Biznesi i vogël, 10 mijë sipërmarrës preken nga TVSH

703
Gjatë diskutimit dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, për futjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të bizneseve të vogla duke nisur nga 1 prilli, ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se kjo do të japë kontribut në aksionin anti-informalitet. Ministri Ahmetaj deklaroi më tej se FMN ka qëndrimin se duhet të përqendrohet te biznesi i madh. “Të gjithë të mëdhenjtë degëzohen te bizneset e vogla, të cilat i kanë krijuar ndonjëherë dhe vetë. Ndaj futja në skemë do të kontribuojë edhe në aksionin anti-informalitet”, tha Ahmetaj. Deputetët e pyetën ministrin nëse është menduar nga qeveria që të vendos TVSH zero, në vend të përjashtimit, apo të mbledhjes së TVSH-së nga faturat e konsumatorëve. Ahmetaj tha për këtë pjesë se ka shqyrtuar disa mënyra, mbledhja e faturave është vendosur në disa vende por është hequr sërish. Diskutim tjetër u zhvendos për kostot administrative për bizneset e vogla. Deputeti opozitar Agron Shehaj tha nëse biznesi i vogël do të ketë kosto administrative për mbajtjen e inventarëve. Ahmetaj shtoi se nuk ka kosto administrative dhe “asnjë lloj kosto tjetër”. Deputetja Tabaku ngriti shqetësimin për rënien e marzhit të fitimit, gjë e cila do të vendosë në vështirësi biznesin e vogël. Tabaku shtoi se biznesit të vogël do t’i shtohen kostot administrative, minimalisht 50 mijë lekë për deklarimet e FDP-ve dhe plotësimin e librave. Ndër vite 17 mijë biznese janë bërë skemë e TVSH, citoi ministri Ahmetaj, gjatë raportimit të tij. “37 mijë biznese paguajnë 0.7% të totalit të TVSH. Nuk pritet që kontributi të jetë i lartë. Do të kenë të drejtën e kreditimit të TVSh për mallrat gjendje, si dhe njohja e TVSH e zbritshme për mallrat e inventarit. Çdo mall të jetë i justifikuar me faturë TVSH-je. Për këtë, është krijuar grupi i punës. Tatim paguesi do të njoftohet elektronikisht. Nuk do kemi asnjë problem me sistemin informatik“, tregoi ministri. Më tej, Ahmetaj tha se është përpiluar një strategji komunikimi që ka si objektiv njohjen dhe informimin, si dhe për plotësimin në mënyrë të saktë të tatimpaguesve. “Kjo strukturë ka për detyrë sensibilizimin e tatimpaguesve. Janë ngritur sportele në drejtoritë rajonale për të asistuar biznesin“, tha ai, duke shtuar se ndikimi te konsumatori për shtimin e barrës fiskale, do të jetë zero. Ahmetaj shtoi se fokusi është te biznesi i madh, për t’u mbyllur zinxhiri i transaksionit. “Nuk ka furnizim apo mall pa TVSH, përveç atyre që janë të përjashtuara me ligj. Mallra pa TVSH janë vetëm ato që janë jashtë sistemit fiskal, që janë evazion. Pra një mall, pavarësisht ku shitet, ka brenda çmimit të vet në strukturë TVSH-në. Në rastin kur shitet tek dyqani i lagjes, nuke ka të ndarë TVSH-në në faturë, kjo është diferenca. Nëse pastaj fillojmë kundërshtojmë këtë, është e kotë që diskutojmë dhe nuk njohim as TVSH-në, as çfarë ndodh përtej me strukturën e çmimit”, u shpreh ministri. Sipas tij, do të preken nga ulja e pragut të TVSH-së rreth 10 mijë tatimpagues të biznesit të vogël që do të hyjnë në skemën e deklarimit. Futja në skemë do të fillojë në datën 1 Prill 2018, deklarimi i parë do të bëhet në Korrik 2018, pra rreth 20 Korrikut 2018. Në vite, rreth 17 mijë tatimpagues të biznesit të vogël 5-8 milion janë bërë pjesë e skemës së TVSH-së. Ata deklarojnë dhe paguajnë TVSH në bazë mujore, përbëjnë 45% të numrit total të tatimpaguesve të regjistruar në TVSH, rreth 37 mijë në total.

Zbritja e TVSH-së
Tatimpaguesi i biznesit të vogël, i cili kalon kufirin minimal të regjistrimit të TVSH si dhe personi i cili regjistrohet vullnetarisht në këtë regjim, ka të drejtë që në periudhën e parë tatimore kur bëhet person i tatueshëm i regjistruar, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim. Mallra këto me qëllim për t’u shitur, për të cilat do të llogaritet TVSH në shitje. Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes së TVSH-së, i blerë jo më parë se 12 periudha tatimore, përfshirë periudhën në fjalë.
Sigal