Biznesi i turizmit: Ministri Mediu të japë dorëheqjen! Ndotja largoi pushuesit

1073
Sigal

PROJEKTI/ Kompania private që mori fondet nga Ministria e Mjedisit, nuk e kryen detyrën për pastrimin e ujërave të zeza

Në fillim të muajit korrik Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe spe cialistë të Mjedisit inauguruan projektin, i cili u konsiderua i domosdoshëm, por edhe shumë praktik për pastrimin e ujërave të zeza para shkarkimit të tyre në det. “Nga ura e Dajlanit deri në Spille nuk do të pikojë asnjë pikë uji e ndotur. Në pesë pika më të nxehta siç është ajo e kanalit të madh tek rezidenca qeveritare, në Plepa, Përroi Agait, Pameba, Konad si dhe te “Mak Albania” janë vendosur filtra, nga ku bllokohen ujërat e zeza, të cilat i nënshtrohen një teknike të thjeshtë me hipoklorit natriumi. Dy fuçi të mëdha me nga 2 mijë e 300 litra kanë solucionin që sipas specialistëve shmangin 100 % ndotjen bakteriale të ujerave që derdhen në det”, këtë deklaratë bëri Mediu teksa u dha fjalën të gjithë bizneseve se ministria do të ndërhyjë me të gjitha mënyrat për të shmangur ndotjen.

Pastrimi

Hipokloriti i Natriumit, nëpërmjet disa tubave me pika derdhet mbi kanalin e ujërave të zeza që shkarkohen në det. E gjithë kjo punë ju besua një kompanie private nga Ministria e Mjedisit, e cila vetëm në javën e parë dha rezultat, pasi analizat e ujit të detit dolën brenda normave të lejuara. Më pas këto fuçi nuk u mbushën më me hiploklorit Natriumi dhe për pasojë analizat e ujit të detit dolën disa herë mbi normat e lejuara të ndotjes bakteriale. Inxhinieri Maksim Sallabanda tha se, ky projekt bën që uji të jetë steril dhe shmang plotësisht ndotjen. Por kompania private emri, i së cilës nuk është bërë akoma i ditur pasi mori fondet nga Ministria e Mjedisit, jo vetëm që nuk e kryen detyrën, por nuk ka asnjë person që të bëjë pastrimin në 5 pikat, ku derdhen të gjitha ujërat e zeza.

Infeksionet dhe bakteret në normë të lartë

Në kanalin e Kovalishencës është rritur me 3 herë më shumë volumi i shkarkimit të ujërave të zeza në det, duke bërë që pushuesit të largoheshin. Analizat e kryera konstatojnë ndotje bakterologjike të rërës dhe ujit, disa herë më të lartë se normat e lejuara. Norma e lejuar nga OBSH është 100 baktere për litër, por në këto plazhe ndotja është disa herë më e lartë dhe konkretisht në përroin e Kovalishencës, aty ku bëhet dizinfektimi i tyre. Mikmikrobi kryesor që mbizotëron në rërë është “Baktereonkoli”. Është një mikrob, i cili zakonisht gjendet në materialet fekale dhe sjell më së shumti infeksione të brendshme dhe infeksione lëkure që me kalimin e kohës sjellin edhe situata komplekse.

_________________________________________________________________________

ELBASAN/ KOMUNA SHUSHICË NË PROTESTË KUNDËR NDOTJES SË GURORES

Prej më se tre ditësh banorët e fshatit Shushicë të Komunës së Shushicës janë hedhur në protestë ndaj firmës së gurores, e cila ndot fshatin. Banorët kanë kohë që janë ankuar ndaj kësaj firme, e cila nxjerr  gurë për granil për shtrimin e rrugëve. Reja e pluhurit që shkaktohet nga makineritë e rënda dhe ato të thyerjes së gurëve kanë bërë që i gjithë fshati të përfshihet në re të mëdha pluhuri. Banorët duke parë se nuk po gjendej zgjidhja, janë hedhur në protestë ndaj firmës. Banorët thonë: “Ne nuk kemi as prodhime bujqësore e blegtorale, gjithashtu nuk mundet të hapim dritaret e shtëpive pasi gjithë reja e pluhurit futet në shtëpitë tona”. “Rrobat që lahen nuk mundet të thahen në diell sepse vishen me ndotje dhe pluhur. Fëmijët e vegjël nuk mundet t’i lëmë jashtë”, thotë një nënë e re. Sipas Kryetarit të Komunës së Shushicës, Lutfi Lala firma është e pajisur me leje për gërmimin dhe nxjerrjen e gurëve për granil. “I kam kërkuar që të lagi materialin dhe shumë shpejt sipas tij kemi rënë dakord që do të gjendet një zgjidhje”, -tha Lala. Fshati Shushicë është një nga fshatrat më të mëdhenj të kësaj komune dhe sipas banorëve nëse nuk do të gjendet zgjidhje do të përshkallëzojmë protestën deri sa të mos ketë ndotje në shtëpitë e tyre. Kërkojmë, -thonë më tej, -që firma të lagi me ujë materialin dhe të mos na krijojë probleme.

__________________________________________________________________

KUÇOVË, MBYLLET NË SHTATOR UZINA E RIPARIMIT TË AVIONËVE

Së bashku me shitjen e avionëve të tipeve të ndryshëm që do të hiqen nga aerodromi edhe specialistët do të largohen. Këtë lajm e konfirmojnë punëtorët e uzinës, të cilët shprehen se në muajin shtator Uzina e Riparimit të Avionëve  do të mbyllet plotësisht, shkak për këtë është bërë mungesa e avionëve të rinj, por edhe ata avion reaktiv të dikurshëm kanë dal jashtë përdorimit nga Ministria e Mbrojtjes, pas futjes së Shqipërisë në NATO. Burime zyrtare brenda komandës së aviacionit bëjnë të ditur se avionët nuk plotësojnë dot kushtet dhe parametrat që kërkon NATO dhe kjo është një ndër arsyet kryesore që kjo uzinë do të mbyllet. Sipas statistikave kjo uzinë ka punësuar 650 punëtorë në kohën e diktaturës, ku kryenin remont të avionëve tip mig 15, mig 17, mig 19 dhe mig 21, që tashmë janë hedhur në sipërfaqet e betonit të këtij aerodromi. Në këtë rast duhet theksuar se një pjesë e tyre, janë blerë nga biznesmenë të huaj si grek dhe italian, ku më shumë kanë preferuar tipin Jak. Specialisti, Gjergj Troka shprehet për “Telegraf”, se mbyllja e uzinës është një krim i vërtet dhe po hidhet poshtë një punë 50-vjeçare, ku ishte derdhur djersa dhe gjaku ynë. Sipas tij, shumë pjesë janë shitur, madje dhe karrocat e avionëve janë shitur për hekurishte nga personat e këtij aerodromi, të cilët nuk janë përgjegjës për këtë punë.

______________________________________________________________________

SARANDË, HAPET PANAIRI I SUVENIREVE DHE ARTIZANEVE POPULLORE

Prej tri ditësh në qytetin e Sarandës është çelur Panairi i Suvenireve dhe punimeve artizane nga trevat shqiptare brenda e jashtë kufirit shtetëror. Ky panair, i pari i këtij lloji, u organizua nga AJMMI (Agjencia Joniane Media Mjedisi Informacion). Të 28 njësive pjesëmarrëse u janë dhëne certifikatat e pjesëmarrjes. Pjesa më e madhe e shëtitores tradicionale të qytetit të Sarandës, jo vetëm nga vizitorët e shumtë, por edhe nga shumëngjyrat e prodhimeve artizane ka qenë e sunduar për tre ditë rresht. Mes tyre ka qenë edhe nënprefekti Gjergji Mano e Kryebashkiaku Stefan Çipa, të cilët kanë vizituar të gjitha stendat prezantuese që nga Peja e Kosovës, Kruja, Shoqata Labëria, Shoqata Vllahe, qyteti i Gjirokastrës, Motrat Marceline dhe dhjetëra treva të tjera shqiptare. Panairi është vlerësuar si hapi i parë drejt një festivali të pritshëm në shërbim të turizmit dhe zgjimit të traditës për promovimin e suvenireve dhe punimeve artizane të popullit shqiptar. Promovimi i kësaj tradite është cilësuar si prioritet për Sarandën turistike, ku i jepet një rëndësi traditës së prodhimeve artizane dhe futjen e saj si një element me efikasitet të turizmit dhe promovimit. Ky është një hap i mbarë dhe pjesëmarrësit e panairit kanë deklaruar se ky panair do të shërbejë edhe si nxitje për t’u zhvilluar në qytetet e tyre.