Biznesi i pistë i arbitrazhit që po ushqen korrupsionin e qeverisë

120

Shqipëria humbet nga dy çështje 210 milionë euro, nga Gjykata e Arbitrazhit

Gjatë viteve të fundit, për shkak të marrëveshjeve korruptive të lidhura nga qeveritë, vendi është kërcënuar disa herë me gjyq në arbitrazh. Buxheti i shtetit ka paguar dhjetëra milionë euro si tarifa për studiot e huaja të avokatisë, dhe në shumë raste është detyruar të lëshojë favore të mëdha financiare apo ligjore për kompanitë, pas të cilave shpesh qëndrojnë vetë zyrtarët e korruptuar. Rastet më tipike janë koncesionet, të cilat e kanë kapur shtetin prej fyti dhe falë marrëveshjeve korruptive janë shndërruar në të paprekshme nga askush. Veprimet korruptive ose të papërgjegjshme të zyrtarëve të lartë kanë qenë fatale për Shqipërinë. Rasti më i fundit është ai i konfliktit me Becchettin. Një konflikt thuajse personal i kryeministrit, për të cilin qytetarët e varfër të Shqipërisë do të paguajnë 1 për qind të prodhimit Kombëtar. Por ky nuk është i vetmi. Vetëm pak muaj më parë, Shqipëria mbylli pagesat për një tjetër faturë të kripur, atë të konfliktit me CEZ prej 100 milionë euro. Vetëm nga këto dy çështje vendi ka humbur 210 milionë euro në gjykatat e arbitrazhit të investimeve, ndërkohë që ka paguar qindra milionë euro të tjera në tarifa avokatësh apo favore fiskale dhe ligjore. Kjo është kostoja që qytetarët po paguajnë për zyrtarët e korruptuar dhe është shumë e larta nga sa mund të mbajë ky vend, shkruan në rrjetin e tij social gazetari Klodian Tomorri.

Kryeministrit Rama i intereson humbja ndaj Becchettit

Prej disa ditësh, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë zgjedhur të mos japin asnjë koment për humbjen kolosale të 110 milionë eurove përballë Francesco Becchettit. Kryeministri po luan rolin e “fajtorit” që nuk ka çfarë të thotë. Në fakt, e vërteta është shumë më ndryshe dhe ajo gjendet tek rrjedhojat e vendimit të Arbitrazhit Ndërkombëtar.

  1. Me këtë vendim, Francesco Becchetti largohet përfundimisht nga tregu shqiptar. Ai arkëton plot 110 milionë euro dhe u lë rrugë të lirë biznesmenëve të tjerë italianë, të lidhur me qeverinë dhe “lojtarë” të tjerë pranë qeverisë.
  2. Largimi i Becchettit nga tregu shqiptar, sidomos nga hidrocentrali i Kalivaçit, i jep mundësinë qeverisë shqiptare që të vijojë procedurat e nisura prej dy vjetësh me kompaninë “Fusha” shpk, një ndër bizneset më të afërta të qeverisë së Edi Ramës.. Në fund të vitit 2017, kohë kur çështja ishte ende në shqyrtim në Arbitrazhin Ndërkombëtar, qeveria shqiptare ia kaloi koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit kompanisë “Fusha” shpk. Pra, duket qartë që, ende pa u mbyllur procedurat në Arbitrazh, shteti shqiptar kishte caktuar pasardhësin e Francesko Becchettit dhe “Hydro srl” në atë sipërmarrje gjigante. Ndaj, largimi i Beketit dhe kompanisë së tij nga koncesioni i Kalivaçit ishte shndërruar në domosdoshmëri për qeverinë shqiptare, pavarësisht kostove.
  3. Sa për kostot e vendimit, kjo duket se nuk është aspak problem për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Shuma kolosale prej 110 milionë eurove, e cila do të shkojë për llogari të Francesko Becchettit, do të paguhet nga taksat e qytetarëve, raporton Boldnews. Pra, edhe ajo shumë, siç ka ndodhur për vendimmarrje të tjera të gabuara të qeverisë së Ramës, rëndon mbi qytetarët.

Sonila Meço: 140 milionë euro, fatura më e rëndë mbi shqiptarët, nga sulmi antiligjor i kryeministrit Rama

Fatura më e rëndë mbi shqiptarët: Shqipëria gjobitet qindra miliona euro, për herë të parë në historinë e saj për shkatërrimin e një televizioni me një aksion të drejtuar nga kryeministri i vendit Edi Rama, për arsye të qëndrimit opozitar të Agon Channel ndaj pushtetit. Investimi i sipërmarrësit Francesco Becchetti, një risi në konceptin e delokalizimit, me teknologji bashkëkohore, me 400 punonjës, bashkëpunime me emra të njohur të mediave ndërkombëtare, që prezantoi Shqipërinë në Evropë, kur ende politika e ka lënë lëngueshëm jashtë portave të saj, u sulmua në mënyrë antiligjore, direkte dhe në vetë të parë nga kryeministri Edi Rama dhe pushteti rreth tij. Tashmë është provuar nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (ICSID), gjykatë e Bankës Botërore, se i gjithë sulmi antiligjor, arbitrar dhe personal i kryeministrit mbi televizionin Agon Channel dhe interesat e biznesmenit italian është i mbështetur mbi mashtrime dhe manipulime të dirigjuara nga emra të përveçëm.