Blushi në Korçë: Ky nuk është vendi që meritojmë, fajin nuk e ka populli por qeveria

588
Deputeti kritik i Partisë Socialiste, Ben Blushi zhvilloi pasditen e sotme një takim me mbështetësit e tij në qytetin e Korçës. Temë e bashkëbisedimit të Blushit me përfaqësuesit e strukturave lokale të PS-së të qytetit Juglindor kanë qenë pikërisht kritikat që ai ka shprehur në publik për shkeljen e statutit të PS-së nga Kryeministri, Edi Rama si dhe për nevojën e lejimit të garës për kreun e partisë. Blushi e cilësoi takimin si “një bisedë për Shqipërinë”. “S’kam ardhur për miting, por për një bisedë mes miqsh”- iu drejtua Blushi mbështetësve të tij.
Deputeti theksoi se ky nuk është vendi që meritojnë shqiptarët. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për shpresë për tu rregulluar. “Fajin nuk e ka populli për gjendjen sot, por qeveria. Qeveria thotë ka punë, por shqiptarët janë dembelë. Unë nuk mund të pranoj këtë, duhet të reagojmë. Ky nuk është vendi që meritojmë. Jemi në mes të Evropës, i kemi të gjitha mundësitë. Nuk kam qëllim të ndaj partinë ku jam. Nuk më ftuan tek takimi i Ramës. Jam deputet i Elbasanit por mua s’më ftuan. Nuk me ftojnë më. Me thonë s’ke të drejtë të zgjidhesh, un s’kam hyrë në biznes privat dhe kjo parti është kthyer në një e tillë.”- deklaroi Blushi.
Ben Blushi ka ndarë në takimin e tij të sotëm në Korçë edhe pikat kryesore të platformës së tij për kryetar të PS-së. Deputeti socialist është shprehur se nëse do të lejohet që të shpalosë platformën e tij në Kongresin e 19 Marsit se si mund të drejtohet më mirë PS-së ai do të kërkojë dekriminalizim të partisë, të financave të saj, kufizim të hyrjes së biznesmenëve të mëdhenj, referendum për çështje madhore, etj. Korça është stacion i dytë i Blushit në këtë fushatë të tij për kryetar të PS-së, pas Kukësit, ku në fakt ai ishte për të promovuar edhe librin e tij, por jo vetëm.
Sigal