Bletërritësit japin alarmin: Do mbetemi pa mjaltë!

524
Sigal

Trajtimet kimike të kryera nga fermerët në drurët frutorë në qarkun e Korçës janë duke dëmtuar bletët të cilat në këtë periudhë të lulëzimit janë mjaft të rëndësishme për kryerjen e pjalmimit dhe si rrjedhojë edhe rritjen e prodhimit.

Shqetësimi ka ardhur nga bletërritës të zonës së Maliqit dhe Devollit, kryesisht në zonën e Zvirinës, Zvezdës dhe parqet e Devollit, të cilët i janë drejtuar sektorit të Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve në Korçë për të marrë masa për zgjidhjen e situatës.

Bletërritësit janë shprehur:

Spërkatja me kimikate e pemëve po nga shkatërron. Rrezikojmë të mbetemi pa mjaltë pasi spërkatja me kimikate ndryshe nga herët e tjera po na dëmton bletët kjo vjen si pasojë e spërkatjes me kimikate të forta për të rritur prodhimin në pemëtari por nga ana tjetër penalizon bletarinë dhe konsumatorët.”

Sipas specialistit Arben Hysolli, trajtimi me kimikate i pemëtoreve në këtë periudhë të lulëzimit është një rrezik real për bletën, e cila ka nisur të dëmtohet në masë në shumë prej parqeve.

Në këtë periudhë të lulëzimit, fermerët janë të detyruar edhe ligjërisht që të mos trajtojnë me kimikate pemëtoret për të mbrojtur bletët dhe insektet e tjera të dobishme, ose në raste nevoje t’i kryejnë këto trajtime me preparate miqësore me bletën, apo në perëndim të diellit kur aktiviteti i bletës është më i ulët.

Hysolli ka edhe një apel për fito-farmacistët të cilët duhet të zbatojnë detyrimin ligjor për tregtimin e preparateve për mbrojtjen e bimëve duke pasur parasysh etiketën e produktit në lidhje me rrezikun ndaj bletës, si dhe të këshillojnë fermerët që të përdorin në drurët frutorë preparate miqësore me bletën në ato raste kur e kanë të domosdoshme.