Blushi: Vetëvrasja në burg, Shteti nuk mban përgjegjësi

609
Sigal

Duke reaguar në lidhje me vetëvrasjen e të riut Estref Halili në burgun e Rrogozhinës, kreu i Partisë Libra, Ben Blushi thotë se ai nuk është i pari që humb jetën në besën e shtetit.

Ky është Estref Halili, që u vetëvra në burgun e Rrogozhinës pasi kishte përfunduar aty për një cigare hashash. Nuk është i pari që humb jetën në besë të shtetit që duhet ta mbronte. Para tij i ka ndodhur Ardit Gjoklajt në Sharrë apo Isufit që nuk kishte paguar faturën e energjisë dhe përfundoi si Estrefi. Askush nuk mban përgjegjësi për ta. Askush nuk ikën nga puna,askush nuk kërkon ndjesë, askush nuk i ngushëllon.

Në Republikën tonë nuk ka asnjë investitor të fushave me kanabis në burg. Ata mbrohen nga shteti. Ndërsa djem si Estrefi kalben në burg se kanë pirë cigaret që shiten me licence shtetërore. Kjo është Republika e Kanabisit. Po të mbjellësh një arë je i lirë, po të shesësh një ton je i mirë, po të blesh një gram je i grirë, po të pish një cigare je i fshirë. Ngushëllime familjes së Estrefit. Shpresoj të jetë i fundit!

I riu u vetëvar në banjon e qelisë së burgut të Rrogozhinës mbrëmjen e 3 janarit. Ai ishte arrestuar për 3 gram kanabis më 22 dhjetor, teksa e konsumonte me dy shokë të tij.