Bollano takon drejtuesit e “OMONIA”-s

546
Sigal

SARANDË/ Pritshmëritë e minoritetit etnik grek nga qeveria “Rama” kanë qenë të mëdha, por nuk u realizua asnjë

Burime konfidenciale nga zyrat e organizatës “OMONIA” në Sarandë, konfirmojnë për “Telegraf” se, kreu i kësaj organizate ka qenë në një takim me drejtues kryesor të sajë në Sarandë. Takimi është bërë i mbyllur në formatin e një takimi të bisedave të punës. Ky takim, ndonëse shumë i mbyllur, bëhet në kohën kur janë shpallur nga kryeministri në ardhje, Edi Rama, portofolet e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, ku për çudinë e të gjithëve, PBDNJ-ja e Vangjel Dules, mbeti jashtë formatit të qeverisë RAMA. Burimi konfidencial citon se kjo temë është prekur në bisedë në përjetimin e pakënaqësisë së kryetarit të “OMONIA”-s, z.Vasil Bollano për veprimin e Edi Ramës, pasi Rama është përsëdyti herë që i heq pushtetin nga duart dhe e le me gisht në gojë z.Bollano. E pra ka ndodhur në zgjedhjet e lokale, ku ndonëse në një koalicion politik, Rama vendosi kandidatin e tij socialist për kreun e Bashkisë së Himarës, ku rezultoi dhe fitues me një rezultat të ngushtë ndaj Bollanos, kështu Bollano humbet Bashkinë e Himarës dhe do të rrijë në pritje të zgjedhjeve të 23 Qershorit për Kuvendin Popullor të Shqipërisë, ku për hir të së vërtetës mbajti peshën kryesore të fushatës për PBDNJ, pasi dihet që “OMONIA” është baza kryesore e PBDNJ-së, por edhe se në listën kandiduese të kësaj force politike në Qarkun e Vlorës radhitej i dyti, pas kryetarit Vangjel Dule dhe marrëveshja parazgjedhore mes forcave politike të aleancës së majtë qe që partitë pjesëmarrëse në Parlament, do të shpërblehen me një post ministror. Kështu që Bollanos i hapej rruga ose drejt Kuvendit, ose drejt qeverisë “Rama”. Por nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra. Pikërisht kjo situatë e ka detyruar kreun e “OMONIA”-s të zbres në qytetin bregdetar të Sarandës, ku ka edhe selinë kryesore kjo organizatë minoritare. Por edhe përtej këtyre takimeve të ngushta, opinioni i komunitetit minoritar në Sarandë, një komunitet i konsiderueshëm e me peshë në jetën e qytetit, shprehen me tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë së re për mos përfshirjen në këtë kabinet të përfaqësuesve të minoritetit etnik grek, ndërkohë që, në Parlamentin shqiptar marrin pjesë 5 përfaqësues të këtij komuniteti të shpërndarë nëpër forca të ndryshme politike. Reagimi i këtij komuniteti ndjehet në mjediset publike të qytetit dhe s’ka si të mos ketë qenë ndryshe edhe qëndrimi i z.Bollano, i cili dhe personalisht është më i riskuari. Kështu që takimi i Bollanos nuk ka mbetur pa komente, pavarësisht se asgjë zyrtare nuk është deklaruar, por pritshmëritë e minoritetit etnik grek nga qeveria Rama kanë qenë të mëdha, por nuk u realizua asnjë.

Pas shtatorit

Pas muajit shtator, kur vendi do të ketë edhe qeverinë e tij të re, pritet që kjo organizatë të shpallë edhe rezultatet e vetëregjistrimit të popullsisë së minoritetit etnik grek, pa kontestimit që i bënë procesit të censusit, organizuar nga qeveria shqiptare. Vet mosdeklarimet publike të këtyre takimeve pas shpalljes së kabinetit të ri qeveritar, të çojnë në një qëndrim kritik të kësaj organizate, të kreut të sajë dhe të komunitetit minoritar rreth PBDNJ-së së Dules, pasi dihet që ka edhe një forcë politike të minoritetit etnik grek në Shqipëri, MEGA, që nuk mundi dot të kapërcejë pragun e parlamentit shqiptar, por e reshtur në koalicionin e djathtë. A do të dijë të luaj MEGA me këtë situatë të krijuar, pasi dihet që ajo lindi si fraksion në gjirin e “OMONIA”-s ndaj Bollanos dhe klanit të tij. Gjithsesi, opinioni minoritar është i ngarkuar me re shiu dhe pakënaqësitë shumë shpejt do të zbrazin rufetë në qiellin politik.