudio. “Është hera e trëtë që jam prezent në ndërrimin e destinacionit të kësaj godine, pasi kam shumë vite në këtë dikaster. Në dy rastet e para, të paktën u fol dhe u qartësua destinacioni i kësaj godine. Ndërsa këtë radhë, po veprohet gjysëm-ilegalisht, e jo vetëm unë, e nuhasim se gjëra të tilla, tak-fak, nuk mbajnë erë të mirë. Në fakt, kështu flitet. Thonë që kësaj godine ja ka vënë syrin një biznesmen i njohur këtu, por e shtojnë se ai është i lidhur me qeveritarët e se godina mund të merret në emër të një shoqate a organizmi të një shteti të huaj. Po një gjë e them me bindje, pasi kam parë shumë këto dekada këtu: Me këto lëvizje, këto ndërrime destinacionesh, janë pjesëtarë të një organizmi që përfitojnë. Dhe nuk përfitojnë pak. Do i dalë ‘tymi’ shpejt dhe kësaj pune”- pohon nëpunësi për “Telegraf”.

TRANSFERIMI

Automjetet, pas ngarkesës, nisen drejt Kinostudios. Është godina e kompleksit qendror të Ish-Kinostudios që “shndërrohet” në Ministri të Kulturës. Dje, dhe pse pa punë efektive, punë zyre, Ministria e Kulturës ka funksionuar tek ish-Kinostudio. Në këtë godinë, për muaj me radhë, u punua më intensitet për rikonstruksionin tërësor të saj. Në brendi, godina ka ruajtur sot autenticitetin e ndërtimit dhe fizionominë që ka pasur përpara së të shkatërrohej… Investimi më i madh është bërë së jashtmi për fasadën, ndriçimin dhe mjedisin rreth.

Kompleksi qendror i Ish-Kinostudios u projektua nga një arkitekt rus dhe u ndërtua me ndihmën e Bashkimit Sovjetik. Punimet që filluan në vitin 1948, zgjatën më se 4 vjet dhe përurimi i këtij kompleksi daton më 10 korrik të vitit 1952. Sot, në këtë kompleks ka gjithfarë institucionesh publike dhe private, ndër to edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkiv Qendror Shtetëror i Filmit, së voni Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe rishtas, Ministria e Kulturës