Bizneset, si të llogarisin vlerën që tatohet

620
Drejtoria e Tatimeve ka publikuar një udhëzim lidhur me saktësimin e vlerës së tatueshme, duke këshilluar bizneset se si duhet të veprojnë. Biznesi i vogël, që do të përfshihet tashmë në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) ka shprehur shqetësime edhe për mënyrën e zbatimit të kësaj mase të re. Sipas tatimeve, për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, TVSH është e detyrueshme në datën e furnizimit apo të faturimit pavarësisht datës së pagesës së furnizimit. Për qëllime të kryerjes së saktësimit furnizuesi do të lëshojë njërën prej faturave që përdor e cila është faturë korrigjuese dhe sipas rastit dhe qëllimit për të cilin është aplikuar duhet të përmbajë shënimin:

Faturë korrigjuese – kur nuk kërkohet që midis palëve të rimbursohen vlerat (pagesa nuk është kryer në rast tërheqje prej furnizimit).
Faturë korrigjuese – Notë krediti nëse korrigjon në ulje vlerën e faturës fillestare;
Faturë korrigjuese– Notë debiti nëse korrigjon në rritje vlerën e faturës fillestare.
Notë krediti ose notë debiti lëshohet në ato raste kur prej blerësit pretendohet kthimi (rimbursimi) i shumës nga furnizuesi.
Me anulim apo tërheqje prej furnizimit kuptohet:
– Një furnizim do të konsiderohet i anuluar, në datën kur, pasi është bërë porosia dhe kryer parapagesa, blerësi, i cili nuk do ta vazhdojë këtë porosi, i kërkon shitësit ti kthejë (rimbursojë) shumën e parapagesave të bëra;
– Një furnizim do të konsiderohet i tërhequr, në datën kur palët rivendosen në situatën që ishin para realizimit të furnizimit. 
– Mallrat i kthehen shitësit pasi furnizimi nuk është i njëjtë me atë që ka kërkuar blerësi ose mallrat janë të dëmtuara ose shërbimi nuk është kryer.
– Zbritje në momentin e furnizimit
– Kur ulja përfitohet në momentin e furnizimit ajo pasqyrohet në faturën e lëshuar nga furnizuesi për furnizimin, duke treguar edhe vlerat përkatëse fillestare dhe ato pas uljes.
– Furnizuesi dhe regjistrojnë faturën në librat përkatës duke marrë parasysh edhe uljen ose reduktimin e vlerës në momentin e furnizimit. Në këtë rast nuk duhet të zbatohet faturë korrigjuese.
Zbritja e kushtëzuar në faturë

Në rastin kur ulja përfitohet më vonë, jo në momentin e furnizimit, por e kushtëzuar me datën kur do të kryhet pagesa apo çdo kusht tregtar tjetër, që të merret parasysh reduktimi i vlerës së tatueshme të furnizimit në momentin kur kushti plotësohet prej blerësit ose klientit duhet që ky fakt të jetë evidentuar (shkruar) në faturë në momentin e furnizimit prej furnizuesit.

Për të lejuar mospërfshirjen në vlerën e tatueshme të furnizimit është kusht që:
– Në faturë të cilësohen kushtet e skontos tregtare të aplikuar;
– Të shënohet data kur kërkohet të kryhet pagesa në mënyrë që të përfitohet skonto;
– Të përcaktohen edhe penalitetet nëse pagesa kryhet me vonesë.

Kur ulja përfitohet në një moment të ndryshëm nga momenti i furnizimit, atëherë duhet të kryhet një saktësim i faturës së lëshuar. Kështu fatura për furnizimin është lëshuar, regjistruar dhe deklaruar nga furnizuesi dhe blerësi sipas datës së lëshimit të faturës. Në momentin që përfitohet ulja, moment i cili mund të jetë në një periudhë tjetër tatimore furnizuesi lëshon një faturë tatimore me TVSH (notë krediti) për blerësin ose klientin duke evidentuar në të:

– Dukshëm shënimin “faturë korrigjuese – notë krediti”;
– Të dhënat e faturës që korrigjon si nr. fature, nr. serial, datë, etj.;
– Vlerat saktësuese përkatëse përkatësisht në rastin e një ulje duhet të jenë me vlera negative;
– Të shkruhet arsyeja e korrigjimit të vlerës së furnizimit.

Kjo faturë regjistrohet prej shitësit në kutitë përkatëse të librit të shitjes si shitje me TVSH. Vlerat regjistrohen me shenjë negative dhe i zbriten vlerës së shitjeve dhe TVSH përkatësisht. Blerësi nga ana e tij këtë faturë korrigjuese e regjistron si vlerë negative në kutitë përkatëse të blerjeve me TVSH dhe ia zbret vlerës së blerjeve dhe TVSH përkatëse. Në rastin kur kemi të bëjmë me faturë korrigjuese, vlera e korrigjuar i shtohet përkatësisht vlerave të shitjes nga ana e shitësit dhe atyre të blerjes nga ana e blerësit.

Për të konsideruar të saktë procedurën e kryer kërkohet që: Fatura e re që anulon, zëvendëson ose korrigjon të mëparshmen duhet të përmbajë referencën e saktë të faturës fillestare dhe shënimin e anulimit të kësaj të fundit. Përveç kësaj, ajo duhet të përmbajë tërësinë e informacioneve që përmban një faturë tatimore si dhe vlerat përkatëse të korrigjuara. Në rastin kur lëshohet nota e kreditit, ajo duhet të përmbajë referencën e faturës fillestare dhe të tregojë shumën e uljes së miratuar, si dhe shumën e TVSH koresponduese. Përveç kësaj, nota e kreditit duhet të përmbajë të dhënat identifikuese të palëve, si dhe vlerën e furnizimit dhe TVSH e detyrueshme pas zbatimit të reduktimit të çmimit. Të evidentohet qartë edhe vlerat përkatëse të zbritjes. Në të njëjtën kohë, klienti blerës i tatueshëm me TVSH, nëse e ka kryer zbritjen e TVSH që figuron në faturën fillestare, është i detyruar të reduktoje (ulë) shumën e kësaj zbritje sipas shumës së tatimit që figuron në notën e kreditit.
Sigal