Bllokohen llogaritë bankare të bizneseve që nuk shlyejnë taksat

544
Sigal

Flet Kryebashkiaku i Librazhdit, Shefki Çota: “Deri tani kemi mbyllur 20 llogari. Aksioni do të vazhdojë”

Prej disa ditësh në qytetin e Librazhdit vazhdon vjelja e taksave për të gjitha bizneset për tremujorin e fundit të vitit 2013. Por gjatë këtij aksioni Policia Bashkiake së bashku me Drejtorinë e Tatim- Taksave kanë mbyllur 20 llogari bankare të bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet që i kanë bashkisë. Sipas kryetarit të Bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota në një prononcim për gazetën “Telegraf” bëhet e ditur se, deri tani janë bllokuar rreth njëzet llogari bankare nga Bashkia e Librazhdit. “Bllokimi i llogarive është bërë, sepse nuk na u la rrugë tjetër. Këto biznese prej disa muajsh nuk paguanin detyrimet që i kanë bashkisë dhe ishte e vetmja rrugë që bashkia të vjeli taksën. Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe nëse sërish do të kemi problem me pjesën e mbetur në shlyerjen e detyrimit do të vazhdojmë me bllokimin e të tjerave llogari bankare”, tha Kryebashkiaku Çota. Por i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i këtyre bizneseve, sepse menjëherë janë paraqitur në zyrat e bashkisë duke deklaruar se do të paguajnë të gjitha detyrimet gjatë ditëve në vijim, sigurisht, sapo mundësia t’u jepet, sepse edhe ato operojnë në kushte të vështira. Në qytetin e Librazhdit  janë gjithsej rreth 350 biznese nga ku 30 janë mbyllur kohët e fundit dhe 20 tani u janë bllokuar llogaritë e tyre bankare. Sipas kreut të Bashkisë së Librazhdit bëhet e ditur se, fazës së vjeljes së taksave nuk do t’i shpëtojë asnjë biznes qoftë i vogël, i mesëm apo i madh, sepse ligji është i barabartë për të gjithë dhe ashtu dhe do të zbatohet, pasi Bashkia e Librazhdit vetëm me këto mbahet.  Zyra e Tatim – Taksave në bashkëpunim me Policinë Bashkiake prej një jave po kontrollojnë dhe verifikojnë të gjitha bizneset që dyshohen se nuk i kanë paguar taksat.