Bledar Myftari:“Bllokimi i rafinerive, kosto tepër e rëndë financiare”

717
Sigal

Intervista/Bledar Myftari Drejtori i rafinerisë së Fierit: “ Lihen pa bukë e punë mbi 3.000 familje”

 Protestat e  mijëra punëtorë të rafinerive të Fierit dhe Ballshit  po mbush 12 ditë, mirëpo ata kanë ndeshur në indiferencën e plotë të shtetit. 3.000 punëtorë i kërkojnë shtetit të mos heshtë përballë kërkesave të tyre për zhbllokim të llogarive bankare dhe rifillim të punës. Punëtorët vijojnë protestën kundër ndalimit të paligjshëm dhe abuziv të punës ndërsa shprehen se indiferenca e shtetit po lë pa bukë mbi 3 mijë familje. Sipas tyre edhe pse u firmos një peticion ende nuk ka një përgjigje zyrtare për punëtorët. Të irrituar nga këto qëndrime provokative, punëtorët e rafinerisë shprehen se do të vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre ndërsa do t’i përshkallëzojnë edhe më tej në rast se zëri i tyre nuk dëgjohet. Ata thonë se segmente të caktuara të shtetit  kanë bllokuar edhe llogaritë e kompanisë në mënyrë që ne të mos kemi mundësi të bëjmë transaksione, por për bllokimin e aktivitetit nuk ka akoma një shkresë. Pra rafineria u ndal, rrezikuam gjithçka; rrezikuam jetë njerëzish, rrezikuam rafineritë, rrezikuam ambientin, rrezikuam gjithçka tjetër, prej tyre, por jo prej nesh. Gjithçka u bë verbalisht.

–  Zoti Myftari, mjetet e tatimorëve në dyert e rafinerisë kanë qenë në mënyrë arbitrare…
-Kanë qenë  në mënyrë arbitrare sepse në momentin që erdhi policia e shtetit i larguan menjëherë. Po të kishte qenë se kishin urdhër bllokimi- shteti nuk bllokon me mjete. Shteti bllokon me një shkresë, të vihet edhe një shirit e të thotë ‘mirupafshim’.
Nga intervistat me punonjësit vihej re një lloj irritimi, një lloj indinjate ndaj kësaj indiference që shteti po tregon.

-Punonjësit janë qytetarë të republikës së Shqipërisë, ndaj një muaj para kësaj date që jemi sot për 6 muaj me radhë, sepse në Shqipëri kaq zgjasin fushatat, në takime të ndryshme atyre u kërkohej mbështetje. Punonjësit irritohen pasi thonë se ‘6 muaj me radhë na kërkuat përkrahje sepse ne do punojmë për të mirën tuaj’; tani del që asnjëra palë nuk është shprehur në përkrahje të punonjësve të këtij problemi të madh social, të këtij problemi të madh ekonomik për punonjësit e kompanisë, por njëkohësisht për të gjithë ekonominë e vendit sepse ARMO është një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend.
A keni probleme me klientët tuaj? Me palët e treta? Me kontratat?
-Aktualisht rafineria nuk punon. Shpenzimet ditore aktualisht në rafineri janë 100 mijë dollarë. Flasim duke mos punuar. Pastaj mospunimi çon në fitimin e munguar dhe ka problematikën e dytë që është një kosto tjetër që besoj se ekonomistët e kompanisë do ta nxjerrin për t’ia dhënë atyre strukturave të cilët kanë çuar në bllokimin e jashtëligjshëm dhe për ta paraqitur para instancave të caktuara të këtij shteti. Pjesa tjetër ka të bëjë me kontratat që kompania ka si për blerjen e lëndës së parë, naftës bruto. Kontratat bëhen afatgjata, kontrata me volume të mëdha, pasi jemi rafineri e nuk punojmë me litra, por me mijëra ton. Mostërheqja nga ana jonë dhe moszbatimi i kontratave na penalizon dhe na vendos para situatave jo të favorshme, aq më tepër kur kemi raste kur ne kemi parapaguar sasi të mëdha nafte të cilat prisnim që të vinin. Por bllokimi i sistemit të akcizës në dogana, pa një shkresë, ka bërë që të mos kemi mundësi ta marrim produktin. Njëkohësisht ne kemi kontrata me klientë që blejnë produktet tona, sidomos bitumi që është edhe produkti kryesor i kësaj rafinerie. Është nga më cilësorët në të gjithë Ballkanin dhe në Europë. Kërkohet nga gjithë kompanitë e huaja dhe po të kishte një mundësi transporti detar, rafineria do të punonte të gjithë muajt e vitit dhe me kërkesë optimal, pasi kompanitë e huaja, sidomos nga Franca, janë shumë të interesuara për bitumin. Ato kanë kontrata me ne, kanë kontrata me palë të treta, kështu që mosmundësia e furnizimit tonë na vë ne para penaliteteve, por gjithashtu vendos edhe klientët tanë para penaliteteve të ndryshme. Njëkohësisht humbet edhe cilësia e rrugëve tona sepse bitumi jonë është më i miri dhe tregtarët e shumicës detyrohen më pas të gjejnë burime të tjera alternative, në Selanik ndoshta, të blejnë bitum atje që nuk është në parametrat e këtij bitumi, ta marrin me çmime më të larta dhe në fund fare kostot i kthehen këtij vendi.