Biznesmenët: “Nuk kemi marrë asnjë kokërr leku, na mashtrojnë”

524
Sigal

Kompanitë private në Durrës të zhgënjyer nga Rama

Kompanitë dhe firmat ndërtuese në Durrës kanë mbetur të zhgënjyera nga premtimet boshe të qeverisë dhe Kryeministrit Rama lidhur me lëvrimin e parave të prapambetura prej vitesh dhe që quhen sot rëndom si “borxhi ndaj biznesit”. Qysh prej 7 vitesh, dhjetëra kompani dhe firma private në Durrës, që kanë fituar  tendera  apo edhe duke qenë nënkontraktorë dhe ortakë në zbatimin e ndërtimit të rrugëve, shkollave, spitaleve, kanalizimeve, ujësjellësve, objekteve të tjera, nuk marrin asnjë qindarkë nga shteti, i cili u detyrohet miliona euro atyre. Sipas një informacioni nga Shoqata e Biznesmenëve të Ndërtimit në Durrës, mësohet se, “ka kompani dhe firma që kanë nga 300 mijë euro deri 5 milionë euro pa marrë, edhe pse prej vitesh ato para janë hedhur në ndërtime e zbatime projektesh, pasi janë fituar tenderat, në bashki e komuna. Ndërkohë që vlera më e madhe e borxhit i takon Drejtorisë Përgjithshme të Rrugëve”. Borxhi atyre u ka kushtuar shumë, pasi  janë futur në borxhe të tjera mes kolegësh apo edhe kredi, të cilat presin të shlyhen në banka dhe për të mbijetuar. Premtimi nga qeveria se: “Do të shlyhet çdo borxh i prapambetur ndaj biznesit” duket  se i ngrohu ata, por edhe pse kanë kaluar 8 muaj, deri  sot asnjë prej tyre nuk ka marrë asnjë “kokërr  leku” siç  shprehen  ata. Ditën e martë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, u ka kthyer një e-mail të gjitha kompanive dhe firmave të ndërtimit në Durrës, ku i kërkon  atyre “dërgimin edhe njëherë të dokumentacionit  të plotë, ku çdo fletë e printuar të jetë me ngjyra dhe jo bardh e zi”. Sipas disa prej administratorëve  privatë, kjo është tallje fyerje, kemi 2 muaj që merremi me përgatitjen e dosjes  dhe tani na thuhet se fletët e saj duhen me ngjyra, natyrisht është pretekst për të vonuar dhe për të mos dhënë lekët që na takojnë me ligj. Kjo situatë  po na detyron të hapim gjyq ndërkombëtar, pasi ndryshe nuk zgjidhet problemi ynë me asnjë  qeveri që ikën dhe vjen në këtë vend”. Shoqata e Biznesmenëve të Ndërtimit në Durrës,  ka kërkuar edhe nga DHTI mbështetjen e saj, për të qenë në dakortësi lidhur me këtë  problem që ka të bëjë me të ardhmen e biznesit të tyre. Ka kompani dhe firma ndërtuese që kanë marrë kredi 2 dhe 3 herë në banka, kanë blerë pajisje dhe makineri të rënda dhe të kushtueshme, kanë paguar me rroga dhjetëra e qindra punëtorë, kanë paguar madje edhe 10 apo edhe 20 përqindsha nën dorë. Kanë përfunduar punimet e nisura dhe prej vitesh nuk marrin paratë e tyre. “Mbi 120 herë kam aplikuar në DPRR, pasi më thuhej se duhet të aplikosh, kam mbushur dhe dorëzuar dhjetra here dosje me dokumente dhe nuk kam marrë asnjë lekë nga qeveria e kaluar, por siç duken punët edhe nga kjo qeveri nuk kam për të marrë gjë”, u shpreh për “Telegraf” një administrator firme ndërtuese që ka kryer me paratë e tij ndërtimin e dhjetëra rrugëve dhe objekteve. Por, si ai ka me dhjetëra të tillë në Durrës, që duke shpresuar për marrjen e parave që u takojnë, kanë marrë kredi në banka, borxhe të tjera në kolegë e miq dhe sot gjenden në udhëkryq. Ata shprehen se, “çdo premtim është propagandë dhe demagogji, çdo lajm dhe njoftim i  botuar në disa media të pozitës është mashtrim, ne nuk kemi marrë asnjë qindarkë dhe jo milionat e lekëve që na takojnë, sepse po na kërkojnë borxhlinjtë lekët që u kemi marrë për të mbaruar punimet e shtetit”. Shoqata e tyre u bën apel qeverisë dhe Kryeministrit Rama, të bëjnë realitet premtimin dhe të mos humbasin asnjë ditë kohë, pasi u kushton shtrenjtë në ekzistencën e aktivitetit të tyre, ndryshe do t’ i drejtohen organeve ligjore për të zgjidhur  problemin e tyre jetik.