Bogova, perla që fle nën prerin e Tomorrit

943

SKRAPAR/ Kryetari i komunës, Fadil Kapllani: “Me ndihmën që na premtuan ministrat Naço e Pollo situata do të ndryshojë”

Bogova është një pikë turistike, e cila shtrihet mes maleve. Pasi shkëputesh nga rruga nacionale Berat – Poliçan, lë në të djathtë rrënojat e ish-Kombinatit Ushtarak të Poliçanit, hynë në grykat madhështore të maleve, sigurisht që, diku përpara ndodhet një bukuri e rrallë, që quhet Bogovë. Ajo është vendosur në të djathtë të lumit Osum dhe malit të Tomorrit. Bogova ndodhet poshtë prerit të malit të Tomorrit. Kjo zonë turistike që shpesh i ngjan një vendi të shenjtë, ku vizitorët e shumtë nga të gjitha trevat celebrojnë festat e datëlindjeve dhe dasmat. Bogova është vendpushimi, në të cilën gjenden burime ujore malore që derdhen në lumin Osum të rrethuar nga një masiv pemësh. Është peizazh karakteristikë, ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore në shtratin e lumit, rrepet, pishat etj.. Në qendër të pikës turistike të Bogovës, ndodhen rrepet e grykës, objekt që funksionon si pikë turistike. Uji i ftohtë, mishi i qengjit në hell, shoqërohet me rakinë e famshme të Skraparit, ndërsa mikpritja dhe bujaria e këtyre njerëzve ka bërë që ky vend të thith shumë turistë vendas dhe të huajë. Peizazhi i Bogovës ka vlera mjedisore të pa zëvendësueshme, tepër shplodhëse për vizitorët e shumë që marrin rrugën për të kaluar një kohë sado të pakët me bukuritë e natyrës. Banorët e kësaj zone njihen për bujarin e tyre. Qendra e komunës ndodhet në mes të pikës turistike dhe të gjithë udhëtarët që udhëtojnë me autobusë apo makina, pinë një kafe apo një gotë ujë dhe më pas nisën për në qytetin e Çorovodës. Banorët e kësaj zone shprehen se pylli i bukur me egërsirë si derrat të egër, ujku, dhit të egra, edhe shumë vite më përpara kanë ngjallur dëshirën për gjueti, përmendim këtu ish- Kryeministrin Mehemet Shehu, i cili ishte gjahtar i vetëm që gjuante në këto pyje të bukur të Bogovës.

BOGOVË, NJË PREHJE NË VENDIN

Edhe pse shumica e banorëve deri tani ndihen të kënaqur, kanë mendimin, se shteti duhet të mendojë më shumë për fshatin që ai të mos braktiset. Në Bogovë ndjen vërtetë bukurinë, misterin dhe mrekullinë, ëndrrën dhe ashpërsinë e jetës midis ngjyrave të shkëlqyera të natyrës, këtu fryjnë erërat e lira! Ndaj këta njerëz meritojnë dhe më shumë… Gjelbërimi dhe bukuria e pyjeve, Osumi përfund dhe Rezervati i Bogovës, ky “monument” natyror me sipërfaqe 350 ha, aty ku rriten derri i egër, lepuri, dhelpra e shumë shpendë të egër, vendi që për 50 vjet me radhë ka qenë privilegj vetëm i krerëve të lartë të shtetit, aty ku dikur gjuante derra ish-kryeministri Mehmet Shehu, sot nuk është më “mollë e ndalueme”, por pasuri e të gjithëve. Bogova është vendi i bujarisë, sepse të tillë janë njerëzit në këto anë. Bujare është edhe toka ku ata jetojnë. Këtu ku rriten sherebeli, kërpudha natyrore, salepi, trëndelina, rigoni e çaji i malit. Kësisoj fshati turistik, Bogova është dhe mbetet një nga perlat e turizmit malor në vend.

HISTORIA E BOGOVËS

Fshati turistik i Bogovës ndodhet në lartësinë 265 m mbi nivelin e detit. Më parë Bogova ka qenë lagje e Novajt. Fshati filloi të popullohej rreth viteve 1950-të, por zhvillimin më të madh e mori pas viteve 1990-të, kur edhe u krijua si qendër komune. Në këtë fshat turistik ndodhet edhe hidrocentrali më i madh në qarkun e Beratit, i cili furnizohet me ujin e burimit të Bogovës. Po nga ky burim marrin ujë të pijshëm edhe qyteti i Poliçanit, fshatrat përgjatë rrugës dhe qyteti i Beratit. I projektuar nga Prof. Farudin Hoxha, hidrocentrali me fuqi 2550 kilovat/orë ose 2.5 megavat, ka filluar prodhimin e energjisë elektrike në vitin 1972. Një nga qëllimet e ndërtimit të këtij hidrocentrali ishte furnizimi me energji elektrike i vilave të udhëheqësve komunistë të ndërtuara në Krorëz. Bogova është e populluar nga banorë të ardhur nga zonat e Skraparit dhe fshatrave përreth saj. Ajo përbëhet nga 9 fshatra me rreth 2500 banorë. Së bashku, Bogova, Novaja, Bargullasi, Nishova, Kakruka, Dobrusha, Përparimi, Selani dhe Jahupasi, fshatra të kapur dorë për dorë, ngjajnë me një ansambël artistik që për kostum kanë gjelbërimin e përhershëm dhe lulet shumëngjyrëshe që në këtë kohë kanë qëndisur lëndinat, për muzikë kanë këngën e zogjve, banorë të përhershëm të anëve rrëzë Tomorit.

TURISTËT

Ndërkohë që këtë sezon pritet të dyfishohet numri i turistëve, 10 mijë ka qenë numri vizitorëve një vit më parë në Bogovë. Por Bogova, e quajtur ndryshe edhe si porta hyrëse e turizmit në Skrapar, pret e përcjell çdo fund-gushti besimtarët e kultit bektashi nga i gjithë vendi dhe hapësirat mbarë shqiptare. Ata ngjiten në malin e shenjtë, në malin e perëndive e të Dodonës pellazgjike. Tomori është quajtur mal mbretëror, ai është quajtur edhe baba Tomori. Nuk ka mal tjetër në botë që të quhet baba, ndaj edhe është konsideruar si mali mbretëror që bashkon shqiptarët pa dallim feje, krahine apo ideje. Ndërkaq, kryetari i komunës, Fadil Kapllani pohon se Bogova si zonë turistike me një potencial shërbimi model, me hotele e restorante, i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar turizmin. “Sfidat që kemi përpara janë të shumta dhe lidhen pazgjidhshmërisht me investime të mëdha. Kemi dy emergjenca, për të cilat duhet të ndërhyhet, në mënyrë që ky fshat turistik të mos i humbasë vlerat. Bëhet fjalë për infrastrukturën rrugore dhe sistemimin e përroit të Bogovës. Me të ardhurat e komunës nuk mund të përballohen këto investime”, – shprehet kryekomunari. Sipas tij, ministrat Nasip Naço e Genc Pollo, njëkohësisht deputetët e zonës, kanë premtuar se shumë shpejt Bogova do të ketë një infrastrukturë model, çka do të ndikojë në shtimin e numrit të vizitorëve. Dhe largohesh prej këtej dhe përsëri ndjen dhe duket sikur njeriu për një çast harron jetën e vet të mistershme, sikur gjithçka nuk lëviz ose ecën shumë ngadalë, por nuk ndodh kështu, në të vërtetë ata ecin me shumë shpejtësi që të ngjallet më shumë se një shpresë! Njerëz që jetën e pëlqejnë qoftë dhe të shkurtër, por të ashpër si këto lartësi dhe me përgjegjësi ndaj vetvetes. Këtu ndjen vërtetë bukurinë, misterin dhe mrekullinë, ëndrrën dhe ashpërsinë e jetës midis ngjyrave të shkëlqyera të natyrës, këtu fryjnë erërat e lira! Ndaj këta njerëz meritojnë dhe më shumë…