Bora e parë zbardh skandalet e abuzimeve, që Bashkia e Korçës vazhdon të përsërisë vit pas viti

582
Edhe këtë vit bora e parë që ka rënë në qytetin e Korçës ka zbardhur të gjitha abuzimet që ndodhin në këtë bashki me fondet e miratuara për mirëmbajtjen e qytetit, si në rastin konkret, atë të pastrimit të akullit në stinën e dimrit, nga rrugët dhe trotuaret. Me rënien e borës së parë dhe uljen e menjëhershme të temperaturave në këtë qytet, të gjitha rrugët dhe trotuaret kryesore, por jo vetëm janë mbuluar nga shtresa e akullit, i cili është bërë problem për lëvizjen e qytetarëve korçarë. Është bërë problem për vetë faktin se pastrimi i akullit në rrugët e këtij qyteti ende vazhdon të bëhet si në mesjetë, nga disa punëtorë me lopata në duar, të cilët e kanë të pamundur të bëjnë punën që duhet në kohë rekord, siç mund të bëhej me anë të makinerive ta posaçme dhe kriposjes së rrugëve dhe trotuareve të mbuluara nga akulli, ashtu siç parashikohet në manualet ligjore. Vetë bashkia e këtij qyteti ka menduar që mund t’ia dalë mbanë edhe këtë vit, duke ju hedhur hi syve qytetarëve që rrezikojnë jetën e tyre në këto kalldrëme akulli, duke vënë në “punë” 4-5 punëtore me lopata në duar. Një punë që duhet bërë nga mjete të posaçme për largimin dhe kriposjen e rrugëve, bashkia e Korçës kërkon ta mbyllë me punën e krahut të disa punëtorëve me lopata në duar. Ndërkohë që këtë punë, pra pastrimin e rrugëve dhe trotuareve e ka për detyrim ta bëjë firma që pastron qytetin, pasi për këtë është nënshkruar një kontratë. Si çdo vit tjetër, as këtë vit bashkia nuk i ka kërkuar asnjë llogari kësaj firme, duke lënë vend për dyshime në menaxhimin e fondeve nga ana e bashkisë. Në këtë rast, asnjë rregullore e nënshkruar në kontratë nuk zbatohet, duke lënë edhe këtë vit qytetarët korçarë të vuajnë dyerve të spitaleve për shkak të dëmtimeve, si pasojë e rrëzimeve në rrugët e akullta të këtij qyteti. Ky skandal i përvitshëm, tregon edhe njëherë haptazi talljen që bashkia e Korçës bën me qytetarët e saj.
Sigal