Blerja e një vendi pune 3000 euro në Korçë, Prokuroria vërteton denoncimet në “Telegraf”

422

Ryshfet 3 mijë euro, para drejtësisë titullari i Arsimit, Priten dhe arrestime të tjera. Nga Tirana -urdhër SHIK-ut, SHKB-së e SHIU-t:Gjeni kush nxjerrë informacionet në media!

Pa kaluar dy javë nga denoncimi me shifra e fakte në gazetën “Telegraf” të skandaleve të emërimeve kundrejt parave në administratë në Korçë nëpërmjet shkrimit “Skandalet e qeverisjes. Korça nën diktatin nepotik, familjar e fetar të klanit Peleshi”, prokuroria vërteton akuzat dhe denoncimet e qytetarëve. I pari nga drejtorët e ‘Rilindjes’ që do përballet me drejtësinë, është Kristaq Grabocka, titullar i Drejtorisë Rajonale të Arsimit. Ai akuzohet se ka marrë 3 mijë euro për të punësuar në punë një grua, e do të përballet me drejtësinë “për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre”. Ndërkohë, denoncimet e skandaleve me emërime kundrejt ryshfeteve si dhe investigimet në “Telegraf” që kanë qenë konkrete, me emra e funksione, qendra e PS-së në Tiranë e funksionarë të qeverisë së majtë janë alarmuar. Dhe në vend që të reagojnë për të frenuar nepotizmin, ryshfetet, po përkujdesen të mësojnë se kush i nxjerr informacionet në media. Madje, për këtë, kanë angazhuar jo vetëm funksionarë e drejtues të institucioneve, por dhe SHIK-un, SHISH-in e SHKB-në.

RYSHFETI NË ARSIM

Një nga drejtorët e emëruar së fundi në Korçë që akuzohej nga qytetarët (publikuar shqetësimi i tyre në ‘Telegraf’), është dhe kreu i Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Korçë. Së fundi, përkatësisht dje, jepet dhe njoftimi zyrtar i kapjes me ‘presh në duar’ i drejtorit. “Drejtori i Drejtorisë Arsimore të Korçës, Kristaq Grabocka do të procedohet penalisht në gjendje të lirë, pasi ka marrë 3 mijë euro për të punësuar në punë një grua. Drejtori 49-vjeç, banues në Korçë, ka marrë ryshfetin nën ndikimin e një personi të tretë, Andrea Halili 34 vjeç me banim në Tiranë, gjithashtu, i proceduar nga policia.
Duke shpërdoruar detyrën dhe nën ndikimin e Andreas, drejtori Arsimores në Korçë, i ka marrë 3 mijë euro shtetasit me inicialet B.M për t’i punësuar gruan. Në janar të këtij viti Kristaq Grabockës i dogjën makinën me benzinë, ndërsa, drejtori i Arsimores, Korçë deklaroi se, ngjarja kishte lidhje me detyrën e tij…”-konfirmojnë burimet zyrtare.

PËRTEJ KËTIJ SKANDALI

Pra, së fundi, zyrtarisht, kreu i një prej institucioneve më të rëndësishme në Korçë, i kapur me ‘presh në duar’ do përballet me ryshfetin në emërime, pikërisht me atë fenomen që u akuzuan dhe shumë kolegë të tij nga qytetarët në “Telegraf”. Por, pas komunikatës zyrtare, që në vështrim të parë, konstatohet një përkujdesje për të minimizuar këtë skandal. Së pari, edhe pse thuhet se është kapur ‘mat’, lihet në hetim të lirë nga drejtësia, e ndërkohë, vazhdon punën pa asnjë problem. Pra, nëse ai do tregohet më i kujdesshëm, mund të marrë prapë euro për emërimet që mund të bëjë. Po ministrja e Arsimit Lindita Nikolli pse hesht!? Minimalisht, për këtë akuzë të rëndë, ajo, minimalisht, duhet ta kishte pezulluar titullarin e Drejtorisë Arsimore, deri sa të “çlirohej” nga akuza apo të përfundonte dhe në qeli. Këtë paradoks, e shpjegojnë qytetarët e Korçës me informacionin e sjellë në redaksi… “Po bëhet gjithçka, me porosi dhe nga Tirana, që ai të dalë pa faj… Dihet, ai është mik i Niko Peleshit dhe një nga të katapultuarit në këtë funksion, më shumë për punë të tilla se sa për merita”,- pohojnë qytetarët e Korçës.

ÇFARË U DENONCUA NË “TELEGRAF”

“Prej një viti, Korça, vazhdon të jetë nën diktatin politik, ekonomik, social e fetar të klanit nepotik, familjar e fetar të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, mbështetur e në bashkëpunim me Kryebashkiakun, prefektin e ri, Kryetaren e Këshillit të Qarkut e deputetin Pendavinji… Nga rreth 4 mijë punonjës administrate që ka Korça, ku sipas burimeve qeverisëse thuhet se, janë ‘punësuar 500 të majtë’, (gjykohet shifër e fryrë kjo), të punësuarit janë pjesë e klanit të mësipërm, apo pjesa më e madhe e tyre, dyshohet të kenë paguar ryshfete në disa mijë euro për një vend pune. Po nga këta informacione, mësohet se tarifat e ryshfetit për zyrtarët e majtë sot në pushtet, janë shtuar deri në dyfishin në krahasim me tarifën që paguhej në qeverisjen e Sali Berishës… Titullari i ISKSH-së, P.T., përflitet se nuk të merr në punë apo nuk të mbaron punë po nuk dhe para…. Thuhet se marrja e një leje farmacie shkon në 5000 euro. Tashmë, flitet hapur dhe po bëhen krahasimet dhe me ryshfetin në qeverisjen e Berishës… Atëherë një infermier punësohej me 2 mijë euro, çmim që tani ka vajtur në 3 mijë euro. Nëse një mësues, në kohën e PD-së fillonte punë me 2000 euro, sot duhet të paguar 3 mijë euro…Është thënë në bazë se listën e drejtuesve të institucioneve këtu e harton Niko Peleshi së bashku me deputetin e zonës Ilir Pendavinji. Deputetët e tjerë të kësaj zone, Bashkim Fino e Olta Xhaçka as janë parë, e as janë dëgjuar. Deputetja Xhaçka ka një lidhje të veçantë me votuesit e majtë. Ajo është kujdesur që në fillim për një beniamin të saj në funksion kyç, ka sistemuar në dogana disa, që në shumicë janë nga radhët e PD-së, duke shfrytëzuar miqësinë e saj me Spiropalin…”- denoncohej mes të tjerave.

ALARMI PËR RRJEDHJE INFORMACIONI

Pas denoncimit në “Telegraf” për nepotizmin në administratë në Korçë, Devoll, Pogradec e rrethe të tjera të vendit, që nga ministritë lart e drejtoritë përkatëse në qendër, në vend që të reagonin me masa konkrete, u përkujdesën e po përkujdesen që të mësojnë se kush nga administrata u jep informacion gazetarëve. Por janë angazhuar dhe  SHIK, SHISH e SHKB… Por, në fakt, skandalet janë aq të shumta, sa qytetarët flasin hapur, por denoncojnë dhe njerëzit e ndershëm në administratë, intelektualët e ndershëm që janë neglizhuar si dhe vetë strukturat e së majtës në bazë, të pakënaqura nga nepotizmi, ryshfetet dhe moria e skandaleve të pafund… Në numrat në vazhdim, “Telegraf” do të publikojë me raste konkrete nepotizmin në Korçë, Devoll, Pogradec e rrethe të tjera, rrënjët e tij, kush janë klanet dhe personat, si dhe problem të tjera të korrupsionit, mitmarrjes e keqqeverisjes në sektorët më jetik të komunitetit.

RYSHFETI PËR HAPJE BISNESI APO PUNËSIM

-Për lejë farmacie: Në qeverisjen e PD-së, 3000 euro, sot 5000 euro

-Për punësim infermieri: 2000 euro në qeverisjen e Berishës, 3000 sot

-Në arsim: 2000 euro në qeverisjen e djathtë, sot 3000 euro

-Në dogana: Në qeverisjen e PD-së deri 8 mijë euro, sot deri 10 mijë euro

-Në administratë: Nga 2 mijë euro, sot deri në 4-5 mijë euro