Biznesi “VIP”, Tatimet kërkojnë saktësi në dokumente

730
Rreth 700 biznese janë futur në kategorinë VIP nga Tatimet në Shqipëri dhe kontrolli mbi to bëhet në bazë të riskut. Administrata fiskale u kërkoi këtyre subjekteve që të bëjnë deklarime të sakta.
“Një deklarim i gabuar, që nuk ka efekt, bën atë që subjekti të klasifikohet me risk për shkak të mungesës së përputhshmërisë së të dhënave. Ju informojmë, ligji parashikon këtë: deklaroni të dhënat në mënyrë që të dyja palët t’i kursejnë kohë njëri-tjetrit. Ndërkohë që ne do të fusim në risk ata që me të vërtetë janë me risk”, ka deklaruar Enkelejda Pipa, drejtoreshë e sektorit të Biznesit VIP, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. 
Biznesi VIP në Shqipëri ka mbi 105 mijë të punësuar. Në takimin me bizneset e Dhomës së Tregtisë, drejtuesit e Tatimeve thanë se aksioni kundër informalitetit do të përqendrohet në sektorë si ndërtimi, tregtia dhe më pak tek shërbimet dhe prodhimi. 
Në këtë mënyrë synohet që kontrollet të bëhen nga zyrat tatimore duke verifikuar të dhënat e deklaruara. “Kontroll do të thotë verifikim i deklarimeve, i çdo lloji të dhëne financiare që ne disponojmë nga palët e treta”, ka saktësuar Pipa.
Sigal