Borë dhe shi në gjithë Shqipërinë, por nga nesër prisni dimrin e “vërtetë”

Teksa gjithë Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe borë, Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se sot pasdite deri nesër në mesditë priten reshje të dobëta, lokalisht deri mesatare në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Korçës.

Në zonat malore priten reshje dëbore në 500m mbi nivelin e detit (në veri-lindje në zona të kufizuara edhe më poshtë se ky nivel).

Sipas IGJEUM nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 4 / 11,

në vendet e ulëta: 0 / 10 dhe në vendet malore: -4 / 4 °C.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se ditën e sotme në pjesën e poshtme fushore të Lumit Vjosa do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve. Prurjet dhe nivelet më të larta do të vërehen përgjatë ditës së sotme.

Në ditën e nesërme dhe në vazhdim, Lumi Vjosa do të ketë ulje të ndjeshme të nivelit dhe të prurjeve. Përgjatë dy ditëve në vazhdim prurjet dhe nivelet në Lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të jenë të qëndrueshme me tendencë në ulje.

Lumenjtë e tjerë në të gjithë territorin do të kenë ulje të prurjeve dhe niveleve dhe nuk paraqesin rrezik.

Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.