Bizneset tronditen me tritol

80

SHTOHET PASIGURIA/ Nga Kruja tritoli rikthehet në Durrës. Shkaqet janë çështjet e pronësisë dhe konkurrenca

Qarku i Durrësit mund të jetë dhe qarku, ku tritoli është përdorur masivisht për të bërë kërcënime dhe zgjidhur probleme të pronësisë ose dhe të një konkurrence të pandershme, jashtë kritereve të gjykatave dhe të drejtësisë. Këtu mund të kenë ndikimin e vet edhe përfoljet e gjykatave dhe mosbesimi që është bërë masiv në masat e popullsisë. Dëmtimet me eksploziv kanë qenë të pranishme në Durrës duke filluar që nga hedhja në erë e linjave të tensionit të lartë në zonat e Bubcit dhe Thumanës, në konfliktin e banorëve të fshatit Zallë me pronarët e Fabrikës së Çimentos, në hedhjen në erë të linjave të hekurudhës që kishin lidhje me furnizimin e fabrikës së çimentos. Jashtë minimit me sasi të konsiderueshme tritoli nuk kanë mbetur edhe urat hekurudhore. Po ashtu minime me tritol ka pasur në vijimësi  edhe ndaj urave të rrugëve automobilistike si dhe të disa bizneseve dhe banesave në Fushë Krujë e Krujë. Edhe këto ditët e fundit ka pasur disa shpërthime edhe lart në qytetin e Krujës si dhe në një biznes këpucësh në Fushë Krujë. Pak ditë pas njoftimeve të ripërsëritura të policisë mbi këto shpërthime që kanë ndodhur mësohet se është vënë tritol edhe në një fabrikë këpucësh në qytezën e Sukthit në Durrës. Sipas njoftimit të policisë mësohet se më datë 18.02.2013 filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve, A.A., 45 vjeç, banues në Tiranë dhe Sh.A., 51 vjeç, banues në Tiranë. Policia ka konfirmuar se shkaku i tritolit të vendosur në mjediset, ku zhvillohej biznesi ka qenë problem i pronës. Sipas sajë në njoftimin e dhënë, këta shtetas dyshohet se rreth orës 00:30 të datës 18.02.2013, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive pronësie, kanë hedhur një sasi lënde plasëse në çatinë e magazinës së këpucëve në Qendër Sukth, me pronar shtetasin P. A., duke shkaktuar dëme materiale në çatinë e kësaj ndërtese. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet iu përcollën Prokurorisë Rrethit Durrës për veprën penale të “Shkatërrim prone me eksploziv e kryer në bashkëpunim”. Nga Sukthi tritoli është rikthyer në qytetin e Durrësit. Në ketë fund javë, kohë kur njerëzit shkojnë drejt plazhit të Durrësit qoftë edhe në dimër, ata janë ndeshur në plazh me aromën e lëndës shpërthyese mbi një biznes të një nga zonave më të frekuentuara në plazh. Kanë qenë orët e para të mëngjesit, sipas policisë 04:40 minuta, kur një shpërthim eksplozivi ka tronditur zonën e plazhit të Durrësit në sektorin Hekurudha. Banorët kanë njoftuar policinë mbi situatën e frikshme pas shpërthimit dhe policia ka shkuar menjëherë në vend ngjarje. Pasi është bërë shikimi i vendit të ngjarjes është konstatuar se nga shpërthimi janë regjistruar vetëm dëme të pjesshme materiale, por jo persona të lënduar. Në momentin e shpërthimit, në objekt nuk ka pasur asnjë person. Pronari i dyqanit, Oltion Cara, thotë se, nuk ka konflikte me askënd dhe me të dëgjuar për shpërthimin ka njoftuar policinë: “Nuk dyshoj tek askush, pasi nuk kam konflikte me askënd. I takon policisë të gjejë autorët e shpërthimit. Unë punoj bashkë me gruan në këtë dyqan, të cilin e kemi me qira”, është shprehur ai në lidhje me eksplozivin e vendosur në dyqanin e tij. Banorët e pallatit në katin e parë të të cilit ndodhet objekti i dëmtuar me eksploziv, shprehen se janë shqetësuar shumë nga shpërthimi, por edhe nga pasiguria që ndiejnë. Ata i vlerësojnë autorët e ngjarjes si persona të papërgjegjshëm, që në këtë rast kanë cenuar jetët e banorëve të një pallati të tërë, duke përhapur frikë dhe panik mes tyre. Objektit i është dëmtuar nga shpërthimi qepeni, janë thyer xhamat e tij dhe dëmtuar malli që ndodhej pranë derës. Ndërkaq, drejtues të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se kanë mundur të identifikojnë autorët e dyshuar të këtij krimi, me objekt shkatërrimin e pronës, por nuk ka ende prova për ndalimin e tyre. Policia ka mundur që të gjejë gjurmë të ndryshme në vendin e krimit dhe po heton me mjete special rreth kësaj ngjarje. Sipas policisë, nga hetimet e para, bazuar dhe në dëshmitë e marra, rezulton se motivi i ngjarjes është një konflikt banal mes të dyshuarve dhe pronarit të dyqanit. Ky rast shënon edhe një rikthim të minosjeve që janë bërë në plazh vitin e kaluar. Një banesë është hedhur në erë me tritol, shkaku konflikte për truallin siç dyshohej, por që nuk u vërtetua dhe në kohën kur policia po hetonte këtë rast, ajo sfidohet duke e riminosur banesën dhe hedhur në erë plotësisht… Deri tani nuk ka pasur asnjë deklaratë mbi gjetjen e autoreve… Sidoqoftë tashmë tritoli po shihet si zgjidhësi i konflikteve, në mungesë të besimit tek gjykatat.

Shtëpia e Kajanave në plazh e minuar dy herë

Për herë të dytë brenda një muaji, i është vënë tritoli një banese dykatëshe në lagjen Nr. 13 të qytetit të Durrësit në Plazh. Pronari i banesës së shkatërruar plotësisht tashmë është sipas banorëve është e shtetasit 56-vjeçar Petro Kajana, i cili me gjithë gruan e tij dhe të dy fëmijët ndodheshin me punë në shtetin fqinjë, Itali. Pas shpërthimit të parë të datës së 4 nëntorit, ku i qe dëmtuar çatia tip tarracë me beton dhe një pjesë e murit anësor të saj, banesa tashmë është shkatërruar plotësisht, sepse është përdorur një sasi e madhe tritoli pasojat, e të cilit janë ndjerë gjatë shpërthimit edhe nga banesat fqinje, të cilat kishin të dëmtuara tërë vetratat e xhamave të dyerve dhe dritareve.  Shpërthimi ka tronditur të gjithë banorët e zonës për rreth frigoriferit, në lagjen 13 të plazhit të Durrësit. Pistat kryesore te hetimit mbeten konfliktet e pazgjidhura të pronësisë (bëhet fjalë për fundin e vitit 2011).